Në një konkurs publik të shpallur nga Komuna e Prizrenit për zyrtar të Teknologjisë dhe Informacionit, vend pune ka arritur të zë Adelina Hoxhaj, anëtare e kryesisë së rinisë së PDK-së, parti kjo e cila udhëheq me ketë komunë në krye me Ramadan Mujën.
E një nga kandidatët konkurues për këtë pozitë, Besart Osmani ankohet se i është mohuar e drejta e pranimit, pavarësisht kualifikimeve më të larta që pretendon t’i ketë se sa anëtarja e PDK-së, Hoxhaj. Ai akuzon se përzgjedhja e saj për pozitën e zyrtarës së IT-së në Komunën e Prizrenit është bërë mbi baza partiake. Ngjashëm, pohon të ketë ndodhur edhe në konkurset e më hershme që janë shpallur nga kjo komunë.
Osmani, ka bërë të ditur për “Gazeta Blic” se shkaku i parregullësive në konkursin për zyrtar të IT-së i është drejtuar me ankesë edhe Këshillit të Pavarur Mbikqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i cili e ka aprovuar si të bazuar ankesën e tij pas refuzimit të saj nga ana e Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave në Komunën e Prizrenit dhe më pas e ka shfuqizuar vendimin e komunës për pranimin anëtarës së PDK-së, Hoxhaj në konkursin e parë për këtë pozitë i cili ishte shpallur më 22 shkurt të këtij viti.
“Në Komunën e Prizrenit për zyrtare të IT-së, në konkursin e parë është pranuar një militante e PDK-së me kualifikim më të ulët shumë më të ulët se unë, me përvoj më të vogël se unë, et etj. Ankesën që kam bërë, Këshilli i Pavarur ma ka aprovuar dhe e ka anulu konkursin. I njëjti konkurs është ri hapur para një muaje, përsëri kemi hyrë në garë dhe përkundër rekomandimeve të Këshilllit të Pavarur që personi në fjalë që ishte pranuar në konkursin e parë nuk i plotësonte kriteret karshi meje, komuna edhe në konkursin e dytë e ka pranuar të njëjtin e person, duke me anashkaluar mua (edhe në baza partiake), edhe pse kam përvoj pune mbi 4 vjeçare në Komunën e Prizrenit”, ka thënë Osmani për portalin “Gazeta Blic”
Sipas KPMShCK-së, në konkursin e shpallur me datë 22.02.2017 nga Komuna e Prizrenit për pozitën e zyrtarit të IT-së ka munguar kriteri i njohurive për gjuhët e huaja si dhe nuk ishte plotësuar kushti i përfaqësimit gjinor në Komisionin Përzgjedhes.
“Gazeta Blic” ka arritur të sigurojë në mënyrë elektronike vendimin e plotë KPMShCK-së lidhur me rastin në fjalë ku janë ofruar edhe sqarime për shfuqizimin e vendimit të kësaj komune.
Për të njëjen pozitë, Komuna e Prizrenit ka rishpallur sërish konkurs me datën 24 gusht të këtij viti në të cilin është punësuar Hoxhaj, e cila shërben si anëtare e PDK-së.
Osmani, ankohet se edhe në konkursin e rishpallur nuk janë përfillur rekomandimet e KPMShCK-së, gjë për të cilat thotë të jetë shfuqizuar vendimi i Komunës së Prizrenit.
Portali “Gazeta Blic” ka kontaktuar me zyrtarin për informim në këtë komunë, Ymer Berisha por ai nuk ka qenë në gjendje që të jap një sqarim lidhur me rastin, me arsyetimin se nuk e një mirë atë dhe se ndodhet jashtë vendit.
Më pas “Gazeta Blic” ka kontaktuar me shefin Zyrës së Personelit në Komunën e Prizrenit, Isa Gashi i cili ka hedhur poshtë akuzat e Osmanit, lidhur me pranimin e kandidates Hoxhaj shkaku i orjentimit politik të saj. Ai ka angazhuar zyrtaren e Personelit Besarta Caka, që të jap një sqarim për rastin përmes postës elektronike, pasi që Gashi thotë të ketë shkuar në pushim që nga dita e hënë e kësaj jave.
Në përgjigjen elektronike që kjo zyrtare ia ka përcjellur portalit “Gazeta Blic” thuhet se në raportin e komisionit përzgjedhës të procedurës së rekrutimit për pozitën Zyrtar i Teknologjisë Informative ankuesi Besart Osmani ishte renditur i parafundit me pikë e cila sipas kësaj zyrtarje tregon gjendjen reale me dëshmi të njohurive të ankuesit.
“Në bazë të kërkesës së dt. 04.10.2017 të drejtuar në e-mail lidhur me ankesën e një prej kandidatëve për pozitën Zyrtar i Teknologjisë Informative, ju jap këtë sqarim:
Pozita Zyrtar i Teknologjisë Informative në Drejtorinë e Administratës, Komuna e Prizrenit është shpallur dhe kanë përfunduar të gjitha procedurat e rekrutimit mirëpo e njëjta procedurë është anuluar nga KPMSHCK me arsyetimin se Kolegji për shqyrtimin e ankesës ka konstatuar për këto dy lëshime procedurale:
Në formimin e komisionit nuk është plotësuar kushti i përfaqësimit gjinor (të gjithë anëtarët e komisioni kanë qenë meshkuj)
Komisioni përzgjedhës gjatë përpilimit të testit me shkrim ka bërë lëshim duke mos e përfshirë edhe pjesën lidhur me njohuritë e gjuhës angleze e cila ka qenë një ndër kushtet e konkursit, ku në këtë rast është gjuha angleze për shkak se teknologjia informative përdor terminologjinë angleze. Konkursi nuk është anuluar si rezultat i mospërmbushjes së kritereve të konkursit nga kandidatja e përzgjedhur si pandeh ankuesi, dhe dy komisionet 5 anëtarëshe edhe në konkursin e shpallur për herë të parë edhe në atë rë rishpallur kanë përzgjedhur kandidaten e njëjtë si më të suksesshme”, thuhet në përgjigjen e zyrtares Caka.
Osmani, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet sërish me ankesë Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave në Komunën e Prizrenit dhe Këshillit të Pavarur Mbikqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Në konkursin e rishpallur ai kishte arritur t’i marrë 69.7 për qind të pikëve nga testi me gojë dhe me shkrim. / Gazeta Blic/