0.3 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Komuna e Prizrenit shkel Ligjin për qasje në dokumente publike

Elmedina BaxhakuOrganizata Joqeveritare “:EC Ma Ndryshe” gjatë muajit shtator ka shqyrtuar çështjen e zbatimit të Ligjit për qasje në dokumente publike , pas ankesave që ka marrë për shkelje të vazhdueshme të këtij ligji.

Monitoruesja,Elmedina Baxhaku tha se ankesa e parë është paraqitur nga një mësimdhënës, i cili qysh në gusht të vitit të kaluar i është drejtuar autoriteteve të komunës, duke ngritur shqetësimin për uzurpimin e pronës së një shkolle nga një operator ekonomik. “Ndërsa rasti i dytë është identifikuar nga Instituti GAP që me 24 korrik 2013 nga Komuna e Prizrenit ka kërkuar qasje në Kornizën Afatmesme Buxhetore 2014-2016”, tha Baxhaku.

Në lidhje me rastin e parë, ajo vlerëson se edhe pse kërkesa e mësimdhënësit nuk shquhet për qartësi, ajo të paktën e ka merituar një përgjigje adekuate nga autoritetet komunale, pasi që kërkesa i është drejtuar Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe kryetarit të Komunës së Prizrenit.

“EC Ma Ndryshe’ ka kërkuar sqarime nga Komuna e Prizrenit në lidhje me këtë çështje. DKA ka njoftuar “EC Ma Ndryshen” me vendimin e Kuvendit të Komunës nr. 01/011-8415 të datës 4 korrik 2013, dhe me konfirmimin e Ministrisë së Administratës së Pushtetit Lokal nr. 0204-14/15 të datës 05.08.2013, në lidhje me këtë çështje, por nuk ka ofruar një sqarim nëse i është dhënë ndonjë përgjigje mësimdhënësit”, tha Bxhaku.

Neni 7, paragrafi 8, përcakton se “Institucioni publik obligohet që brenda shtatë (7) ditëve, prej kohës së regjistrimit të kërkesës, të nxjerr vendim për lejimin e qasjes në dokumentin e kërkuar ose të japë përgjigje me shkrim për të arsyetuar refuzimin e plotë apo të pjesshëm dhe informon kërkuesin për të drejtën që ai ka për parashtrimin e një kërkese për rishqyrtim. Refuzimi i kërkesës bëhet me aktvendim me shkrim për refuzim të saj”. Ndërsa neni 10 përshkruan se mos përgjigja e institucionit publik brenda afatit të caktuar konsiderohet si përgjigje negative dhe i jep të drejtë kërkuesit që të fillojë procedurën para autoriteteve tjera shtetërore.

“Kërkesa e mësimdhënësit është bërë më 7 gusht 2012. Ai thotë se nuk ka marrë përgjigje nga autoritetet komunale. Në të njëjtën kohë komuna, kërkesën e sipërpërmendur të mësimdhënësit, as që e ka regjistruar në listën e kërkesave të pranuara për vitin 2012, në të cilin dokument figuron se numri i përgjithshëm i kërkesave të pranuara është 19 dhe se qasja është lejuar në të 19 rastet”.

Parimet e përcaktuara në nenin 7 nuk janë respektuar as në rastin e Institutit GAP, që me 24 korrik 2013 nga Komuna e Prizrenit ka kërkuar qasje në Kornizën Afatmesme Buxhetore 2014-2016, por nuk ka marrë asnjë përgjigje nga ky institucion publik. “Bazuar në këto të gjetura, EC Ma Ndryshe konstaton se Komuna e Prizrenit ka dështuar në zbatimin e dispozitave të caktuara të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, në këto dy raste. Ky dështim nuk përputhet me zotimet për qeverisje transparente dhe të mirë”, tha Baxhaku./PrizrenPress.com/

Për këto arsye EC Ma Ndryshe rekomandon Komunën e Prizrenit që:

– Të merr masa adekuate për zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumentet Publike në secilin rast, pa përjashtime;

– Të informojë publikun për të drejtat e tij për qasje në dokumente zyrtare dhe mënyrën në të cilën kjo e drejtë mund të ushtrohet;

– Të ofroj ndihmë dhe këshilla për qytetarët në lidhje me hartimin e kërkesave për qasje në dokumentet publike; dhe

– Të siguroj pjesëmarrjen e angazhimin e qytetarëve me hapjen e të dhënave.

 

 

Më Shumë

Dragashi inicion procedurat për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal

Qeveria komunale e Dragashit në mbledhjen e fundit ka marrë vendim që të iniciojë procedurat e prokurimit për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal. Sipas njoftimit,...

Prokuroria e Prizrenit mban takim pune me prokurorë, gjyqtarë, policë dhe avokatë

U.D. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, me mbështetjen e OSBE-së ka organizuar tryezë diskutimi me prokurorë nga kjo prokurori, me gjyqtarë...

Lajmet e Fundit