Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, deputeti nga “Nisma për Kosovën”, Zafir Berisha, ka folur mbi situatën politike në Kosovë, mbi krimet e supozuara të UÇK –së, dhe Gjykatën Speciale.
Ndër të tjera, ai është ndalur edhe tek afera Pronto, që mund të konsiderohet, si skandali i vitit 2016. Sipas të njëjtit, afera “ Pronto” e menaxhon çdo gjë në këtë vend të krimit, prandaj edhe nuk është për t’u çuditur.
Bota sot: Z. Berisha, cili është vlerësimi juaj mbi gjendjen aktuale politike në vend?
Zafir Berisha: Situata politike në vend është tepër e rëndë. Arsyet janë të shumta, por unë po i them disa, Koalicioni LDK/PDK/Serbska është, ai që e rëndoj jetën politike, sepse për interesa të ngushtë të lidershipit të LDK -së e PDK –së, bën partner në politik bërje politikën zyrtare të Serbisë përmes listës Serbska. Dhe fillimisht këtë organizatë kriminale ata e faktorizuan me ndihmën edhe te një pjesë të faktorit ndërkombëtar duke i hedhë jashtë institucioneve serbët lojalë të shtetit të Kosovës të cilët kanë njohur realitetin e ri në Kosovë. Kështu vendi bëri një hap mbrapa në integrimet e serbëve dhe sot shumë procese integruese duke përfshirë edhe transformimin e FSK -së në FAK është peng i Beogradit. Ky koalicion vazhdon rrugën e gabuar të qeverisë së mëhershme Thaçi, i cili në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi bënin marrëveshje me Serbinë, ku këtë shtet armik e bëri palë në zgjidhjen e problemeve të brendshme të Kosovës, duke i nxjerr jashtë loje serbët lokale. Në vend se të korrigjohen marrëveshjet e mëhershme me Serbinë kjo Qeveri vazhdon të thellojë gabimet drejt bërjes së shtetit jo funksional, duke bërë marrëveshjem për “Zajednicën”, si një hap shumë i rrezikshëm për vendin e cila bosnjëzon Kosovën. Situata e papranuar politike ka sjell edhe kriza të papara ekonomike e sociale që e bën tepër të rëndë jetën e qytetarëve. Vendimet e Qeverisë lidhur me fatin e vendit kanë qenë të papranishme edhe kur kanë bërë marrëveshje me Malin e Zi për Demarkacionin e cila edhe ka nxitur reagimet e arsyeshme të qytetarëve dhe opozitës.
Bota sot: Përse keni refuzuar pjesëmarrjen në hartimin e Statusit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, si do t`ua shpjegoni qytetarëve këtë refuzim?
Zafir Berisha: Nuk mendoj se ne, por edhe askush tjetër duhet të jetë në vazhdim të këtij projekti të rrezikshëm për vendin, dhe tendave për ta dërguar edhe me tej këtë projekt të dëmshëm, i cili fillimisht nënkupton ta rrezikojë stabilitetin politik në vend.
Bota sot: Z. Berisha, vendi që disa muaj është në një krizë institucionale. Si do të mund të dilet nga kjo situatë sipas jush?
Zafir Berisha: Mungesa e dijes dhe vizionet për të qeverisur vendin ka sjellë situatën, ku vetëm zgjedhjet mund t’i zgjidhin problemet që i ka akumuluar kjo “Qeveri e elefantëve”.
Bota sot: Personalisht ju, si e keni menduar atëherë, në kohën e luftës, shtetin e Kosovës dhe si po e përjetoni funksionimin e tij 17 vjet pas çlirimit, 9 vjet pas shpalljes së pavarësisë?
Zafir Berisha: Fillimisht shumë pak herë më kishte shkuar mendja që mundem të mbetem gjallë, por edhe atëherë kur më ka shkuar, pas luftën dhe lirinë e kemi menduar si diçka hyjnore, si diçka që është e nevojshme si ajri për gjallesat kështu është liria për shqiptarët. Mirëpo gjërat nuk shkuan ashtu siç menduam dhe shumë njerëz ndërruan qasjen në bërjen e shtetit. Dhe për fat të keq shtetin dhe institucionet i vunë në shërbim të grupeve të ngushta mafioze, por jo edhe në shërbim të qytetarëve. Normal që pas shpalljes pavarësisë është menduar se punët do shkojnë më mirë por jo.
Bota sot: Si po qeveriset vendi në këtë fazë tranzitore, a mendoni se ka rrëshqitje strategjike – gabime, në hapat e deritanishëm qeverisës të atyre që e patën në dorë dhe e kanë akoma pushtetin?
Zafir Berisha: Vendi është duke u qeverisur si është më së keqi as edhe me deshtë me qeverisë kaq keq njeriu nuk di të bëj, siç janë duke bërë qeveria PDK dhe LDK. Në fakt, këta nuk kanë një strategji se çfarë duhet bërë me Kosovën. Strategjia e tyre janë sot për nesër, vetëm se si me e zhvatë buxhetin e qytetarëve.
Bota Sot: A është fajtore drejtësia në Kosovë, meqë iu imponua Kosovës një gjykatë speciale ?
Zafir Berisha: Fillimisht është politika fajtor që e ka politizuar drejtësinë dhe e ka vërë në shërbim të njësive parapolitike të partive në pushtet. Drejtësia është storje e qëllimshme e dështuar. Shumë çështje sa i përket drejtësisë është dashur të zgjidhen veçanërisht pas shpalljes pavarësisë sepse me herët dihet që ndërkombëtaret kanë pasur nën kontroll të plotë këtë sektor, por edhe pas pavarësimit të vendit nuk është bërë diçka serioze në këtë drejtim dhe kemi këtë gjendje kaotike në drejtësinë Kosovës.
Bota Sot: Sa e ekzistojnë mundësitë që Gjykata Speciale, ta pastrojë skenën politike të Kosovës?
Zafir Berisha: Jo unë nuk e mendoj kështu ketë gjë. Mendoj se gjykata speciale ka me i ndihma shumë politikes sllave dhe mbetjeve të tyre në Kosove qe ta barazoj luftën çlirimtarë te shqiptarëve me luftën okupues te Serbisë, kjo është krejt poenta e formimit te kësaj gjykata e cila ne emër te stabilitetit ne rajon don me i nxjerr serbet viktimë. Munde edhe te ka ndodhe ndonjë budallaki individualë e njerëzve të papërgjegjshëm mirëpo te themelohet Tribunali ndërkombëtare për këtë çështje kjo është me shumë se qesharake.
Bota Sot: Çfarë informacionesh keni ju personalisht dhe a ndjeheni i rrezikuar nga një proces eventual? A ka bërë UÇK-ja, krime !?
Zafir Berisha: Nuk kam kurrfarë informacioni rreth ndonjë krimi të UÇK -së, sepse unë kurrë nuk jam marrë me politika konspirative dhe nëse ndonjë veprim individual ka ndodhur nuk do të thotë se e ka bërë UÇK -ja. Prandaj, këtu i kam gjërat e ndara nga ata që mendojnë në kriminalizimin e luftës së UÇK- së. Unë kam qenë pjesë e luftës për çlirim të Kosovës dhe nuk jam penduar që kam qenë dhe nesër me ardhë puna prapë e kap pushkën për ta mbrojtur atdheun dhe jam penduar që nuk kam mundur edhe më shumë që të bëjë për vendin. Sipas logjikës se si është formuar Gjykata dhe me çfarë deklaratash deri tash janë ngritur aktakuza në Gjykatën e EULEX-it, çdo ushtar i UÇK -së, mund të atakohet, dhe natyrisht se të parët mund të atakohen ata të cilët nuk po pajtohen shumë me politikat e nënshtrimit ndaj Serbisë.
Bota Sot: Sa do të dëmtohet imazhi i UÇK-së, nga ballafaqimi i figurave të luftës me një gjykatë të llojit të tillë? A ka pasur nevojë UÇK-ja, të pastrojë emrin e saj me anë të kësaj gjykate siç janë deklaruar zyrtarë të lartë të shtetit?
Zafir Berisha: Imazhi për llogari të politikës ditore është shumë i dëmtuar, por nuk mendoj se do të triumfojë logjika e sëmurë e njerëzve me e nxjerrë organizatë terroriste. Nuk besoj, se ka pasur UÇK -ja e u pastrua UÇK -ja, sepse ata që janë të papastër dihen. UÇK -ja tani i takon historisë dhe fundërrinat që kanë manipuluar në emër të UÇK -së mund të mendojnë se UÇK -ja duhet pastrohet. Njerëzit e ndyrë nuk ka Gjykatë që i lan dhe kështu që çdo tendencë që kërkon që UÇK –ja të pastrohet nga dikush, është gabim sepse UÇK -ja nuk është ndyrësirë që të pastrohet. Idiotët kanë nevojë që të fshihen dhe që të thonë kështu, se duhet të pastrohet UÇK-ja.
Bota Sot: A janë lodhur qytetarët nga patriotizmi i rremë politik i profiterëve të luftës, të cilët deri më tani drejtësia nuk ka pasur guxim t’i hetoje?
Zafir Berisha: Qytetarët janë lodhur shumë nga patriotizmi. Kjo që njerëzit e papërgjegjshëm që kanë bërë 17 vite pas luftës në emër të UÇK –së, nuk do tua falë historia. Mirëpo, unë mendoj se njerëz të caktuar për budallakitë që i kanë bërë pas 12 qershorit 99 nuk duhen lidhur me UÇK -në. Një fjalë popullore thotë se: “ Çdo burrë varet nga këmbët e veta”, prandaj, mendoj se misioni UÇK -së është kryer në qershor 99 dhe çdo gjë që ka ndodhur pas asaj kohe, ka emër dhe mbiemër personal, por jo UÇK.
Bota Sot: Si do ta mbaj mend historia këtë garniturë politike në qeverisje, për pozicionin në të cilin e sollën vendin me këtë Gjykatë Ndërkombëtare për dyshimet e krimeve të UÇK-së?
Zafir Berisha: Kjo garniturë politike që ka sjellë Gjykatën Speciale për ta gjykuar UÇK –në, do të mbahet mend si tradhtia më e madhe që i është bërë luftës për liri dhe gjakut që është derdhur për arsye, se për interesa disa kanë pranuar që të barazohet lufta jonë çlirimtare me atë okupuese serbe.
Bota Sot: A keni informacione se përse po zvarritet riformatimi i qeverisë?
Zafir Berisha: Nuk kam informacione se përse po zvarritet riformatimi i qeverisë, por mendoj se kjo qeveri duhet të shkojë në shtëpi. Pasi asnjë riformatizim nuk nënkupton ndryshimin e keq-qeverisjes, dhe kushdo që shkarkohet apo emërohet vetëm mund të hyjë në vallen e krimit dhe korrupsionit dhe asgjë më shumë.
Bota Sot: A mendoni se duhet të bëhet ligji për Qeverinë, nëpërmjet të cilit do të përcaktohej numri i ministrive dhe zëvendësministrave. A mendoni se po zvarritet qëllimshëm ky ligj?
Zafir Berisha: Po, sepse jemi i vetmi vend në botë që nuk kemi ligje për Qeverinë dhe kjo nuk është rastësisht. Kjo ka mbetur kështu për faktin që të mirat dhe resurset e vendit të bëhen leckë për kusuritje, kur vjen puna e koalicioneve.
Bota Sot: Në Kosovë, përveç që mungon sundimi i ligjit kërcënues për të ardhmen paraqitet edhe korrupsioni. Duke e marrë parasysh se politikanët janë kategoria më pasur në Kosovë, a duhet të hetohej mënyra se si është bërë kjo pasuri, pasi dihet e kaluara ekonomike e një pjesë të politikanëve?
Zafir Berisha: Dihet se “ Hajni hajnin nuk e kap thotë populli”, pasi kjo qeveri tashmë e futur deri në fyt në krim të organizuar dhe korrupsion duhet të gjykohet në zgjedhje me votën e qytetarëve sepse drejtësia, ajo që duhet ta bëjë këtë gjë, është pjesë e kapjes nga korrupsioni dhe krimi organizuar.
Bota Sot: Është thënë që edhe në vitin 2017 rrezikohet të mos bëhet liberalizmi i vizave? Cili është qëndrimi i juaj për këtë?
Zafir Berisha: Nuk duhet çuditur, sepse kjo Qeveri si është të qeverisë vendin deri në 2025, mundet të na lërë pa viza. Sepse kriterin bazë nuk e ka plotësuar që të luftojë krimin në mesin e vet dhe për shkak të tyre qytetarët po vazhdojnë të jenë në burgun kolektiv sa i përket lëvizjes që quhet Kosovë.
Bota Sot: Çka mendoni, pse u hesht afera e shumë përfolur “ Pronto” Kush duhet ta mbajë përgjegjësinë për këtë ?
Zafir Berisha: Është për t’u çuditur se si ka dalë, si doli kjo aferë dhe pse u hesht. Afera “ Pronto” e menaxhon çdo gjë në këtë vend të krimit, prandaj edhe nuk është për t’u çuditur. Përgjegjësia vazhdimisht mbetet jetim, por dihet kush e ka përgjegjësinë, drejtësia.
Bota Sot: Si e vlerësoni qëndrimin e pozitës ndaj rastit Dehari, të cilët fillimisht, nuk pranuan që të mbahet seanca e jashtëzakonshme?
Zafir Berisha: Nuk i kuptoj pse bëhen kaq kokëfortë për të debatuar për një rast kaq të ndjeshëm siç është rasti Dehari. Mendoj se duhet debatohet, jo për t’u përzier në drejtësi por për ti hequr dilemat, sepse i riu Astrit Dehari ka vdekur, duke qenë në duart e shtetit prandaj edhe deputetët duhet të japin mendimet dhe vlerësimet e veta.
Bota sot: Cili është deputeti Berisha jashtë kornizave politike?
Zafir Berisha: Jam njeri familjar, shok dhe shumë i afërt me ata që kanë nevojë, ndryshe një pjesë të kohës e çoj edhe në biznesin tim familjar.
Bota sot: A keni ndonjë hobi, apo pasion të veçantë?
Zafir Berisha: Po, shëtitjet në natyrë, dhe gjahun…
Bota sot: Si e kaloni kohën e lirë?
Zafir Berisha: Kohë të lirë kam shumë pak, e atë që e kam, më shumë e kaloj me familje dhe miqtë e mi.
Bota sot: A bisedoni në familje për politikën?
Zafir Berisha: Jo edhe pse Kushtimi djali im i madh është më shumë kureshtar për të më pyetur ndonjëherë rreth politikës. Por në familje të ngushtë asnjëherë nuk flas për politikë, edhe pse shumica e kohës kur jem në shtëpi në Tv përcillet politika.