7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Isa Boletini rivarroset në ditën e Lidhjes së Prizrenit

Dita kur është mbajtur Lidhja Shqiptare e Prizrenit është caktuar si datë kur do të rivarrosen eshtrat e heroit kombëtar, Isa Boletini, më shumë se një shekull pasi është vrarë.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, që udhëheq Këshillin organizativ për ceremoninë e rivarrimit, tha për Top Channel se shumica e detajeve të ceremonisë tashmë janë përgatitur, e gjithçka pritet të finalizohet javën e ardhshme.

“Në një prej takimeve tona, si Këshill organizativ kemi vendosur, që rivarrimi i eshtrave të heroit kombëtar Isa Boletini të ndërlidhet me Lidhjen e Prizrenit. Konkretisht kemi përcaktuar si ditë, kur do të mbahet ceremonia qendrore apo përfundimtare në Mitrovicë, të jetë pikërisht 10 Qershori, dita e Lidhjes së Prizrenit”, tha Haki Demolli, ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Demolli ka treguar se eshtrat e heroit kombëtar, Isa Boletini, do të nisin rrugëtimin nga shtëpia e pavarësisë në Vlorë, në vendin e Lidhjes Shqiptare në Prizren.

“Prej Prizrenit, pastaj do të dërgohen në Isniq, në vendlindjen e heroit kombëtar. Në datën 9 Qershor, qytetarët tanë do të kenë mundësi të bëjnë homazhe para eshtrave të heroit në Prekaz, kurse pasditen e së njëjtës ditë do të jenë në Prishtinë. Po më 9 Qershor është planifikuar, që funerali me eshtrat e tij të dërgohet në Mitrovicë, ku edhe do të qëndrojnë gjatë natës. Kurse në datën 10 parashikohen homazhe në Qendrën Kulturore të Mitrovicës. Manifestimi qendror do të mbahet në stadiumin e Trepçës, në Mitrovicë”, tha më tej Haki Demolli.

Ministri i Forcës së Sigurisë tha se, për nder të heroit Isa Boletini, aktivitete do të ketë edhe në Shqipëri, të cilat ende nuk janë finalizuar.

“Një pjesë e aktiviteteve tona do të mbahet edhe në Republikën e Shqipërisë. Konkretisht, për aktivitetet që do të zhvillohen atje ka marrë përgjegjësinë ambasadori ynë, Ramiz Lladrovci, i cili do të na njoftojë ndërkohë në takimet e radhës, mbi ecurinë e aktiviteteve që do të mbahen në Shqipëri”, tha Haki Demolli, ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Për nder të heroit Isa Boletini, edhe Instituti i Historisë në Prishtinë, më 5 Qershor do të organizojë një konferencë shkencore njëditore. Ceremonia e rivarrimit të eshtrave të heroit, Isa Boletini është caktuar disa kohë më parë, por për arsye të ndryshme është shtyrë vazhdimisht.

Më Shumë

Vlera e kredive të reja për muajin mars 2024 arriti në 241.20 milionë euro, edepozitave 69.70 milionë euro

Shtatë miliardë e 500 milionë euro janë asetet e bankave komerciale në Republikën e Kosovës derisa shuma e depozitave të qytetarëve arrin në 6.05 miliardë...

Milani nis sulmin final për Zirkzee

Skuadra e Serie A, Milan-i tani po bën presion për të nënshkruar me Joshua Zirkzee nga Bologna dhe po shton përpjekjet e tyre për...

Lajmet e Fundit