9 C
Prizren
E mërkurë, 14 Maj, 2025

Konstrukte njerëzish të zhveshura, në kërkim të dehjes

Arbër Selmani

Muaji shkurt. 2012. Vjenë. Si kurrë më parë, më patë ardhë një hov shkrimi e një apetit për me i thurë vargjet një e nga një, me i qitë në letër e me i bo përjetë t`kalituna në një notes i cili gjendet diku në banesën time në Prishtinë. Në mos e paça harruar në banesën time në Beograd, ku jetova vitin e kaluar.

Vjena, është diçka që nuk e kap me leximin e parë. As me kapjen e parë. Prej tri netëve që pata fjetë në një hotel “fancy”, dy i pata kaluar me një trup gjerman i cili më pat japë lang jete që nuk shterret. Kur ikte, shkruaja. E para herë kjo ka qenë, kur pas seksit pata shkruejt për ndjenjën hyjnore, për kataklizmin që prapë prisja të ndodhte, për dhomën që më përthekohej në një person që me dy duar më plandoste prej nji skute n`tjetrën.

Vjena ime ka ngjashmëri me Vjenën e autorit, Artanit që ka shkruar “Çdo gjë është ftesë për dehje”, e që Vjenën e ka si përmbajtje të vogël të një novele e cila është bashkudhëtare e denjë e një lexuesi që nuk pretendon konformizëm. Dhe unë jam i tillë, që me dramën e vërtetë jam i dashuruar, me tregimin e përpiktë.

Pasi më është kërkuar të shkruaj diçka për këtë novelë, kam dashur të mos jem superior. Detyrohem të mendoj për lirinë e për seksin kur e lexoj këtë libër. Jo për lirinë e definicioneve të autorëve të mëdhenj, por atë që na ecë nëpër vena e dëshiron të dalë jashtë prej meje. Novela më jep përshtypjen se është shkruar duke u grrithë, duke dashtë me dalë gjak prej dëshirës me dalë prej konturave e ndërtimeve që i ka bërë sistemi që dëshpërimisht quhet jetë e që ne, fatmirësisht, duhet ta jetojmë. Autori i librit e ka jetuar në cepe të ndryshme të eterit, bashkë me Indritin, Martinin, Fabienën, Gijorkun, Anastasian, marioneta qëllimmira që autori i ka mishëruar në dialogje, njerëz prej mishi e gjaku që Artani na i jep si pije freskuese, mënyrën më të mirë për tu shoqëru me neve në udhëtiminin për ta lexu e shfletu dorëshkrimin.

Këta njerëz janë argumentuesit e fuqishëm të librit. Na qojnë në Napoli, Vjenë, Japoni, Kosovë. Kosova është kryefjala e secilit tekst, dhe mjafton që si lexues i përpiktë dhe mendjemprehtë ta kuptosh se libri të vardiset në secilin minut, dhe në po secilin ta krijon sensin kosovar. Kosova e librit në fjalë është kaq filozofike, e pa gjini, e pacipë dhe gjumashe, politikisht jo në binarë, saqë autori e ka ndëshkuar mirë e mirë, si disa prej kurvave që i dalin nëpër faqet e librit. Narratori i librit i ka qejf ato të shkolluarat, të mençurat, dhe jo ato lëpistret që blihen lehtë, e shpejtë.

****

“Ndonjëherë therjet e së keqes të ngjiten. Diçka nuk është në rregull me gardërobën që ke menduar ta veshësh, ke harruar të blesh pastë dhëmbësh, nuk të kujtohet ku e ke lënë çelësin, nuk punon lifti”.

Ka pak rëndësi se cili funksionon kështu, por kjo është copëz e akëcilit që i bie bingo të jetojë. Jo vetëm Martinit, një prej personazheve interesante në libër, i ndodhë te jetë i tillë, mendje-pluhur, por shumicës. Ne jemi të destinuar të jemi me komplekse e fanatizma. Por secili anojmë kah liria, rehatia, sado që asnjëra kurrë nuk do të na gëzojë. Jo derisa të jenë absolute, në përpjesëtim me konstruktin njeri.

“pastaj filluan t`i përgjonin kafshët” është një prej atyre fletëve të librit që dikur është bërë teatër. Orwelli e ka bërë para Artanit, e Artani e ka adaptua skenarin për shoqëritë e poshtra si këto tonat ku po jetojmë. Po, neve na premtohet një përkujdesje prej shtetit, por përkujdesja më e madhe shkon prej tyre, për unin e tyre.

Po, ndoshta figurativisht sot nuk dukemi si kafshë por kemi rrënjë të forta tek kafshët, e autori këtë e tregon kur personifikimet trupore të njerëzve i kthen në kafshë, në emblema morbide. Ushqim, veshmbathje, e drejtë vote, e drejtë e frymëmarrjes, standard i pranueshëm, lidership, libido, bursa studimi, imazh, reputacion, prestigj, ekuacion që prapë në fund barazohet me zero. Barazohet me “kishin filluar të lëshonin mjekër e të visheshin shkurt, duke anuar kah organizatat e kultit”. Radari i autorit ka shkuar larg sa për të qenë ngucakeq ndaj ideologjive që degradojnë.

Ja rasti i Breivikut. Shkrimtari e torturon me letërsi figurën e monsterit që mbyti 77 të rinj në një sulm të kamotshëm në Norvegji. Breiviku në novelë vjen si i humbur, djalë i mërzitshëm, “boring”, me të cilin pos për zor, se për qejf nuk do të kalohej as edhe një sekondë. Shumë njerëz janë nga ky brumë.

****

“shenja njeriu” është një prej atyre pasazheve që vjen si dyluftim me ndjenjën e djallit. Autori është secili prej nesh, në zonën tonë ma të rehatshme dhe në kolltukun ku nuk duam të na prekin.

“ti mund të m`i shohësh zakonet. Të mi njohësh nevojat. Ti mund të m`i dish hujet. Por, mos guxo të shkelësh këtej. Është zonë njeriu. E ndaluar”. Revoltë e thënë shkurt e shqip, që prapa vetes ka një aparat armatimi me të cilin personazhi mbrohet nga një ndjenjë e tretë, e huaj, anti-hedoniste.

E tillë siç është, dashuria, ose ndjenjat tjera që radhiten krahas saj dhe na bëjnë të urrehemi e duhemi, urdhërohet të qëndrojë larg prej një egoizmi simpatik. Kush prej nesh së paku njëherë ka dashur të mos zgjohet në mëngjes e ta dijë që e ka një person të cilin me automatizëm e kontrollon, ose vice versa? Kush prej nesh nuk ka dashur së paku një herë në ditë ta dijë se është i liruar prej familjes, halleve, derteve, i zhveshur prej çdo lloj dhimbjeje që i rrjedh dikujt e të merr me vete edhe ty? Mbi të gjitha, kush prej nesh nuk dëshiron ta shtypë sistemin që, kushtimisht, na shtypë neve?

“njeriu ka nevojë që të pushojë një kohë, vetë. E në vazhdimësi më ndodh ta trajtoj një temë aq intensivisht sa i ndjej kornizat e kokës të shtrënguara, dërrmohem e nuk mund të fle si duhet. Ato ditë mendoja për dashurinë dhe paranë. Mendoja se lidhja ndërmjet tyre varet nga perceptimi. Lidhja mund të jetë edhe korrelative, edhe shkakësore, edhe e paqenë”

Me dylbi të përpikta, autori pretendon se mund ta shohë Rusinë nga Storjke në Suedi. E quajnë kafshë seksuale sepse është magnet i femrave, por e kupton mirë se një grua shtatzënë është veç një grua e bukur. Ai “m a n i p u l o n”, (faqe 74) kur thotë se një grua e bukur nuk ka nevojë për oratori, nuk ka nevojë të lexojë e veshur në rrobëdishambër evropian, e as ta humbasë veten diku në mes trotuaresh. Trotuaret gjithmonë i kam urryer, më janë dukur hapësira të padenja për veturat. Në Kosovë, trotuari është koncept i lidhur me veturën, shpejtësinë, jo me take e këpucë.

Shumica e librit i jep të drejtë grave, femrave, gjinisë femërore. E lartëson në piedestal një grua të bukur, i jep atribute të pamerituara, i jep të drejtë të ushtrojë “m a n i p u l i m” mbi gjininë e kundërt. I jep të drejtë dashurisë, ndoshta. [“madje gjyshja ime i tregonte disa histori , shumë të besueshme, sipas të cilave njerëzit e ruajnë dashurinë dhe e vazhdojnë edhe duke u ringjallur”]…[“Sepse është fare e qartë se kur njeriu e do njeriun e do atë përgjithmonë”].

Emma Maday, tregimi me titull “17” në faqen “179”, është një prej atyre elaborimeve më sensuale brenda librit, ku autori me erotizëm e vendosë 17 vjeçare si kryeqendër të botës, të botës gjynahe jashtë dhe të botës mbushur brenda tij. Emma ka veshur fund të këmishë. Emma nuk duhet të ngatërrohet me një tjetër, por Emma është e re dhe bukuria e saj nuk njeh asnjë ligj të shkruar e të pashkruar, asnjë limit, kufizim, ndalesë. Emma Bovary, Emma Whoolf, Emma Austen, Emma e “Cdo gjë është ftesë për dehje” është një grackë ku autori butësisht fundoset, në këtë ujin e pangopur ku fiken dritat e mendjes së njeriut dhe krejt çka përjetohet është moment që ngërthen. Matematikë e thjeshtë, dy njerëz që përpjesëtohen.

*****

Lukasi, shoku im më i mirë nga Vjena, kishte parë mbrëmë ëndërr me tri akte. Të parën e kishte operë ku gjyshi i tij po vdiste duke zgjatur notat e gërrmazin në kupë të qiellit, të dytën një argumentim kokëfortë me shokët e tij, ndërsa fundin se thërriste dot në mendje. Akti i dytë më tërhoqi, sepse është pak a shumë si libri “Çdo gjë është ftesë për dehje”. Autori argumenton, bindës, erotik, por prapë e mbyll librin gati gati si ëndërr, ëndërr që na kërkon përgjigje neve, lexuesve, ëndërr bipolare.

Është nihilist, narratori i tekstit. Në trupin dhe mendjen e tij ndjenjat janë të gjithëpranishme. Njerëzit e rëndomtë shkruajnë shpesh mbi krimet e mëdha, mbi kafshët, apologjinë ndaj tyre, ose i përulen atyre si tendencë për ta trajtësua e për ti japë formë vuajtjes së tyre. Është mirë të jesh mbret, princ, kafshë që i merret vota e i tregohet se do të ketë mirëqenie, por nuk ka, nuk gjen implementim.

Më e pakta që mund të bësh për veten tënde, për ty që ende nuk je viktimë e ksanaksit, histaminës që shkakton lëkurë nervoze e sensitive, që ende nuk ke orar të marrësh një infuzion në dhjetë të mëngjesit, ritual i të mërkurave, për ty që mëlçia të punon mirë e nuk ke probleme me bilirubinë, novela është e paturpshme dhe të sugjeron ta përfaqësosh këtë paturpësi.

“pa turp” (faqe 195) është një kthesë në libër, që me pafytyrësi na fton të jemi monsterë, njerëz me behane por të pandalshëm. Është një nga ato faqet ku ftohesh të jesh butësisht imoral, të provosh të dalësh prej vetes, të futesh në një udhëtim, të mos jesh korb i vetes e i petkut tënd, të mos jesh gjarpër, as nënguri, as amvise e përulur, as plakë e rrokatne, as shpend mishngrënës, as bung, as smog.

Dhe ta dini se është i paturp fakti se mes teksteve të tij, autori në këtë libër na risjellë një retrospektivë të një njeriu pa strehë, i cili largësinë e ka ilacin më të mirë, e sheh veten mbështjellë me plafin e qetësisë së të udhëtuarit prej një jete në tjetrën, prej një mëngjesi në tjetrin, me mënyra të ndryshme transporti.

Shkrimtarin e kemi refugjat, i cili kërkon ujëra të reja, e që predikon edhe dukurinë e cila pak para botimit të këtij libri do të bëhej shqetësimi kryesor i Evropës “multikulturaliste”, politikave “premtuese” të Bashkimit Evropian, murit hungarez, asaj çupëlinës kameramane nga Hungaria që lexova se kërkon falje pse i vuri këmbën një burri refugjat. Që do të vërshohemi prej vetë viktimave të apatisë sonë, autori e ka treguar mirë në tregimet e shkurtra të këtij libri.

****

Absorboj brenda meje mendime për libra, sidomos shkrimtarë që i lexoj në periudha jo të mira të jetës sime. Jam një prej atyre që merr shënime, por ndoshta i destinon për kantë bërlloku për faktin se libri duhet të vuloset brenda meje, pasi ta kem lexuar, duhet të më bëhet pjesë e imja. Unë dua që edhe këtë libër, si shumë të tjerë, të mendoj se i kam përjetuar, të mendoj se janë i vetmi burim i mirë i inkuizicionit në të cilin gjendem.

“Çdo gjë është ftesë për dehje” është një memoar i plotfuqishëm, një skenë teatri, një ekspozitë e fjalëve ma shpirtnore prej nji autori të ri i cili ka ma të voglin tentim për t`u lavdërua e qenë superior. Faqet e këtij libri janë të kontaminueme me një dozë rakie, jo për tu dehur, aq sa për të qenë tabullarasë i kfjelltë në mendje, sepse është aq i thellë saqë duhet rilexuar. Rileximin, unë e bëj rrallë, dhe kur e bëj duhet të jetë libër që ka marrë vëmendjen time “a b s o l u t e”. “Çdo gjë është ftesë për dehje” është një prej atyre gazetave që përmban politikë, kulturë, sport, seks, ekonomi, turizëm, populliste si tërësi.

“Kthehem në shtëpi. Nuk mund të ha. I bëj kokoshkat vetes dhe pi verë. Mendoj gjëra të këqija. Vuaj. Dhe kënaqem duke vuajtur”.

Më Shumë

Hapet edicioni i 24-të i festivalit folklorik “Anadrinia Jehon”

Gjatë mbrëmjes së djeshme është hapur edicioni i 24-të i festivali folklorik “Anadrinia jehon”, festival ky i cili tashmë ka fituar një profil të...

Rexhaj pyetet për propozimin e Abdixhikut: Jo – nuk kemi çka ulemi, është devijim i popullit

Arbër Rexhaj i betuar si deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se subjekti që ky përfaqëson, nuk do ulet në tryezë për...

Lajmet e Fundit