27.8 C
Prizren
E hënë, 9 Qershor, 2025

Ka ardhur koha të shash “Ik more politikan!”

Kapexhiu, të mërkurën ju do promovoni tre librat e parë me titujt “Për një karrige”, “Ngërç” dhe “Kthesë”, me karikatura të botuara në rubrikën e përditshme “Ngërç” te gazeta Mapo, ku satirizoni politikën. Mos janë këta libra një fund i “ngërçit”, apo një pajtim me të?

Në këtë çast që unë dëgjoj nga ju fjalët “fund i ngërçit” , do isha shumë i kënaqur nëse vërtet ngërçi do të kishte përfunduar. Për të dhënë përgjigjen e saktë, edhe unë jam në ngërç. Do të kisha shumë dëshirë që të mos ekzistonte fjala “Ngërç” si titull i një rubrike. Por më lejoni edhe mua t’ju bëj një pyetje. A mendoni ju se politika jonë do të dalë nga ky ngërç? Nëse po, atëherë edhe Mapo do të ketë një rubrikë tjetër, por me sa duket, do të kalojë shumë kohë. Ose ndoshta, duke u treguar pak pesimist, meqë ngërçi është pjellë e politikës, ajo përpiqet ta mbajë gjallë e të kujdeset për krijesën e saj. Të jeni e sigurt se politika dhe ngërçi janë dy udhëtarë të pandarë, që ecin në të njëjtën rrugë dhe kujdesen për njëri-tjetrin.

Cili është ngërçi më i madh i shoqërisë shqiptare, sipas jush?

Ju më pyesni për ngërçin në numrin njëjës, kur ne kemi një politikë ku brenda saj gjallojnë disa ngërçe. Megjithatë, unë po ju them pikërisht atë që është më kryesori, më i dukshmi, pas të cilit rrjedhin edhe të tjerët. Politikanët tanë nuk dinë të komunikojnë me njëri-tjetrin, me urtësi, me mençuri, mirësjellje e qytetari. Janë të nxituar, arrogantë, sipërfaqësorë, injorantë, të babëzitur për t’u pasuruar sa më shpejt e në mënyrë të paligjshme, individualistë, vetëm për vete, të pashpirt, indiferentë. Më duket se ka ardhur një kohë që, nëse do të shash një person, mund t’i thuash “Ik mor politikan!” dhe kështu ia ke thënë të gjitha. Edhe të tjera që unë nuk i përmenda.

Më e thjeshta, më e natyrshmja, më njerëzorja, politikanët tanë nuk dinë të pyesin dhe më keq akoma, nuk dinë të përgjigjen. Çdo pyetje e përgjigje e tyre është e ambalazhuar me inat, smirë, arrogancë dhe gënjeshtër. Kjo bën që konsensusi të çalojë dhe kështu çalë – çalë, ai kalon në çdo tavolinë në sallën e Parlamentit, grindet, shan e fyhen në çdo podium dhe braktis çdo komision parlamentar. Ky është ngërçi më i madh që kultivojnë politikanët në kopshtin e tyre.

Cila është receta juaj për “ngërçin”, a gjendeni shpesh ju vetë në situata ngërçi, sa ju ndihmon humori për të dalë nga këto situata?

Sigurisht edhe unë gjendem në situata të tilla. Ndodhem në ngërç edhe kur krijoj karikaturën e radhës. Jo rrallë mërzitem, nxehem e revoltohem me ndonjë batutë, mendim apo veprim ekstrem të ndonjë politikani dhe në çast fantazia, me lapsin kritik, krijon në trurin tim formatin e një karikature satirike, të ashpër, të egër, me mjete e pozicione figurative ndoshta edhe fyese e denigruese në përshtatje me veprimin e politikanit. Por në çast ndodhem në ngërç. Ta botoj apo të mos e botoj? Mos vallë është ca e tepruar? Ngërçi më bën të qëndroj, të mendoj dhe në fund të vendos. Jo! Nuk do e botoj. Do gjej një variant më humoristik, më të pranueshëm, që edhe mesazhi të jetë i saktë, personazhi të kritikohet për gabimin, por me këtë karikaturë edhe ai duhet të buzëqeshë. Ka edhe shumë ngërçe të tjera individuale që qarkullojnë në jetën e përditshme. Edhe ngërçi ka një vlerë, kur është një stopim, një ngecje, një mëdyshje, që ka të mirën e saj kur është e përkohshme, kur me zgjidhjen e tij krijon çast të gëzueshëm e festiv.

Gruaja më thotë “Mos bli gjëra të shtrenjta!” Porosia apo urdhri është i prerë dhe unë qëndroj në ngërç para banakut me dëshirën për të blerë, por ngec. Çmimet janë rritur. Ta blej apo të mos e blej? Ky është një ngërç familjar.

Sa ndihmon satira dhe humori për t’u përballur me politikën, për ta pranuar atë, ose për ta kritikuar e për ta ndryshuar atë?

Mendoj se çdo krijimtari artistike ndihmon për të strukturuar një shoqëri progresive që respekton ligjet dhe ecën drejt prosperitetit. Edhe humori e satira, pra ky art komik, duke qenë se është specifik në misionin e vet të kritikës dhe goditjes së dukurive negative të shoqërisë, mendoj që ka një funksion pozitiv me mesazhin e saj konstruktiv. Arti i humorit është ballafaqim direkt me politikën, me krijimet e saj ajo nënvizon dukuritë negative duke u tallur e përbuzur ato. Në këtë formë ajo i tregon haptas politikës veprimet e dukuritë negative të cilat duhen shmangur. Herë pas here, mendimi kritik i karikaturës është edhe i ashpër e goditës, por asnjëherë fyes e denigrues. Në qendër të trajtimit humoristik janë figurat më të larta politike, ata të cilët e rrotullojnë, e transformojnë, e përvetësojnë, e deklamojnë dhe e deformojnë politikën. Janë këta në qendër të vëmendjes së publikut e të medias, kështu që detyrimisht janë në qendër të fletës së vizatimit dhe në majën e penës artistike që karikaturizon figurën e këtyre personazheve dhe bëmat e tyre.

5 – Duken krejt të natyrshme përjetësimet e ngjarjeve politike të ditës në karikaturë? Ju është kthyer kjo në një rutinë, si një gazetari kronikan?

Përjetësimet e ngjarjeve politike të ditës, në karikaturë, tashmë më duken të zakonshme. Çdo ditë, çdo çast, i ndjek zhvillimet e kësaj politike nëpërmjet shtypit dhe televizionit, tamam si një kronikan, që jo me shkrim por me vizatim humoristik e satirik konkretizoj qëndrimin tim ndaj një fenomeni, dukurie, ngjarjeje apo personazhi politik. Ndjek hap pas hapi politikën, në çdo orë të ditës. Ajo më ka pas. Dhe në mbrëmje unë zbuloj dhe veçoj ngjarjen më të rëndësishme të ditës, të cilën e gatuaj me përbërësit e artit humoristik dhe e servir në “pjatën Ngërç” të “restorantit Mapo”.

Nga “kazani i madh i gatimit” që përziejnë politikanët, karikaturistit i mjafton një lugë për të gatuar gjellën e tij humoristike. Një lugë e vetme, por ajo do të jetë më e zgjedhura, më e preferuara, më e shijshmja, se vetëm kështu ky gatim komik do të preferohet nga lexuesit e do të shijohet duke qeshur.

Çfarë do të ishit duke bërë në jetën tuaj nëse nuk do të bënit karikaturistin?

… Çfarëdolloj pune. Në çdolloj profesioni do punoja seriozisht, me pasion e profesionalizëm. Unë e respektoj dhe e dua shumë punën. Punoj me përkushtim për çdo gjë që marr përsipër. Jam i sigurt që do isha një mësues i dashur e i respektuar nga nxënësit. Ndoshta një bojaxhi i shkëlqyer e shumë i kërkuar, sepse do të punoja me çmime të arsyeshme, dhe në fund ndoshta do të isha një faturino gazmor. Për të qenë i sinqertë me veten dhe me ju, dua të përjashtoj dy profesione, që me siguri unë nuk do t’i kryeja si duhet meqë e ndjej veten të paaftë. Polic dhe llogaritar. Tek i pari nuk do të isha i pranueshëm, sepse jam tip liberal e sentimental e me siguri do të më përjashtonin menjëherë. Ndërsa për profesionin e dytë, atë të llogaritarit, nuk i përballoj dot shifrat dhe kombinimet e tyre. Tmerr!

Politikanët duhet ta ndjejnë veten shumë në siklet kur e gjejnë veten të “satirizuar” nga pena juaj, cila është përgjigjja juaj për ta?

Ah, jo! Kanë ndryshuar kohët. Edhe politikanët e kanë kuptuar që të vihesh në penën e humoristit duhet të jesh dikush. Është e vërtetë që një çast në dukje, mund t’iu vijë keq që i kritikojnë, por brenda vetes kanë një ndjenjë kënaqësie, atë të të qenit i veçantë, person VIP, që bëhet objekt i medias dhe për më tepër subjekt i një zhanri artistik siç është karikatura. Më besoni, ka edhe politikanë që kanë hatërmbetje për arsyen se janë lënë mënjanë, të braktisur e nuk përfillen nga arti i karikaturës. Për një politikan, një karikaturë është e rrezikshme, por më e rrezikshme është kur nuk ka asnjë karikaturë.

Cila ka qenë karikatura juaj e parë? A ka qenë gjithmonë politika frymëzim për ju?

Është interesante të kujtoj karikaturën time të parë të botuar në shtyp, në revistën e ushtrisë “10 korriku”, që botohej në ato vite. Karikatura e parë është vërtet një karikaturë politike. Një grusht i madh ku shkruhej “Populli”, që dërmonte komplotin e armiqve të brendshëm e të jashtëm. Ndërsa karikatura e dytë dhe e para e botuar në revistën humoristiko–satirike “Hosteni” ka qenë një dialog dashurie. Një djalë e një vajzë bisedojnë:

Djali: Unë ju dashuroj!

Vajza: Në zemrën time nuk ka vend për ty.

Djali: S’ka gjë, rri edhe në këmbë.

Mbas viteve 90’, me ardhjen e demokracisë, kur mendimi dhe shprehja e lirë ishte e sanksionuar me ligj, kryesisht jam marrë me karikaturën politike.

Duket sikur, përveç jush e ndonjë tek-tuk, nuk ka një kulturë ose shkollë të karikaturës dhe satirës në Shqipëri. Pse ndodh kjo, çfarë duhet bërë që të kultivohet tek të rinjtë?

Sot e ushtrojnë profesionin e karikaturistit shumë pak persona. Kemi mbetur si i thonë, sa gishtat e dorës. Dhe kur fillon e numëron emrat me gishtat e njërës dorë, disa gishta dalin tepër.

Një pjesë e karikaturistëve që mbetën në Shqipëri e braktisën, pasi me keqardhje arritën në konkluzionin që me këtë krijimtari nuk ka asnjë leverdi ekonomike. Ata fare pak që kanë mbetur e zhvillojnë këtë art në mënyrë periodike, sipas kërkesave të mediave ose të televizioneve. Mungesa e karikaturës në shtypin e ditës vjen edhe prej moskokëçarjes, lënies mënjanë të këtij arti nga shumë botues, drejtorë apo kryeredaktorë të gazetave, revistave etj., që, duke qenë vetë persona me aftësi të pamjaftueshme intelektuale dhe profesionale për gazetarinë, i kanë kthyer kurrizin asaj dhe nuk preferojnë ta qasin qoftë edhe në ndonjë qoshe të faqeve të tyre. Dhe, ajo që është më e dhimbshme, nuk ka as shenja tentativash për pjesëmarrje nga të rinjtë në këtë art, qofshin edhe nga ata që mbarojnë studimet në Universitetin e Arteve. Të vjetrit po largohen, të rinjtë nuk afrohen, kjo e ardhme është tepër e zymtë. Shumë dramatike për artin komik.

Pengesa për ecurinë e këtij arti vjen edhe nga buxheti financiar i limituar, i cili nuk e lejon karikaturën në faqet e shtypit, duke e cilësuar si luks. Kështu që edhe ajo hapësirë zëvendësohet me artikuj të stërzgjatur që nuk i lexon askush. Sot në shtypin shqiptar vetëm dy-tri gazeta përdorin karikaturën origjinale. Ndërkohë që një tjetër ndër to, në faqen e saj të brendshme, boton karikaturë (nëse mund të quhet e tillë) të marrë nga interneti, pa asnjë pikësynim ideor dhe artistik.

Më Shumë

Dita Botërore e Mjedisit shënohet me nxënësit dhe komunitetin në Petrovë të Prizrenit

EC Ma Ndryshe ka shënuar 5 Qershorin – Ditën Botërore të Mjedisit me një aktivitet ndërgjegjësues në bashkëpunim me komunitetin e shkollës “Lekë Dukagjini”,...

“Engjëjt” në teatrin “Bekim Fehmiu” – një rrëfim prekës për dhimbjen dhe drejtësinë e mohuar

Në Teatrin e Qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren, sot, në orën 20:00, do të shfaqet monodrama “Engjëjt”. Hyrja është falas, raporton PrizrenPress. Sipas njoftimit të...

Lajmet e Fundit