Agjentja e Paul Pogbas, Rafaela Pimenta do të takohet sot me Juventusin për të diskutuar një rikthim të mundshëm në Torino për francezin.

Mesfushori francez do të largohet nga Manchester United si transferim i lirë muajin e ardhshëm pas gjashtë vitesh në veriperëndim të Anglisë.

Lojtari 29-vjeçar kishte një kohë mjaft të vështirë në Ligën Premier dhe rregullisht kritikohej nga tifozët pasi ai tregoi vetëm gjysmën e cilësive të tij.

Paraqitjet e tij për kombëtaren franceze janë dëshmi se ai është ende një top lojtar, pavarësisht vështirësive të tij në klub.

Siç raportohet nga La Gazzetta dello Sport, agjentja e Pogbas, Pimenta, trashëgimtarja e perandorisë së Mino Raiolas (tashmë i ndjerë), do të ketë një takim gjatë mesditës me Juventusin sot për të diskutuar një marrëveshje trevjeçare.

Pengesa kryesore është paga e francezit, por Zonja e Vjetër ndihet e sigurt se mund të sigurojë lëvizjen.

Në letër Pogba duket pikërisht lloji i mesfushorit që i nevojitet skuadrës së Massimiliano Allegrit; një lojtar teknik që mund të kontribuojë rregullisht në gola dhe që ka mendësinë e një fituesi me përvojë. /Telegrafi/