16.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Kadare, një autor që Shqipëria ka fatin t’ia dhurojë botës së letrave

Epokat, që përshkojnë librat e shkrimtarit universal Ismail Kadare, janë periudha të gjata historike, me ngjarje të mëdha e tipare të veçanta që kanë bërë kthesa të rëndësishme në jetën e kombeve dhe popujve, ndërrime kufijsh, sistemesh, luftëra të përgjakshme, rënie e ngritje, zhvillime të rëndësishme dhe fatale. Ndërsa, “Epoka Kadare” është një kthesë e rëndësishme në letërsinë tonë është një vlerë e madhe në jetët tona dhe jehonën e gjatë në epokat që do të vijnë pas. “Epoka Kadare” e treguar bukur, me një mjeshtëri, etikë dhe estetikë të jashtëzakonshme.

Na tregoi se rrymat e artit janë po ato megjithë heronjtë e tyre, antikë, mitikë, modernë, herë realistë e herë irealë, mjafton t’i kesh kuptuar drejtë burimet e tyre dhe varet në cilin burim kërkon të shuash etjen. Në burimin e së vërtetës magjike apo magjisë së vërtetë. Fjalën atë të parën, që dallon njerëzit nga njëri-tjetri, e ngriti në art superior të magjishëm, sepse në se t’i provon rastësisht ta rrokësh, kjo dëshirë vdes me ty, ose më mirë s’të lë të vdesësh. E kështu ai epokë pas epoke, na dha ne një epokë te re: “Epoka Kadare”.

Profesoresha Persida Asllani, pedagoge, studiuese, kritike, përkthyese dhe drejtore e Bibliotekës Kombëtare rrëfen rëndësinë e penës së këtij shkrimtari në letrat shqipe në një intervistë të botuar në librin “Epoka Kadare”. Libër ky që u promovua sot në nderim të 81-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare.

N.-Ju keni folur për arkeologjinë e shkrimit, një gjetje një risi aktuale dhe shumë e goditur kjo për veprën e shkrimtarit Ismail Kadare.
– Kjo shprehje mund të marrë disa kuptime. Kam dashur të trajtoj disa nga tekstet e tij, të cilat në një moment të caktuar dolën nga arkivi, për t’u ndarë dhe për t’u shijuar me publikun. Janë shkrimet e para të shkrimtarit, të cilat mbajnë edhe gjurmët eksperimentale. Por arkeologjia e shkrimit na ndihmon për të kuptuar vertikalitetin e një vepre në procesin shkrimor që është shumë i gjatë dhe nëpërmjet këtij vertikaliteti, studiuesit gjejnë gjurmë të shkrimeve të mëpasme të një autori. Por arkeologjia e shkrimit do të merrte për studiuesit një kuptim akoma më të thellë, në kuptimin e gjuhës dhe procesit të punës me gjuhën, që është proces parësor në veprën e një shkrimtari. Edhe në parathënien e librit kam dashur të josh lexuesin, duke theksuar zbulimin të fjalëve të reja. Kur lexuesi është përpara zbulimit të një fjale të re, një potenciali të ri të gjuhës, atëherë kjo tregon edhe një punë të vazhdueshme dhe shumë të rëndësishme të autorit me tekstin dhe gjuhën. Në njëfarë kuptimi është një zbulim i vazhdueshëm që lexuesi i bën veprës së autorit.

N.-Me se sfidon së shumti vepra Kadareane, me larminë e gjuhës dhe stilin apo me idetë dhe filozofinë me të cilën trajton ngjarjet dhe rrethanat në vepër.
-Është e pandashme, unë nuk mund t’i ndaj, madje për ta shprehur më mirë natyrën e pandashme të artit, mua më pëlqen një shprehje e Niçes, të cilën dua ta ndaj me ju duke e perifrazuar, siç e kam përdorur edhe gjetkë: në jetën e njerëzve krijues, ajo çka njerëzit e zakonshëm e quajnë formë, shtrohet dhe shfaqet fuqishëm si përmbajtje. Që nga ai moment, jeta jonë i ngjan një piramide të përmbysur dhe gjithçka shndërrohet në formë. Pra është e pamundur që të bësh një ndarje të tillë në veprën e artit. Dhe vepra e Kadaresë i ka të dyja këto, është një makrostrukturë e madhe me një rilexim të historisë, të identitetit dhe një qasje të re dhe krijuese me gjuhën, por edhe me format letrare, me zhanret e ndryshme, ndaj në thelb nuk do t’i ndaja dot.

N.-Gjatë studimeve tuaja ju është dashur të kontaktoni me shkrimtarin dhe si ka qenë bashkëpunimi juaj?
-Njohja me shkrimtarin ka ardhur natyrshëm në njohje dhe miqësi të përbashkëta, me diskutime dhe biseda rreth artit dhe letërsisë, përpara një kafeje apo edhe në tryezë. Këto biseda na kanë çuar drejt shkëmbimit të përshtypjeve dhe mendimeve tona rreth leximeve të letërsisë e historisë, apo vlerësimet që u kemi bërë autorëve të ndryshëm. Dhe kështu është krijuar një marrëdhënie e bukur me shkrimtarin dhe familjen e tij. Me zonjën e tij të dashur Helenën dhe vajzat. Dhe në mënyrë të natyrshme pastaj gjërat kanë shkuar drejt shkëmbimeve studimore e profesionale. Dua të pohoj se kam pasur një kënaqësi të veçantë të shkruaj parathëniet për vepra të tij edhe në botimin e veprës së plotë, edhe në librin “ Bisedë për brilantet në pasditen e dhjetorit”, dhe natyrisht ka qenë një përfshirje e imja qoftë si studiuese qoftë si lexuese e apasionuar, pse jo, nuk e ndaj dot, pasi mendimi i kritikut mbetet brenda emocioneve dhe përshtypjeve personale. Të besosh te shkrimi i parathënieve, do të thotë të nxisësh lexuesin drejt veprës.

N.-Flitet shpesh për gjuhën dhe kreativitetin e saj në veprën e shkrimtarit. Cilat janë gjuhët e vdekura të cilat ruhen shpesh brenda Gjuhës Shqipe, të përdorura nga shkrimtari Ismail Kadare. Cili është efekti i përdorimit të këtyre gjuhëve.

– Ndërkohë nga ana studimore më ka interesuar një aspekt shumë i veçantë, në veprën e Kadaresë, që shfaqet shpesh kohët e fundit, të cilin e kam quajtur “lufta e gjuhëve”. Është një titull simbolik, i cili rikthehet në disa moment të veprave, qoftë tek libri, “Kronikë në gurë”, qoftë te “Çështje të marrëzisë”. Por edhe në tregime të tjera. Autori na rrëfen duke iu kthyer kohës së gjimnazit, se si latinishtja, frëngjishtja, greqishtja e vjetër, po largohen nga programet studimore, po zbehen kulturalisht le të themi në misionin edukues të brezit të ri dhe vendin e tyre po e zë rusishtja. Për mua është një detaj i jashtëzakonshëm që tregon shumë bukur thyerjen kulturore, sepse nuk do të vinte ajo thyerje kulturore thjesht dhe vetëm nga parullat apo mungesat materiale, nga dhuna apo dënimet, por padyshim do të vinte edhe nga gjuha.

Ky është shformim në marrëdhënie me Botën. Pra shformim kulturor ndaj Botës. Për mua kjo pjesë ka qenë shumë e rëndësishme meqenëse një nga marrëdhëniet me cilësore kulturore me botën vjen nëpërmjet gjuhëve. Një nga pamjet shumë interesante për mua gjendet tek përmbledhja me tregime e novela,“ Biseda për brilantët në pasditen e dhjetorit”, ku familjarët e njerëzve të persekutuar, të burgosur dhe të internuar, madje dhe të zhdukur nëpër kampe dhe burgje, që duket se kanë lënë gjurmë, një thënie apo shprehje të gjuhës së huaj, të frëngjishtes apo latinishtes së vjetër, gjenden përpara një shprese deri atëherë të vdekur. Njerëzit e tyre të shtrenjtë që nuk i mbijetuan dot sistemit, nuk mundën dot t’u lënë si kujtim as një suvenier, as një letër, por i kanë mësuar dikujt një gjuhë, apo një shprehje të një gjuhe të huaj, që duket si mbijetesë e tyre përmes ligjërimit të tjetrit. Kjo luftë simbolike me gjuhën që Kadare e rimerr shpeshherë, për mua është një gjë e jashtëzakonshme.

N.-Si drejtuese e një institucioni tepër të rëndësishëm, cilat janë pikësynimet tuaja në lidhje me veprën e shkrimtarit tonë të përbotshëm. A keni një program për promovimin e veprave të shkrimtarit në këtë përvjetor të jetës dhe veprës së shkrimtarit tonë të madh?

-Në fakt nuk është bërë diçka e plotë për veprën e Kadaresë. Biblioteka Kombëtare në 80-vjetorin e lindjes së Kadaresë, kishte privilegjin të bënte diçka të bukur. Një ekspozitë e plotë e veprës, që nga fillimet dhe marrëdhëniet që ka pasur vetë Kadareja me shtypin, qoftë të vendit qoftë të huaj. Edhe botimet e shumta, dezertacione të shumta, që ndërmerren, mbrohen dhe botohen nëpër Botë mbi veprën e Kadaresë. Kjo ekspozitë u shoqërua me një ceremoni promovuese, por edhe me një konferencë shkencore, e cila u shndërrua në një forum, për leximet më të fundit që iu bën veprës së Kadaresë.

N.-Të gjithë lexuesit anë e kënd botës e në veçanti shqiptarët janë gëzuar rreth çmimit të akorduar nga një panair i rëndësishëm Ndërkombëtar siç është “Jeruzalem Prize”, si studiuese dhe adhuruese e veprës se Kadaresë, cila është rëndësia e këtij çmimi të madh?

Për mua nuk ka rëndësi: është një çmim i madh dhe çmim i vogël, është një vlerësim që i bëhet letërsisë shqiptare, nëpërmjet veprës së madhe të Kadaresë. Është një autor, është një dinjitet letrar, kulturor, të cilin Shqipëria e vogël, ka fatin t’ia dhurojë botës së madhe të letrave.

Mua edhe një çmim i vogël më gëzon, më bën të ndihem mirë. Përsa i përket çmimit të Jeruzalemit, Kadareja ka pasur një specifikë të veçantë ndaj botës hebreje, edhe në biseda ndjehet kjo përkujdesje dhe specifikë edhe për një personazh që ndërton. Vlen edhe për faktin se është çmimi i lirisë, por edhe për faktin se është një çmim specifik midis lexuesish, kritikësh, studiuesish të autorit, mbi atë mesazh që vepra e autorit ua përcjell. Ndaj e vlerësoj shumë këtë çmim.
Kur prezantohesha në Francë se jam nga Shqipëria, reagimi ishte “Ah…Kadare!”

N.-U bënë vite tashmë që ju studioni këtë vepër të madhe dhe keni vite bashkëpunimi me shkrimtarin, dhe s’ka se si të mos keni diçka të veçantë dhe interesante, që ju ka lënë mbresa?

-Një kujtim të veçantë që kam me Kadarenë është kur m’u kërkua nga ana e Universitetit Paris 7, në Francë, ku unë doktorohesha. Atje, përmes një projekti m’u kërkua të ftoja shkrimtarin në një takim me doktorantë dhe studentë të Universitetit Paris 7. Ne vazhdimisht ftonim shkrimtarë dhe personalitete të shquara të artit, shkencës dhe kulturës Botërore. Kadare e pranoi me kënaqësi dhe unë e mora pranë banesës së tij dhe ecëm së bashku drejt Universitetit. Isha e lumtur që po realizoja këtë event të madh kulturor. Takimi u zhvillua në një nga sallat e mëdha të Bibliotekave të Universitetit, ku ishin të pranishëm profesorë, shkencëtarë, filozofë, nobelistë të fushave të ndryshme, si në astro-fizikë, fizikë kunatike, matematikë etj., të ardhur nga degët e tjera të shumta të Universitetit dhe salla ishte mbushur plot e përplot.

Pas përshëndetjes së rastit, Kadareja më drejtohet dhe më thotë: -Persida, më the se takimi është me studentët, ku janë? Në çast përqendrohem dhe hedh sytë në sallën e mbushur plot me profesorë dhe personalitete të tjera që përmenda me lart, kërkoj me sy bashkëmoshatarët e mi, studentët, dhe i pashë në fund të sallës në këmbë, madje vazhdonin edhe më tej pas derës së hapur e në korridor. Mbaj mend se profesori që mbajti fjalën e rastit ishte shumë entuziast për ardhjen e Kadaresë sa e bëri sallën disa herë për të qeshur. Aktiviteti u kthye ne një festë të bukur që nuk do ta harroj. Takimi u përmbyll me një kolazh nga vepra e shkrimtarit Kadare dhe në fund u lexua fragmenti i fillimit dhe i fundit i veprës “Kronikë në gur”. Vlen të theksoj këtu se sa herë jam prezantuar në Francë se jam nga Shqipëria, reagimi francez ka qenë menjëherë “Ah…Kadare!”

N.-Çfarë tjetër në veprën apo jetën e shkrimtarit, përsa ju e njihni atë ju ka pëlqyer në veçanti? Sa bashkëpunues dhe vlerësues është shkrimtari me studiuesit, kolegët apo artistët e tjerë shqiptarë?

Më ka pëlqyer mënyra dhe ndjeshmëria në evidentimin e figurave të tjera të artit dhe letërsisë tonë. Si fillim ne këtë e kemi ndjerë në shkrimet për figurën e Lasgush Poradecit, siç është dhe libri “Shtërgu i fundit” apo eseja studimore për Migjenin.

Më pas ai do të vazhdojë edhe me figura dhe personalitete të tjera. Është personi i vetëm do të thoja, madje ka nxitur edhe botuesin e tij, Bujar Hudhri, të botojë të plotë veprën e Martin Camajt, si dhe ta shoqërojë me një parathënie nga pena e tij. Jam bashkëpunuese për realizimin e një albumi me veprën e piktorit Lin Delia, ku parathënia e shkrimtarit Kadare është si një fjalë bekimi për rikthimin e veprës së Lin Delisë në vendin e tij.

Një përkujdesje kjo si për autorin edhe për publikun. Një përkujdesje të veçantë ka treguar për figurën e At Zef Pllumit dhe librin e tij “ Rrno për me tregue”. Një shkrim i veçantë dhe shumë interesant është edhe libri “Kushëriri i engjëjve” kushtuar balerinit Angjelin Preljocaj, një nga tekstet më të bukura të tij, pasi është shumë vështirë të shkruash për baletin përmes revokimit të vendlindjes, traditës epike të krahinës së tij në kohën e arratisjes së prindërve etj. /KultPlus.com

Më Shumë

Moti sot: I vranët e me intervale me diell – temperaturat deri në 22 gradë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se këtë të premte parashihet të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Sipas IHMK-së,...

Ish- kandidati për kryetar të Suharekës nga PDK-ja aderon te Nisma

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka prezantuar aderimin më të ri në parti, doktor Murtez Zekolli. Në një konferencë për media të mërkurën, Limaj...

Lajmet e Fundit