17.8 C
Prizren
E mërkurë, 14 Maj, 2025

Kobra e Prizrenit që ‘kafshoi’ institucionet e rendit dhe sigurisë

Emisioni “Drejtësia në Kosovë”, sezonin e sivjetmë e nisi me një hulumtim ekskluziv që tregon se si valltarja Donjeta Kasumi e njohur me nofkën “Kallashi” dhe personat që i qëndrojnë afër asaj, po u sjellin mjaft telashe Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës së Prizrenit.

“Drejtësia në Kosovë” solli të gjeturat nga terreni që tregojnë se Donjeta Kasumi e Dibran Hoxha, i njohur si “Kobra”, përkundër faktit se kanë dhjetëra kallëzime penale po e ushtrojnë biznesin të lirë.

Siç tregoi hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”, drejtori i Policisë për Regjionin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi ka mjaft kritika për mënyrën e trajtimit të rasteve që kanë të bëjnë me Kallashin, Dibran Hoxhën dhe personat tjerë të cilët punojnë në lokalin “Kobra City”.

Krasniqi ka thënë se Donjeta Kasumi i ka të regjistruara në databazën e Policisë 40 raste, 21 prej tyre me elemente të veprave penale ndërsa Dibran Hoxha me mbi 150 raste të regjistruara.

Sado që të njohur si si recidivistë, Prokuroria dhe Gjykata po i liron edhe në rastet sikurse ai i datës 21 gusht 2015 kur persona të afërt me Kallashin u përfshinë në një rrahje ku mbetën të lënduar dy persona. Atë natë, në lokalin “Kobra City”, me pronare Donjeta Kasumin u gjetën armë dhe mjete tjera të ndaluara.

Drejtori Nexhmi Krasniqi ka treguar se Policia ka kryer shumë operacione në lokalin “Kobra City”. Sipas tij, grupi që shkojnë pas Kallashit kanë një histori të njohur kriminale për Policinë e Kosovës, por edhe për Prokurorinë dhe Gjyqësinë. Madje, sipas Krasniqit, kanë pasur takime rreth këtij grupi edhe me ndërkombëtarë si EULEX-i që është interesuar se çka është duke ndodhur.

“Ne kemi fakte që i posedojmë se i gjithë ky grup që vepron në kuadër të kësaj ombrellës si Kobra City kanë një background kriminal. Kemi person që e posedojmë me emër dhe i ka 155 raste që janë në sistemin e policisë. Dhe të gjitha këto raste janë drejtuar me kallëzime penale prokurorisë për hetime të mëtutjeshme. Mirëpo, ata janë të lirë. Zakonisht ka raste të cilat ne i konsiderojmë bukur të rënda edhe për qytetarët edhe për neve si polici dhe në fund dalin se ato kanë përfundu ose me hedhje poshtë të këtyre kallëzimeve penale ose dosje të cilat ndoshta fare nuk janë shqyrtuar”, ka deklaruar drejtori Krasniqi.

Hulumtimi i ekipit të emisionit Drejtësia në Kosovë tregoi se nga të gjitha këto raste të inicuara nga ana e Policisë ndaj Kallashit dhe Dibran Hoxhës, numri i lëndëve që kanë arritur në Gjykatë mund të numërohet në gishta.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren, Ymer Hoxha, tregoi se Dibran Hoxha dhe perona të tjerë që shoqërohen me Donjeta Kasumin i kanë 9 raste të evidentuara në këtë Gjykatë që janë gjykuar dhe dy të tjera janë në procedurë. Një rast tjetër, ai i rrahjes së 21 gushtit, ndodhet në procedurë paraprake.

“Në gjykatë nuk ka Kallashi rast, mund të ketë një rast-dy, tjetër rast nuk ka. Rasti i fundit që është përfolur shumë në media s’ka ardhur fare në gjykatë. Është interesante, këta kryesisht janë për armëmbajtje pa leje edhe një farë praktike gjyqësore që është krijuar, dikund sillen dënimet nga 800 deri në 1300 euro”, tha kryetari i Gjykatës, Ymer Hoxha.

Në anën tjetër, siç transmetoi Drejtësia në Kosovë, Sylë Hoxha, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Prizrenit thotë se secilin rast që e pranojnë nga policia, Prokuroria e trajton konform ligjit.

“Ndaj Dibran Hoxhës, në Prokurorinë Themelore janë evidentuar gjithsej 84 raste. Prej të cilave 61 kallëzime penale ndaj Dibran Hoxhës janë përfshirë në një lëndë penale e që kanë të bëjnë me trazirat e marsit të vitit 2004. Të gjitha këto raste janë pushuar hetimet pasi nuk është provuar ajo që është pretenduar në kallëzimet penale. Për këtë person në Gjykatë janë dorëzuar 11 Aktakuza, tri kallëzime penale janë hedhur poshtë dhe një lëndë tjetër është referuar në gjykatën për kundërvajtje. Aktualisht jemi duke hetuar edhe 4 kallëzime penale të cilat kanë të bëjnë me këtë person”, ka thënë kryeprokurori Sylë Hoxha.

Ai nuk i komentuar deklaratat e drejtorit të Policisë dhe as të kryetarit të Gjykatës se si në rastet që shkojnë në gjykatë për Kallashin dhe Dibran Hoxhën nuk figuron e kaluara e tyre kriminale.

Donjeta Kasumi, siç trasmetoi Drejtësia në Kosovë, nuk e dinte se në Policinë e Kosovës i ka ta regjistruara 40 raste, 21 prej tyre me elemente të veprës penale.

“Për shkak se janë gjetur disa armë punëtorit edhe vet punëtori i ka pranuar ato armë se janë të tij. S`kam qenë në dijeni a ka armë këtu, apo s`ka. Ai e ka pranuar edhe para policisë edhe para prokurorisë edhe tani ndodhet në arrest shtëpiak”, ka deklaruar Kallashi.

Ndryshe nga Kallashi, shoqëruesi i saj Dibran Hoxha, e di se ka një numër të madh të rasteve të hapura në Polici, Prokurori e në Gjykatë. Por siç tregoi për emisionin Drejtësia në Kosovë, veprat e tij nuk janë kriminale.

“Veprat të cilat i kam unë nuk kanë lidhje me krim. Janë rrahje, janë gjëra që e kam mbrojtur vendin ku punoj. Nuk kanë të bëjnë me krimin, Policia munden me deklaru, por për ta quajtur dikë kriminel duhet të kenë fakte. Por, sa i përket rrahjes së fundit, unë nuk kam qenë i përfshirë në atë rrahje, unë vetëm kam ndërhy me i nda. Unë përfundova në burg në mënyrë vullnetare”, tha Dibran Hoxha, i cili mëngjesin e 21 gushtit u arrestua pasi dyshohej se ishte përfshirë në një rrahje ku mbetën të lënduar rëndë dy persona.

Dibran Hoxha ka treguar se në lokalin Kobra City mysafir janë edhe zyrtarë shtetërorë, dhe se cilësimet e policisë se në atë lokal bëhen krime nuk qëndrojnë. Ai e drejton gishtin kah drejtori i Policisë Nexhmi Krasniqi, i cili sipas tij “ka probleme personale” me të dhe se për këtë po e shfrytëzon pozitën e tij si drejtor i policisë. Sipas tij, në Kobra City vazhdimisht kanë vizita nga ana e policisë të cilat ai i quan si të qëllimshme dhe si presion.

Por, siç transmetoi Drejtësia në Kosovë, drejtori i policisë Krasniqi thotë se gjithë atyre personave të cilët bien ndesh me ligjin u pengon prezenca e policisë, sepse është policia ajo që përballet me këta persona.

Krasniqi ka treguar se kanë bërë kërkesë edhe në Kuvendin Komunal të Prizrenit për mbylljen e lokalit Kobra City. Por për këtë nuk kanë pranuar asnjë përgjigje nga Komuna.

“Drejtësia në Kosovë” kontaktoi me zyrtarët e Drejtorisë së Inspektoratit të cilët prezantuan dokumente që dëshmonin se e kishin mbyllur lokalin “Kobra City” për shkak të papastërtisë në kuzhinë, mirëpo pasi ishin plotësuar kërkesat e Inspektoratit përsëri e kishin lejuar hapjen e tij.

Nga ana tjetër, Dibran Hoxha tha për “Drejtësia në Kosovë” se pavarësisht nga ajo që është shkruar në dokumentet e Drejtorisë së Inspektoratit, nuk mban mend që t’ia kenë mbyllur lokalin ndonjëherë. /Kallxo.com/

Më Shumë

Komuna e Prizrenit përmirëson kushtet në shkollën e Planejës

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se ka ndërmarrë veprime për përmirësimin e kushteve në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Vëllezërit Frashëri” në...

Reagimet në Prizren: Aderimet e VV-së, as nga LDK-ja, as nga Zhuri (VIDEO)

Vetëvendosje u mburr se ka marr  aktivistë të Lidhjes Demokratike në Zhur. Mirëpo, kjo po mohohet nga nëndega e kësaj partie, njofton Klan Kosova. Ata po...

Lajmet e Fundit