23.8 C
Prizren
E hënë, 6 Maj, 2024

Kënga e Elhaida Danit, kompozitori: Kishte shkelje flagrante

Elhaida DaniDitën e djeshme Radio-Televizioni Shqiptar ka njoftuar tërheqjen e kompozitorit të këngës fituese të Festivalit nga Eurosong, duke pretenduar arsye personale. Por Aldo Shllaku shprehet se nuk kanë qenë arsyet personale që e kanë bërë të tërhiqet nga gara. Ai thotë se është rast i paprecedentë që autori të përjashtohet nga procesi i adaptimit të këngës. “Nuk më është lënë zgjidhje tjetër, veçse të dërgoj kërkesën zyrtare për të tërhequr këngën, pasi nuk mund të marr përsipër përgjegjësi profesionale, kur nuk jam vetë i angazhuar profesionalisht. Në asnjë moment nuk kam diskutuar të drejtat e RTSH-së, por i kam thënë se kur ka shkelje flagrante të të drejtave të autorit, nuk mund ta pranoj një realitet të tillë”.

Ditën e djeshme Radiotelevizioni Shqiptar ka bërë të ditur me anë të një njoftimi tërheqjen nga pjesëmarrja në Eurosong të kompozitorit të këngës fituese të Festivalit të 53-të të Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar. Sipas njoftimit zyrtar, arsyet e një tërheqjeje të tillë nga Aldo Shllaku kanë qenë personale, të cilat i ka bërë të ditura me anë të një shkrese, ku ndër të tjera ai nuk ka pranuar të kalojë të drejtat e autorit, që sipas RTSh-së, është kusht i domosdoshëm për pjesëmarrjen në Festivalin Europian të Këngës. Kjo ka bërë që këngëtarja Elhaida Dani ta përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian me një këngë të re, të kompozuar nga grupi  kosovar “ZZap’nChris”, me tekst të Sokol Marsit, e cila titullohet “I’m alive” ( Jam gjallë).

Sipas njoftimit, si këngëtarja ashtu edhe tekstshkruesi kanë nënshkruar kontratën përkatëse me RTSH-në, duke pranuar kështu kalimin e të drejtave.

Por kompozitori i këngës fituese në Festivalin e RTSH, me titullin “Diell”, rrëfen se nuk kanë qenë arsyet personale ato që e kanë shtyrë të tërhiqet, por përjashtimi që i është bërë autorit  në procesin e adaptimit të këngës. “Kërkesa zyrtare për tërheqjen e këngës është bërë më 5 shkurt,  deri në këtë vendim jo normal dhe për mua, kanë qenë në dijeni të gjitha palët e interesuara, përfshirë këtu edhe këngëtaren, edhe RTSH-në. Nuk është aspak e vërtetë që tërheqja është bërë për arsye personale”, – zbulon Shllaku, i cili shton se në këtë situatë ka pasur shkelje flagrante të të drejtave të autorit, gjë që e ka bërë kompozitorin ta tërheqë këngën e tij. “Nuk më është lënë zgjidhje tjetër, veçse të dërgoj kërkesën zyrtare për të tërhequr këngën, pasi nuk mund të marr përsipër përgjegjësi profesionale, kur nuk jam vetë i angazhuar profesionalisht. Në asnjë moment nuk kam diskutuar të drejtat e RTSH-së, por i kam thënë se kur ka shkelje flagrante të të drejtave të  autorit, nuk mund ta pranoj një realitet të tillë”, – vijon ai.

Sipas tij, është shkatërruar procesi që çon këngën drejt Eurovizionit, pasi RTSH-ja nuk ka respektuar këngën e vlerësuar me çmim të parë nga Festivali dhe juria e profesionistëve. Ai vijon duke rrëfyer se ka një ecejake nëpër dyert kompetente të institucionit në pritje për të marrë një përgjigje. Gjithashtu ai është habitur me faktin se pse kësaj here është zgjedhur Italia për përpunimin e këngës- dëshirë kjo, ka sqaruar ai, ka qenë e këngëtares Elhaida Dani- dhe është anashkaluar studioja e tij në Los Anxhelos, ku Festivali ka bashkëpunuar në dy raste më parë.

Shllaku shpjegon se ka pasur mungesë informacioni në lidhje me personin që është marrë me ndryshimet në këngë (kënga duhej shkurtuar nga 3:45 në 3 minuta, si pjesë e kushteve të Eurovizionit).

“Versioni origjinal i këngës është në faqen time në Facebook. Versioni në Tiranë ka pasur ndryshime nga ai i dërguar, deri në titull, ndryshime këto të bëra pa dijeninë time”, – shprehet Shllaku i pyetur nëse është cenuar ndjeshëm versioni origjinal i kompozuar prej tij.

Kompozitori shton se kjo ngjarje krijon një precedent të dëmshëm. “Ky është një precedent i dëmshëm për vetë Festivalin në radhë të parë. Për analogji, a mund të pranohej të ndryshohej këngëtarja apo teksti i këngës kur një këngë është fituese e një çmimi në grup? Kënga fituese është me një kompozitor, poet, orkestrues dhe këngëtar të caktuar dhe si e tillë ka fituar. Sesi vepron RTSH-ja, kjo është jashtë përgjegjësive të mia.

Çdo vend ka një procedure përzgjedhëse të caktuar, qoftë me juri profesionale apo qoftë në mënyra të tjera. Por një gjë është e pandryshueshme: procesi. Në rastin tonë kemi një festival, një juri profesionale, një fitues të çmimit të parë, të dytë e  të tretë. Gjërat janë shumë të qarta”.

Shllaku ka bashkëpunuar me RTSH-në edhe më herët me këngët “Feel The Passion”, të Aurela Gaçes, kompozuar nga Shpëtim Saraçi dhe “Suus” të kënduar nga Rona Nishliu dhe kompozuar nga Florent Boshnjaku, ku edhe ka qenë anëtar i jurisë së Festivalit. Por pas kësaj ngjarjeje të paprecedentë, siç e quan Shllaku, ku RTSH nuk ka respektuar të drejtat e tij si autor, ai shpreh mëdyshje për bashkëpunime të reja me artistë shqiptarë.

Elhaida Dani: Uroj që ky vendim të mos sjellë pakënaqësi dhe polemika

Në një postim në profilin e saj zyrtar në Facebook, këngëtarja ka bërë të ditur lajmin se do të përfaqësohet në Eurosong me një këngë të re.

Mendoj se është e drejtë t’ju komunikoj personalisht vendimin e marrë dhe më është komunikuar së fundmi. Këtë vit do të përfaqësojë Shqipërinë ne Eurovizion me një këngë tjetër, nga ajo me të cilën u shpalla fituese e Festivalit të Këngës në dhjetor të vitit të kaluar. Autori i këngës “Diell”, për arsye personale dhe të pandryshueshme, ka vendosur të tërheqë këngën e kompozuar nga ai  dhe për fat të  keq, do të jetë e pamundur të këndohet nga unë në ‘Eurovision Song Contest’ 2015’. Duke respektuar këtë zgjedhje të tijën personale dhe në dakordësi me RTSH-në, e mbi të gjitha duke respektuar rregullat e vendosura nga ESC, më është komunikuar që si fituese e Festivalit të Këngës, unë duhet të përfaqësoj vendin tim në Vjenë me një këngë të re.

Urimi dhe dëshira ime është që ky vendim i papritur, që më është bërë i ditur, të mos sjellë pakënaqësi dhe polemika. Qëllimi mbetet ai që, Shqipëria të ndahet me një rezultat sa më të  mirë dhe të gjithë do të punojmë sa më shumë për ta arritur.

Më Shumë

Gjendet një person pa shenja jete në Prizren

Një person është gjetur pa shenja jete të hënën rreth orës 06:40 në fshatin Manastirca, në Prizren. Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës...

“Guraziu” në Prizren, me 20 vjet përvojë pune në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes

Ndërmarrja “Guraziu” është specializuar në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes. Pronari, Arton Guraziu, ka një përvojë prej 20 vjetësh. Adresa e...

Lajmet e Fundit