13.7 C
Prizren
E shtunë, 2 Maj, 2026

Konsultime pa zgjidhje për kryetarin e Kuvendit

Kuvendi i Kosoves 7Dështimi i Kuvendit të Kosovës që në seancën e 18 shtatorit të zgjedhë kryetarin e ri, ka bërë që dy blloqet më të mëdha politike t’i vazhdojnë konsultat e ndara para vazhdimit të kësaj seance të caktuar për 2 tetor.

Gjatë javës së fundit, blloku i partive LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje ishte më aktiv në mbajtjen e takimeve. Por ky koalicion nuk ka ofruar asnjë formulë se si do të mund të kandidoj kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit, përderisa kryesuesja e seancës ka deklaruar se do ti pranoj vetëm kandidaturat që vijnë nga grupi më i madh parlamentar.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë javës në disa raste e ka përsëritur se pas dështimit të PDK-së që të marrë postin e kryetarit të Kuvendit më 18 shtator, tani koalicioni paszgjedhor duhet ta ketë të drejtën e kandidimit.

“Është e turpshme prej PDK-së dhe prej të gjithëve që janë bërë pjesë e kësaj zvarritje. Ne iu kemi thënë që edhe ky abuzim e ka një kufi. Me gjithë faktin që ne jemi të zgjedhur, jemi në institucione edhe zgjidhjen po e kërkojmë në institucione. Por, nuk mundemi pa kufi t’i presim duke e vazhduar këtë abuzim”, ka theksuar Haradinaj.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës vazhdon të mbështetet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili, sipas interpretimit të saj, i jep të drejtën të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit si grupi më i madh parlamentar.

Por, edhe PDK nuk ka dhënë ndonjë sqarim se si do t’i sigurojë 61 votat minimale. Në seancën e fundit më 18 shtator, PDK kishte arritur t’i siguronte vetëm 44 vota për kandidatin e saj.

Zyrtarët e PDK-së gjatë kësaj jave kanë qenë më të heshtur në komunikim me mediat. Përderisa kryeministri në largim dhe lideri i saj, Hashim Thaçi, përmes shkrimeve në rrjetin social Facebook, ka thënë se institucionet e reja do të formohen mbi bazën e vullnetit të shprehur në zgjedhje dhe në harmoni me Kushtetutën.

Nisur nga këto pozicione të kundërta ndërmjet dy blloqeve më të mëdha politike, analisti i Institutit për Politika Zhvillimore- KIPRED, Albert Krasniqi kishte propozuar që PDK të merrte postin e kryetarit të Kuvendit, kurse blloku LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje të riformulojnë marrëveshjen.

“Opsioni më i arsyeshëm kish me qenë që të votohet kandidati i PDK-së për kryetar të Kuvendit. Edhe ashtu kish me qenë mirë për Kosovën që ta ketë një opozitë që do ta kishte kryetarin e kuvendit karshi një qeverie me dy të tretat e votave, që është e rrezikshme sepse çdo qeveri që i ka dy të tretat mund të ketë tendencë të keqpërdorë pushtetin. Kështu që një PDK në opozitë me kryetar të Kuvendit, për Kosovën nuk kishte me qenë e dëmshme dhe do të mund të bënte një mbikëqyrje më të mirë të punës së qeverisë”, ka theksuar Krasniqi.

Për riformulimin e marrëveshjes gjatë javës kanë folur edhe zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ata u vunë në mbështetje të idesë që LDK, të merrte potin e kryeministrit duke ia lënë PDK-së atë të kryetarit të Kuvendit.

Deklaratat e tilla të disa zyrtarëve të LDK-së, lideri i saj, Isa Mustafa i ka cilësuar si personale duke ua konfirmuar partnerëve të koalicionit se LDK mbetet tek marrëveshja fillestare.

“Ne e kemi një përcaktim që e kemi rikonfirmuar në organet e LDK-së, në Këshillin e Përgjithshëm dhe në Kryesinë e LDK-së se e kemi arritur një marrëveshje dhe se ne nuk e ndryshojmë marrëveshjen çdo ditë në bazë të ideve të njerëzve. Mirëpo ne nuk e kundërshtojmë që njerëzit japin idetë e tyre. Ne do të vazhdojmë me këtë marrëveshje”, ka deklaruar Mustafa.

Bllokada i krijuar, sipas opinionistëve nuk do të mund të tejkalohet pa një rol më aktiv të faktorit ndërkombëtar. Lidhur me këtë rol, së fundit ka folur Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar.

“Ndërhyrja e jonë e vetme është rekomandimi për të gjithë që të gjejnë zgjidhje sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Zbogar. Ai i ka rikujtuar partitë politike që zgjedhjet janë mbajtur më 8 qershor, kurse institucionet e reja nuk janë formuar ende.

Tani mbetet që më 2 tetor të shihet se me çfarë skenarësh do të shkojnë në vazhdimin e seancës konstituive si PDK-ja ashtu edhe koalicioni pas zgjedhor. Mirëpo, vlerësimet e përgjithshme janë se nëse nuk ka një marrëveshje edhe mes këtyre dy blloqeve, zgjidhja do të jetë gati se e paarritshme./Rel/

Më Shumë

45 aksidente trafiku në 24 orët e fundit, afro 1.900 tiketa të shqiptuara

Policia e Kosovës ka bërë të ditur statistikat zyrtare për 24 orët e fundit, duke ofruar një pasqyrë të përgjithshme mbi gjendjen e sigurisë...

Organizata “Shqiptaria” reagon ashpër ndaj paradës ushtarake turke në Prizren

Organizata “Shqiptaria” reagon ashpër ndaj shfaqjes së një parade ushtarake nga ushtria turke në Prizren, ku janë përdorur simbole dhe elemente të epokës osmane. Në...

Lajmet e Fundit