23.8 C
Prizren
E mërkurë, 8 Maj, 2024

Ish-mësimdhënësi kërkon të kthehet në vendin e punës, Komuna e Malishevës e kundërshton padinë

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, në seancën e së mërkurës, është dhënë fjala përfundimtare në rastin ku paditësi Dalip Toplana, po kërkon të kthehet në vendin e punës si mësimdhënës.

Me pretendimet se ishte larguar padrejtësisht nga puna, ai e ka paditur Komunën e Malishevës.

Paditësi Toplana, në fjalën përfundimtare tha se kërkon nga gjykata që kërkesëpadinë ta aprovojë, pasi që i janë shkelur të drejtat e tij, për faktin se deri në ndërprerjen e marrëdhënies së punës, i ka pasur 16 vjet përvojë pune, në Shkollën e Mesme Profesionale “Lasgush Poradeci”, në Kijevë.

Ai i propozoi gjykatës, që kërkesëpadia të aprovohet si e bazuar, duke kërkuar kthim në vendin e punës dhe kompensimin e të ardhurave personale, për kohën që nga ndërprerja e marrëdhënies së punës, e deri në kthimin e tij në vendin e punës.

Ndërsa, avokati publik komunal, Mujë Sahitaj, deklaroi se e konteston kërkesëpadinë e paditësit, duke shtuar se kërkesëpadia është parashkruar, përkatësisht sipas tij, padia është paraqitur në gjykatë pas kalimit të afateve ligjore.

Sahitaj i ka propozuar gjykatës që padinë ta refuzojë për shkak të parashkrimit.

Ndryshe, në këtë seancë u bë edhe leximi i provave të administruara, kurse lidhur me vendimin  e gjykatës, gjykatësi Haki Kryeziu, tha se palët do të njoftohen me shkrim në afatin e paraparë ligjor.

Sipas padisë së ushtruar më 20 qershor 2017, Drejtoria e Arsimit dhe Edukimit në Komunën e Malishevës, më 31 gusht 2016, paditësit Dalip Toplana nga Kijeva, i kishte ndërprerë marrëdhënien e punës pa njoftim dhe pa vendim, dhe vetëm pas 5 shtatorit 2016, ishte njoftuar nga drejtori i shkollës se i është ndërprerë marrëdhënia e punës.

Paditësi Toplana, sipas padisë, kishte parashtruar ankesë në Drejtorinë për Arsim dhe Edukim në Komunën e Malishevës, por siç thuhet në padi, atij vetëm i është premtuar me fjalë gojore se do të sistemohet brenda një kohe të shkurtër, ku më pas kjo nuk kishte ndodhur.

Në padi thuhet se paditësi me një ankesë tjetër i drejtohet Inspektoratit të Punës për kthimin në vendin e punës, mirëpo ankesa i refuzohet nën arsyet se ka kaluar afati ligjor për ankesë.

Ndryshe, sipas padisë, paditësi Toplana, ishte profesor i lëndës së Matematikës, ku ka ligjëruar që nga viti 1999, dhe ka qenë në programin për avancim profesional dhe i ka pasur të gjitha trajnimet e duhura për mësimdhënie dhe 16 vjet përvojë pune si mësimdhënës i kësaj lënde në Shkollën e Mesme Profesionale “Lasgush Poradeci” në Kijevë të Komunës së Malishevës. /Betimipërdrejtësi

Më Shumë

Peja, kampione e Kosovës për herë të katërt rresht

Peja i ka dhënë fund serisë së finaleve në Raiffeisen Superligën A, duke e fituar edhe ndeshjen e tretë. Para rreth 1000 spektatorëve në “Karragaçi”...

‘Rrufe në qiell të hapur’, Bayern refuzohet edhe nga Ralf Rangnick

Ralf Rangnick thuhet se ka refuzuar mundësinë për të zëvendësuar Thomas Tuchel-in si trajner i Bayern Munich-ut, duke e lënë klubin të përpiqet për...

Lajmet e Fundit