11.1 C
Prizren
E hënë, 7 Tetor, 2024

Kandidatja për edukatore ankohet se iu mohua vendi i punës

Antigona Gashi nga Komuna e Suharekës aplikoi vitin e kaluar për edukatore në Shkollën “Ismet Jashari-Kumanova” të fshatit Temeqinë të Malishevës, por nuk u pranua edhe pse ishte kandidatja e vetme me arsim të lartë.

Gashi që ka përfunduar fakultetin në “AAB” në drejtimin Kujdesi dhe Mirëqenia për Fëmijë thotë se i është bërë padrejtësi nga Drejtoria e Arsimit në Malishevë në konkursin e fundit.

“Në intervistë në gusht 2014 morëm pjesë disa kandidate por e vetmja që i plotësonte kushtet isha unë. Dhe për këtë arsye kisha besim të plotë se do ta fitoja atë vend pune. Mirëpo fatkeqësisht Drejtoria e Arsimit në Malishevë vendosën të marrin një kandidate tjetër e cila ishte studente e po të njëjtit fakultet me mua , me gjithsejtë 12 provime të dhëna,” shpjegon Antigona Gashi.

Por Drejtori i Arsimit në Komunën e Malishevës Blerim Thaçi thotë se udhëzimet administrative nuk njohin të drejtën e studimeve në universitetet private.

“Për neve si Drejtori e Arsimit [kandidatet] kanë qenë të barabarta, pasi që udhëzimet administrative nuk njohin fakultetin e edukimit të kryer në privat, as Antigonës që ka qenë e diplomuar dhe as kundërkandidates së saj që ka qenë e regjistruar dhe ne i kemi vlerësuar të dyja me shkollë të mesme dhe komisioni ka zgjedhur kundërkandidate e Antigona Gashit,” tregon drejtori i Arsimit.

Udhëzimi Administrativ 20/2013 për Normativ mbi Kuadrin Profesional të Arsimit të Përgjithshëm, në nenin pesë ku flet për edukimin parashkollor përcakton frakultetin e edukimit si kusht për të punuar me fëmijë të moshës 3 deri në gjashtë vjet.

Por drejtimi Kujdesi dhe Mirëqenia për Fëmijë i Universitetit AAB është i akredituar deri në vitin 2019 nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.

Inspektorati i Arsimit në Gjakovë pas kërkesës së kandidates Antigona Gashi kishte dalë për inspektim në shkollën fillore “Ismet Jashari – Kumanova” në fshatin Temeqinë të Malishevës më 17 tetor 2014 për të konstatuar se Drejtoria e Arsimit kishte pranuar kandidaten e pakualifikuar dhe refuzuar Antigona Gashin me përgatitje shkollore adekuate.

Tri ditë pas inspektimit, Inspektorati anuloi vendimin për pranimin në punë të edukatores së pakualifikuar, duke urdhëruar pranimin në punë në këtë pozitë të Antigona Gashit.

Por Drejtoria e Arsimit nuk e kishte marrë seriozisht vendimin e Inspektoratit të Arsimit duke mos e zbatuar vendimin për kthimin në punë të kandidates Antigona Gashi.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Malishevës Blerim Thaçi vendimin e Inspektorati të Arsimit në Gjakovë e quan të kundërligjshëm.

“Inspektorati ka pru vendim në kundërshtim me ligjin dhe udhëzimet administrative, pasi udhëzimi nuk e njeh mësimin klasor të kryer në fakultete private dhe kjo është arsyeja pse ne nuk kemi zbatuar këtë vendim,” thotë drejtori Blerim Thaçi.

Kallxo.com ka kontaktuar edhe me Inspektorin e Arsimit, Gjergj Gojani, i cili kishte marrë vendim për kthimin e Antigona Gash, në vendin e punës, Edukatore, tha për kallxo.com se mos vendimet e Inspektoratit të Arsimit, janë në mënyrë obligative për tu zbatuar nga drejtoria e Arsimit.

“Vendimet e Inspektoratit në mënyrë obligative duhet të zbatohen nga drejtoria e Arsimit në Malishevë, pasi këto vendime janë të ekzekutueshme” tha Inspektori Gjonaj

Sipas tij, në këtë rast, Antiona Gashi, është dashur të kthehet në vendin e punës, si edukatore, pasi që kjo ka qenë e vetmja që i ka plotësuar kushtet për këtë vend pune.

Pasi që Drejtoria e Arsimit nuk ka zbatuar vendimin e Inspektoratit, Antigona Gashi, ka bërë padi në Gjykatën Themelore në Gjakovë- Dega Malishevë, për anulimin e zgjedhjes së kandidates tjetër dhe caktimin e saj në këtë vend pune.

Por, edhe sot, është duke vazhduar të punojë ende kundërkandidatja e Antigona Gashi, për të cilin Inspektorati i Arsimit, kishte dhënë që nuk i plotëson kushte për këtë vend pune.

Gjykata e Malishevës, ia ka aprovua pjesërisht padinë e Antigona Gashit duke anuluar konkursin për zgjedhjen e kandidates tjetër, ndërsa ka refuzuar padinë sa i përket caktimit të Antigona Gashi në këtë pozitë, me arsyetimin se gjykata nuk krijon marrëdhënie pune.

Drejtori i Arsimit Blerim Thaçi thotë se çdo vendim që vjen nga gjykata do të zbatohet. /Kallxo.com/

Më Shumë

27 vjet nga protestat studentore të 1 Tetorit

Sot mbushen 27 vjet nga protestat e Lëvizjes Studentore që u mbajtën më 1 tetor 1997. Ishte Lëvizja Studentore e atëhershme që organizoi protestat, të...

Ra nga ballkoni i shtëpisë, 35-vjeçarja vdes në Spitalin e Prizrenit

Një grua rreth 35 vjeçare, me inicialet D.K., ka ndërruar jetë pas rënies nga ballkoni i shtëpisë së saj në fshatin Krushic e Epërme. Rastin...

Lajmet e Fundit