8.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Ish-inspektori i ndërtimit në Prizren shpallet i pafajshëm për keqpërdorim detyre

Ish-inspektori i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Nexhmedin Musliu, është shpallur i pafajshëm për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktgjykimit të shpallur të enjten, nga kryetari i trupit gjykues Artan Sejrani, nuk është provuar se Musliu ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Sejrani tha se nga administrimi i provave, dëgjimi i dëshmitarëve dhe mbrojtja e të akuzuarit, nuk është vërtetuar se i akuzuari është fajtor.

I njëjti i njoftoi palët prezentë se kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh, nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim.

Kurse pala e dëmtuar, Komuna e Prizrenit, për kërkesën pasurore juridike u udhëzua në kontest të rregullt juridiko civil.

Ndërsa, shpenzimet procedurale sipas Sejranit mbeten në barrë të gjykatës.

Sipas aktakuzës së ngritur më 27 mars 2019, nga Prokuroria Themelore në Prizren, Nexhmedin Musliu akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar të inspektorit të ndërtimtarisë, nuk i përmbush detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër, apo t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

 

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri, në periudha të ndryshme kohore nga vitit 2013 e deri në vitin 2017, në vazhdimësi, vetëm formalisht si në aktvendimin e Inspektoratit të Ndërtimtarisë të Drejtorisë së Inspektorateve të Komunës së Prizrenit, e pastaj edhe me procesverbale, urdhëron ndërprerjen e punimeve pa leje ndërtimi, e pastaj me një procesverbal tjetër urdhëron pajisjen me leje ndërtimi të objektit, përkatësisht të sallonit të dasmave, afër pompës së benzinës “Arbëria”, në hyrje të autostradës në veri të Prizrenit, pronë kjo e investitorit Shemsedin Berisha.

Sipas aktakuzës, Musliu me procesverbal urdhëron ndërprerjen e punimeve pa leje ndërtimi në kompleksin e ndërtimeve “Barut Hane” në Prizren, pronë e investitorit Tahir Krasniqi, ndërprerjen e punimeve ndërtimore në objektin hotelier “Crystal Palace”, ky afër fshatit Landovicë, pronë e investitorit Zait Kabashi, si dhe urdhëron ndërprerjen e punimeve pa leje ndërtimi në depon për prodhimin e peletit, “Sëiss Pelet” afër rrethit të autostradës, në lagjen “Arban”, pronë e investitorit Asllan Shala.

Sipas aktakuzës, ai urdhëron ndërprerjen e punimeve, mirëpo nuk ndërmerr masa pasuese në frymën e këtyre akteve, gjegjësisht aktvendimeve për rrënime vullnetare dhe përfundimisht konkluzione për rrënim të detyrueshëm të objekteve të ndërtuara pa leje, ku njëherësh i shkakton dëm material edhe Komunës së Prizrenit.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, e paraparë në nenin 422 , paragrafi 1 e Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Moti sot me temperatura deri në 30 gradë Celsius

Instituti Hidrometerologjik i Kosovës ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të ketë mot kryesisht me diell. Sipas njoftimit të këtij instituti,...

Arrestohet një person në Prizren, dyshohet për dhunë në familje

Është arrestuar një person në Prizren. Ai akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj anëtarëve të familjes së tij dhe gjithashtu ka dëmtuar dhe demoluar...

Lajmet e Fundit