6.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Ish-zyrtarët e Komunës së Prizrenit të akuzuar për korrupsion, thonë se aktakuza nuk qëndron dhe kërkojnë hudhjen e saj

Ish- zyrtarët e Komunës së Prizrenit, Islam Thaqi, Krenare Koqi, Fatmir Memaj, Enver Bytyqi dhe Refki Muzbeg të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe Agron dhe Valbon Kastrati, të akuzuar për dëmtim dhe uzurpim të pronës së monumentit fetar “Teqe Melami”, të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren në shqyrtimin e dytë kanë kërkuar hudhjen e aktakuzës.

Sipas të akuzuarit Memaj, aktakuza e prokurorisë nuk është e bazuar në dispozita ligjore dhe se në asnjë veprim të tij nuk ka bërë shkelje ligjore në lidhje me veprën penale për të cilën akuzohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ne si drejtori i kemi lëshuar leje në përpikmëri konform ligjeve në fuqi, ndërsa në aktakuzë thuhet se t’i mundësojnë investitorëve Kastrati ndërtimin e ndërtesës në kundërshtim me lejet për ndërtim”, tha i akuzuari Memaj.

Ndërsa, i akuzuari Thaqi tha se pretendimet në aktakuzë të prokurorisë nuk qëndrojnë dhe se e njëjta nuk ka arritur t’i dëshmojë ato.

Po ashtu, ai propozoi që në cilësinë e dëshmitarëve të dëgjohen Faik Hoxha dhe Jetmire Vrenezi.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuari Muzbeg, avokati Arben Shala tha se kjo aktakuzë është e pabazuar dhe e paargumentuar, sepse sipas tij i mbrojturi i tij ka vepruar në bazë të kompetencave të punës duke respektuar dispozitat ligjore dhe atë Ligjin për ndërtim, Ligjin e planifkimit, rregulloret dhe udhëzimet administrative.

Edhe i akuzuari Bytyqi ka kërkuar hudhjen e aktakuzës dhe ka shtuar se nuk ka qenë përgjegjës në momentin e ndërtimit në fazën e bodrumit dhe se përgjegjës është caktuar në dhjetor të vitit 2018, ku tha se objekti e ka pasur të ndërtuar bodrumin dhe përdhesën.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarës Koqi, avokati Agron Karatash ka thënë se kjo aktakuzë është në kundërshtim me nenin 241, paragrafi 1, pika 4 të Kodit të Procedurës Penale, sepse sipas tij kjo dispozitë kërkon moskryerjen me dashje detyrat nga personi zyrtar.

Sipas avokatit Karatash, prokuroria të mbrojturën e tij e ngarkon edhe me mospëmbushje të detyrave si dhe me tejkalim të kompetencave, ku tha se me të njëjtin veprim inkriminues nuk mund të kryejë dy vepra penale.

Ai shtoi se pretendimi i prokurorisë se investitorët kanë lejuar bashkimin e parcelave kadastrale 3118-0 dhe 3119-0 nuk qëndron, sipas tij nuk kemi numër të ri të ngastrës kadastrale të bashkuar.

Kërkesë për hudhje të aktakuzës ka bërë edhe mbrojtësi i akuzuarit Agron Kastrati, avokati Labinot Murati, ku tha se kjo aktakuzë është në kundërshtim të dispozitave ligjore, sepse sipas tij prokuroria ka ngrit aktakuzë tri ditë pas kalimit të afatit ligjor dhe se prokuroria nuk ka bërë kërkesë për vazhdim të hetimeve.

Gjithashtu, ai ka thënë se i mbrojturi tij e ka në posedim për mbi 20 vite ngastrën kadastrale për të cilën prokuroria e ka ngarkuar me veprën penale uzurpim i paligjshëm i paluajtshmërisë.

Këto qëndrime të avokatit Murati, i ka mbështetur mbrojtësi i të akuzuarit Valbon Kastrati, Shkelzen Feka, i cili tha se i mbrojturi i tij dhe i akuzuari Agron janë vëllezër dhe se kërkon hudhje të aktakuzës.

Në anën tjetër, prokurorja Ervehe Gashi deklaroi se të gjitha provat në aktakuzë janë mbështetur në dispozita ligjore.

Ajo theksoi se pretendimet e të akuzuarve Bytyqi dhe Muzbeg se në kohën e ndërtimi të objektit nuk kanë qenë përgjegjës nuk qëndrojnë, ngase sipas saj prezenca e tyre vërtetohet me nënshkrimet e tyre në proceverbal.

Andaj, ajo i propozoi gjykatës që kërkesat për hudhjen e aktakuzës, kundërshtimet e të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre të mos i aprovojë, por të vazhdojë me mbajtjen e shqyrtimit kryesor.

Në fund, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi tha do të marrë vendim me shkrim lidhur me kundërshtimet, me ç’rast e ka përfunduar shqyrtimin e dytë.

Ndryshe, sipas aktakuzës, më 22 shkurt 2019, në rrugën “Pushkatarët” në Prizren, të akuzuarit duke vepruar në cilësi të personave zyrtarë, Islam Thaqi në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Inspekcion të Komunës së Prizrenit, Fatmir Memaj në cilësi të drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm e Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizrenit, Refki Muzbeg në cilësi të bashkëpunëtorit Profesional të Drejtorisë për Urbanizëm e Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizreni, Enver Bytyqi si inspektor i ndërtimtarisë pranë Drejtorisë për Inspekcion të Komunës së Prizrenit dhe Krenare Koqi në cilësi të shefes së kabinetit të Kryetarit të Komunës së Prizrenit, i tejkalojnë detyrat e tyre zyrtare.

Aktakuza thotë se në kundërshtim me “Ligjin për inspekcionin e mjedisit, ujërave, natyrës dhe planifikimit hapësinor”, “Ligjin për qendrën historike të Prizrenit”, si dhe në kundërshtim me “Ligjin për vetëqeverisje lokale”, me dije formojnë komision për vlerësimin e ndërtimit të objektit nga investitorët Agron dhe Valbon Kastrati, dalin në terren, inspektojnë ndërtimin dhe shfuqizojnë urdhër-ekzekutimin e Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë të Drejtorisë së Inspektorateve të Komunës së Prizrenit të 3 dhjetorit 2018, ndërprejnë punimet rreth rrënimit, me arsyetimin se mund të dëmtohet objekti fqinj “Teqeja Melami”, i cili objekt është i mbrojtur me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, duke i mundësuar investitorëve Agron dhe Valbon Kastrati, ndërtimin e ndërtesës në kundërshtim me lejet për ndërtim.

Po ashtu, thuhet se u kanë lejuar atyre të bëjnë bashkimin e parcelave katastrale dhe ndërtimin e një objekti në disa parcela kadastrale, me ç’rast u kanë mundësuar përfitim investitorëve Agron dhe Valbon Kastrati, në gabaritin – sipërfaqen e objekteve hoteliere, njëkohësisht kanë lejuar që këta investitor të uzurpojnë 9 m2 nga parcela katastrale e cila evidentohet në emër të pasurisë shoqërore pasuria “Teqe Melami”, duke dëmtuar rëndë Qendrën Historike të Prizrenit.

Me këto veprime të akuzuarit e lartceku akuzohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 2, pika 2.1 dhe 2.2, lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Ndërsa, të pandehurit Agron dhe Valbon Kastrati thuhet se më 8 maj 2018, në rrugën “Pushkatarët” në Prizren, duke vepruar si pronarë të objekteve ndërtimore afariste, dëmtojnë monumentin ose objektin e mbrojtur kulturor, historik dhe fetar, në atë mënyrë që derisa të njëjtit po bënin ndërtimin e objektit afarist me etazhitet B+P+1, nuk i respektojnë kushtet nga lejet e ndërtimit, dhe me këtë rast gjatë hapjes së bodrumit të ndërtesave dëmtohet konstruksioni struktural i monumentit historik, i cili është monument i trashëgimisë kulturore dhe mbrohet me ligj me numër unik 3632 në listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtjen e përkohshme.

Me këto veprime, të pandehurit Agron dhe Valbon Kastrati akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës”, nga neni 354, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Po ashtu, aktakuza thotë se të pandehurit Agron dhe Valbon Kastrati, prej 8 majt 2018 e në vazhdim në mënyrë të kundërligjshme kanë uzurpuar pronën e paluajtshme të personit tjetër, e cila evidentohet në emër të pasurisë shoqërore pasuria “Teqe Melami” e që konsiderohet tokë ndërtimore, me ç’rast i kanë shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit në vlerën e 9 m2.

Me këto veprime, të pandehurit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme” neni 332, paragrafi 2, pika 2.1 e lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

“Shkrepi dhjetë plumba drejt viktimës”, aktakuzë ndaj të pandehurit për vrasjen në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.G., për shkak të dyshimit për vrasje të rëndë. Sipas aktakuzës, pasditen e 3 shtatorit në...

Juventusi nis punën për transferimin e Zhegrovës

Juventusi në verë mund të nënshkruaj me yllin e Kosovës, Edon Zhegrova. “Zonja e Vjetër” rikthehet në Ligën e Kampionëve, prandaj do të investojë në...

Lajmet e Fundit