Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se gjendja në institucionin që ka udhëhequr nuk ka qenë kurrë më keq se në këtë periudhë.
Kjo për faktin se Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka ndikim të drejtpërdrejtë në punët operacionale të drejtorit aktual të Policisë.
Sipas tij, drejtori i Policisë është dashur të shkarkohet shumë moti, duke e cilësuar alarmante arrestimin për dy muaj të 80 zyrtarëve policor.
“Qe një kohë të gjatë jam duke folur për problemet që ka Policia sidomos me drejtorin aktual dhe me ministrin Sveçla meqenëse ministri ka ndikimi të drejtpërdrejtë në punët operacionale të Policisë dhe gjendja në Polici është shumë e keqe. Drejtori i Policisë është duke shikuar vetëm se si t’i ndëshkojë policët. Mirëpo po flas që Policia e Kosovës nuk ka qenë kurrë më keq se tani edhe nga aspekti financiar i Qeverisë, por edhe nga aspekti i mbështetjes së menaxhmentit dhe drejtorit që ata t’i trajtojë në mënyrën më të mirë”.
“Të arrestohet për dy muaj gati 80 zyrtarë policor është alarm shumë i madh, i cili na bënë të gjithëve të angazhohemi ta mbështesim Policinë e Kosovës përndryshe i kemi punët shumë keq. Drejtori i Policisë është dashur të shkarkohet shumë moti. Në momentin kur ka filluar të realizojë të gjitha kërkesat e ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla. Në momentin kur ministri është bërë edhe drejtor i Policisë edhe zëvendës i Policisë edhe gjithçka në Polici atëherë pozita e drejtorit është dashur të lëshohet sa më shpejt”, tha Qalaj.
Mes tjerash, Qalaj potencoi se më së paku është duke u luftuar krimi dhe korrupsioni.
“Mund të them që më së paku është duke u luftuar krimi dhe korrupsioni. Kjo Qeveria nuk është në gjendje të udhëheqë vendin”, tha ai.
Kryetari i Komisionit për Siguri, Bekë Berisha theksoi se problemi më i madh është se po etiketohen policë si të korruptuar e më pas po lirohen, duke shtuar se kështu edhe prishet imazhi i Policisë.
Sipas tij, në aksionet e fundit pati edhe ndërhyrje e marrje meritash të Qeverisë e Ministrisë së punëve të Brendshme, por doli se hetimet kishin filluar shumë më herët, raporton EO.
Barnatorja bimore ”Bio Drini” po zgjerohet, hap pikën e re në lagjen “Bazhdarhane” të Prizrenit
“Imazhi i Policisë nuk prishet për shkak se arrestohet edhe ndonjë policë që është i korruptuar. Unë kam pasur vërejtjet e mia se nuk është dashur të arrestohen 100 policë e në fund të mbahen dhjetë prej tyre e të tjerët të etiketohen e mu liruar. Problem është se po funksionon njëfarë modeli për të marrë personin e për të etiketuar e me dal në medie se është i korruptuar pastaj pas dy jave me u liruar”.
“Kështu prishet imazhi i Policisë. Varësisht se kush i autorizon këto arrestime që është prokurori dhe është një zinxhir jo vetëm një person kompetent. Kur u arrestuan 50 policë Qeveria dhe Ministri i Punëve të Brendshme morën meritat pastaj doli që ky operacion vazhdon para dy vjetëve. Kur dështon operacioni nuk e merr përgjegjësinë askush”, tha Berisha.