10.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Kamyja ju mëson “rebelimin qytetar”!

“Njeriu i revoltuar” i Albert Kamysë është vepër e rëndësishme e filozofisë bashkohore, që mund të përshkruhet si ekzistencialiste për faktin se paraqet filozofinë e ekzistencës josistematike të bazuar në lirinë e njeriut. Eseja e botuar më 1951, shfaqet si një përgjigje e Kamysë ndaj vetes në raport me “Mitin e Sizifit”, përqendruar në temën e absurdit: absurdit, njeriu duhet t’i kundërvihet me revoltë, që t’i japë kuptim dhe ta paraqesë ekzistencën e vet si qenie njerëzore, të refuzojë gjendjen e tij.

Jo vetëm “Murtaja”, po edhe “Njeriu i revoltuar” i Kamysë duhet të rilexohet në këtë kohë pandemie, pasi përmban një mësim të rëndësishëm politik. Kundër mendimit dogmatik, disa figura të shekullit XX mishëruan guximin e pasigurisë. Autori i romanit “Murtaja” e shndërroi moderimin në etikë thelbësore për të pajtuar indinjatën dhe kthjelltësinë.

“Një imazh i vetëm, mund të vlejë një mijë fjalë”, – thonë. Është një këshillë e dobishme që gjithmonë të synoni prova përfaqësuese; aq sa është joshëse ta shtrijmë këtë këshillim në idenë që ndonjëherë (jo gjithmonë), një citim i vetëm mund të vlejë gati sa një ese e gjatë: siç është klasikja “Njeriu i revoltuar” i nobelistit, Albert Kamy. Eseja e Kamysë është një analizë e gjatë filozofike (më shumë se 300 faqe), plot konsiderata të rëndësishme historike, politike dhe letrare; dhe ia vlen të lexohet e tëra. Mirëpo, në situatën që po jetojmë (pësojmë) të gjithë sot, paragrafët e parë të “Njeriu i revoltuar” na flasin më drejtpërdrejtë:

“Çfarë është një njeri i revoltuar? Një njeri që thotë jo. Por, nëse është e vërtetë që ai kundërshton një refuzim, nuk është e vërtetë që ai thjesht dorëzohet: ai është njëherazi dikush, që, me impulsin e parë, thotë po. Ndodh që një skllav, i cili gjatë gjithë jetës nuk ka bërë asgjë tjetër, përveç se ka marrë urdhra, gjendet pëballë një urdhri që papritmas e konsideron të papranueshëm. Dhe cila është përmbajtja e “Jo”-së të tij? Ajo nënkupton, për shembull: “Kjo situatë zgjati ca si shumë” ose “Deri më tani, po; më tej, jo”, ose: “Shiko se po shkon shumë larg”, apo: “Ekziston një kufi, që nuk mund ta kapërceni”.

Me pak fjalë, kjo nuk pohon ekzistencën e një kufiri. E njëjta ide gjendet në ndjenjën e vetë rebelit, se tjetri “po e ekzagjeron”, pra ai i kapërcen caqet e të drejtës së tij dhe kalon një kufi, nga i cili lind një tjetër e drejtë që e kufizon atë. Kështu, lëvizja e revoltës mbështetet në refuzimin kategorik të një ndërhyrjeje të konsideruar të patolerueshme, po në të njëjtën kohë në sigurinë e paqartë të një ligji të mirë; më saktësisht, në ndjesinë e rebelit për të pasur “të drejtë”. Revolta shoqërohet gjithmonë nga ndjenja, se dikush, në një farë mënyre dhe në një farë mase, ka të drejtë. Kjo është arsyeja pse skllavi i revoltuar, thotë po dhe jo në të njëjtën kohë. Në çastin kur pohon kufirin, ai pohon gjithçka që ndjen dhe që dëshiron të ruajë, ashtu siç ndodhet në atë anë të kufirit. Me kokëfortësi, ai demonstron se ka diçka tek ai që është “e vlefshme”, diçka që kërkon vëmendje. Në njëfarë mënyre, ai kundërshton urdhrin që e shtyp, me një lloj të drejte për të mos u shtypur përtej asaj që ai mund të pranojë”. Përkthimi besnik zbulon forcën e përgjithshme dhe të metën e vogël të këtij fjalimi, nga një shkrimtar i madh. Në fakt, për hir të letërsisë, termi “skllav” ruhet në kuptimin origjinal, por kjo zgjedhje leksikore e Kamysë është disi e theksuar dhe pasqyron hiperbolizmin niçean që përshkon pika të ndryshme të esesë së tij. Subjekti për të cilin flasim, nuk është në të vërtetë “skllav” (një term shumë i fortë, që, në mënyrë paradoksale, rrezikon të na shpjerë në një distancë të sigurt arkeologjike), por lënda: dhe këtu jemi në zemër të bashkohësisë tonë. Subjekti që rebelohet është një figurë në procesin e formimit, një figurë embrionale: pra, në thelb nuk ka rëndësi sesa i qartë është qëllimi i rebelimit të tij. Rëndësi ka që, me këtë, rebeli ose rebelja të fillojë procesin e maturimit, që e çon drejt figurës së kompletuar të rolit shoqëror: atë të qytetarit dhe të qytetares.

 

Ndër nismat e ndryshme, pak a shumë optimiste, me të cilat përpiqemi të mos dërrmohemi nga pandemia, më e qëndrueshmja mbase do të jetë ajo për të cilën, duket se flitet më pak: domethënë, një meditim i ripërtërirë mbi problemin dhe sfidën e qytetarisë.

Eseja “Njeriu i revoltuar” ngjalli shumë polemika, madje për një kohë të gjatë krijoi një hendek të thellë, mes Kamysë dhe Sartrit.

Në ese, Kamy tregohet syçelë në raport me ideologjinë marksiste dhe zbatimin e saj në Rusinë sovjetike, si dhe më i drejtpërdrejtë dhe objektiv për zhvillimet e botës moderne.

Nobelisti dënon ideologjitë absolute. Internacionalist reformator, armiqësor ndaj ideve të revolucionit dhe dhunës, ai u dëbua nga e majta për antisovjetizëm. Teoria e revoltës mbështetet në vëllazërinë që ai përjetoi me Rezistencën./Konica.al

 

Më Shumë

Kush është 29-vjeçarja shqiptare që përplasi për vdekje vëlla e motër në Kroaci!

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Koraci dy ditë më parë, ku si pasojë e një aksidenti humbën jetën vëlla e motër, 21...

Arrestohet një burrë në Malishevë, rrahu fëmijët e tij të mitur

Në Malishevë, një burrë u arrestua, pasi ka ushtruar dhunë ndaj fëmijëve të tij të mitur. “Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas...

Lajmet e Fundit