2.6 C
Prizren
E enjte, 6 Shkurt, 2025

Këngët në ‘sirtarin’ e Malda Susurit

Ndonëse së fundi nuk është aktive në skenën muzikore, Malda Susuri mbahet mend për këngët “Heronjtë”, “Dashuri e hidhur” e “S’të kam afër”. Kësaj here, ajo vjen në Gazetën Zëri për tu bërë pjesë e rubrikës “Rrëfej përmes muzikës”, ku nuk flet për këngët e saj, por për ato që i flenë në shpirt.

Nina-Nana

Sikur të kisha mundësi, ninullën ‘Nina Nana’ do e vlerësoja me notat më të larta e me fjalët më të bukura që ekzistojnë në të gjitha gjuhet e botës.

Kjo ninullë për mua ishte përballja ime e parë me melodinë dhe muzikën, me qetësinë dhe me ëmbëlsinë që transmeton shpirti i nënës përmes zërit te saj. Për çdo fëmijë, zëri i nënës është zëri më i bukur në jetë. Sa herë e kujtoj këtë ninullë më rikthehet ajo ndjenja e bukur nostalgjike e fëmijërisë, ku

ndihesha, si asnjëherë më parë, e rrethuar me plotë siguri e dashuri të pafund. Ndoshta kjo ninullë ka një melodi shumë të thjeshtë mirëpo është shumë domethënëse jo vetëm për mua, por besoj prej secilit prej nesh. E më e bukura e kësaj ninulle është që magjia qetësuese e saj vazhdon të jetojë përgjithmonë, duke u përcjellë nga gjenerata në gjeneratë.

Ky marak, marak i shkretë

Është një ndër këngët me të preferua të miat për sa i përket këngëve të vjetra qytetare. Me një tekst shumë të këndshëm dhe të ëmbël dashurie. Kjo këngë më kujton vitet e bukura të shkollës fillore. Me kujton shoqërinë e parë dhe momentet gazmore që kalova me ta. Mbi të gjitha, kjo këngë me kujton mësuesen time, Amire Birajn, qe për mua, zë vendin si mësuesja më e mirë në botë. Kjo kënge ishte kënga që mësuesja jonë gjithmonë e zgjodhi qe ne ta këndonim në manifestimet e ndryshme.

Yesterday – The Beatles

Është një këngë e cila është dëgjuar dhe ende vazhdon të dëgjohet anë e mbanë botës. Mund të thuhet se kjo këngë është një ndër këngët më të famshme në historinë e muzikës. Për mua kjo këngë zë një vend te veçantë, sepse ishte kënga e parë të cilën unë e studiova notë për notë, pasi qe ishte një nder këngët e para që unë këndova kur u bëra pjesë e korit të Shoqërisë Kulturo-Artistike “Agimi” në Prizren.

Stop – Sam Brown

Kur dëgjova këtë kënge arrita që plotësisht të kuptoja shprehjen “Kënga të qetëson shpirtin”. Edhe pse kjo kënge ka një tekst shume prekës, është shumë i fuqishëm dhe për ketë arsye më ka inspiruar të qëndroj e fortë në shume raste të pikëlluara apo stresuese të jetës sime. Refreni vazhdimisht përmend fjalën “stop” që do te thotë “ndal”, ndërsa unë derisa dëgjoja këngën futesha në një botë tjetër dhe lutesha qe kënga mos të ndalej asnjëherë.

7 Seconds – Neneh Cherry.

Kjo këngë ka qenë shumë e pëlqyer nga motra ime Aurora, e cila e këndonte shume shpesh gjatë performancave te saj live dhe unë e dëgjoja gjithmonë pasi që gjithmonë isha prezente në lokalet ku ajo performonte. Sa herë që fillonte kjo këngë, më dukej se fytyra e Aurorës ndryshonte ngaqë e këndonte me aq pasion dhe kjo ishte më e bukura e gjithë këngës, sepse arrinte të përcillte shumë emocion në të gjithë ne që e dëgjonim teksa ajo e këndonte këtë këngë. Kështu fillova edhe unë ta adhuroja sa që shpesh herë kur shtrihesha për të fjetur e këndoja me zë pëshpëritës.

Shpresë e marrëzi – Aurela Gace

Kjo mbetet kënga më e bukur shqipe për mua. Është një këngë që ka një kompozim perfekt, tekst shumë të fuqishëm dhe sigurisht një këngë e interpretuar në mënyrë perfekte nga Aurela, të cilën unë e adhuroj shumë. Do doja të kishim më shumë këngë të tilla.

The Reason – Celine Dion

Kjo këngë ishte arsyeja që unë vendosa të filloj karrierën time si këngëtare, andaj mbetet një kënge tejet e veçantë për mua. “The Reason” ishte kënga me të cilën unë vendosa të konkurroja në garën për talente këndimi “Pop Idol”, e cila u mbajt në Prizren. Kjo këngë më kujton eksperiencën time në këtë garë e cila ishte fantastike.

In The Air Tonight – Phill Collins

Sa herë që ndodh diçka pozitive, për shembull nëse unë krijoj diçka te mirë në punë, ose marr një lajm të mirë, kjo këngë më përcjell gjithmonë. Mund të them se teksti i kësaj kënge ndoshta është pak abstrakt, sepse herë i këndon tradhtisë e herë i këndon shpresës, mirëpo në fund kënga tregon se në fund, diçka e mirë do të vijë dhe diçka e mirë mund të ndodh pas së keqes.

Here Comes The Rain Again – Joss stone

Jeta ka anët e saj pozitive si dhe negative, na përballon me momente të mira po edhe të këqija. Fatkeqësisht, shoqëria kosovare po përballet me më shumë të këqija se sa te mira. Ky shiu që përmendet në këtë këngë më jep ndjenjën e shpresës, se nuk duhet të dorëzohemi edhe në ato raste kur jemi duke kaluar momente tejet të vështira të cilat e bëjnë te pamundur që ne të jemi optimistë. Sikurse Sahara që pret shiun, edhe shoqëria jone pret të mirën prej shumë e shumë kohësh, gjithmonë duke shpresuar që të mos zhgënjehemi pas kësaj pritje të palodhshme.

One – U2

Teksti i kësaj kënge ka domethënie të madhe, sepse tregon se sa të rëndësishëm jemi secili prej nesh si qenie njerëzore. Shumë shpesh njerëzit mundohen shumë që të bëjnë më të mirën në mënyrë që të tjerët t’i duan ata, mirëpo në këtë mënyrë ata harrojnë ta duan vetveten. Harrojnë që secili nga ne jeton vetëm një jetë e cila është mjaft e shkurtër. Harrojnë apo kanë frikë të ndjekin ëndrrat dhe të zhytur në xhelozi dhe urrejtje harrojnë të duan dhe respektojnë njeri-tjetrin. Kjo këngë, sipas kuptimit tim, gjithmonë me jep mesazhin se jeta duhet jetuar ashtu siç dëshirojmë ne, duke dashur vetveten si dhe te tjerët rreth nesh.

Më Shumë

Xhavit Ukaj: Sot patëm nderin ta vizitojmë Shejh Tahirin

Kandidati për deputet nga rradhët e LDK-së, Xhavit Ukaj gjatë ditës së sotme është takuar me Shejh Tahirin. Ai u shpreh se mirëpritje në atë...

Hidhet shorti i Champions-it: City sfidon Realin

Në Nyon të Zvicrës të premten është tërhequr shorti për fazën e play-offit në Ligën e Kampionëve. Skuadrat e renditura nga pozita 9 deri në...

Lajmet e Fundit