18.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Kontestohet votimi për anëtarët e Këshillit që mbron trashëgiminë e Zymit

Fshati ZymKëshilli për fshatin Zym – që sipas ligjit përfaqëson interesat e fshatit në fushën e mbrojtjes dhe të promovimit të trashëgimisë kulturore si dhe në fushën e planifikimit hapësinor dhe rural, është kontestuar nga përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, raporton Koha.net.

Ata e kanë atakuar nenin 3 të vendimit të Kuvendit të Komunës së Prizrenit për themelimin, kompetencat dhe emërimin e Këshillit për fshatin Zym të Hasit, përkatësisht mënyrën se si është votuar për zgjedhjen e dy anëtarëve të Këshillit nga radhët e Kuvendit të Komunës. Këshilli i Zymit të Hasit ishte formuar me vendimin e KK të Prizrenit në seancën e 30 tetorit.

Bazuar në dispozitat e Ligjit për këtë fshat, ky këshill përbëhet prej 5 anëtarëve, 3 prej të cilëve zgjidhen drejtpërdrejt nga banorët e fshatit dhe 2 anëtarë zgjidhen nga Kuvendi i Komunës.

“Votimi në KK për emërimin e anëtarëve të Këshillit për fshatin Zym të Hasit nuk ka qenë i rregullt. Prandaj kërkojmë që të ketë rivotim”, ka thënë Haziz Hodaj i LDK-së, në mbledhjen e fundit të Komitetit të Politikës e Financave.

Ai ka sqaruar se ankesën e tij do t’ia adresojë Zyrës Ligjore të KK-së, në mënyrë që të mos shkohet menjëherë me kontestim në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Por kryesuesi i KK-së së Prizrenit, Kujtim Gashi, ka theksuar se nga MAPL-i nuk ka marrë asnjë vërejtje në lidhje me vendimin apo procedurën e votimit dhe se rrjedhimisht e ka nënshkruar vendimin. Gashi ka kërkuar nga Hodaj që ankesën për këtë çështje ta adresojë në MAPL.

“MAPL-i i monitoron ‘online’ seancat e Kuvendit. Po të kishte pasur diçka të parregullt besoj se do të na tërhiqnin vërejtjen. Pra, prej tyre na ka ardhur vendimi pozitiv. Meqë unë nuk i shqyrtoj ankesat, z.Hodaj mund ta shfrytëzojë të drejtën e ankesës në MAPL”, ka deklaruar Gashi.

Kuvendi i Komunës në seancën e mbajtur në muajin e kaluar me anë të votimit pati vendosur që këshilltari i PDK-së Gëzim Duraj, dhe ai i AAK-së, Bujar Nerjovaj, të përfaqësojnë Komunën e Prizrenit në këtë Këshill. Duraj pati marrë 27 vota e Nerjovaj 15. Në konkurrencë ka qenë edhe Haziz Hodaj i LDK-së, i cili pati marrë 9 vota.

Sipas informatës që kryesuesi i KK-së, Kujtim Gashi, e ka prezantuar para kuvendarëve të Prizrenit, 3 anëtarët e tjerë të Këshillit të zgjedhur nga banorët e Zymit janë Gjon Berisha, Rinor Kërhanaj dhe Jusuf Çollaku.

Ligji për fshatin Zym përkufizon se Këshilli ka të drejtë që në konsultim dhe bashkëpunim me organet kompetente të Komunës të ushtrojë autoritet të kufizuar në aktivitetet që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, por edhe të planifikimit hapësinor dhe rural.

Qëllimi i Ligjit për Zymin e Hasit është mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore të fshatit dhe promovimi i tij si lokalitet me vlera kulturore të rëndësisë lokale, shtetërore e ndërkombëtare si dhe zhvillimi i qëndrueshëm i tij.

Fshati Zym ndodhet afër maleve të Pashtrikut, rreth 20 kilometra larg Prizrenit. Nga banorët e kësaj ane konsiderohet si një qendër ku janë vënë themelet e arsimit në gjuhën shqipe dhe zhvillimit të kulturës në rajonin e Hasit.

Në bazë të shënimeve të studiuesit zymjan, Nikollë Kërhanaj, bëhet fjalë për një vend shkëmbor e guror, prandaj dhe i është dhënë emri “Su(y)mbi”, që në gjuhën latine e lituanishte do të thotë: “ngjyrë hiri ose i përhimët”, derisa në periudhën e sundimit osman është quajtur edhe “Yzym” që do të thotë rrush, e që dëshmon ekzistimin e vreshtave.

Sipas Kërhanajt, Zymi i sotëm daton nga shekulli XIV, ku gjatë shekujsh prania e Kishës dhe e klerit katolik ka luajtur rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit, por edhe shkollimin e brezave të shumtë të hasjanëve në gjuhën amtare.

Më Shumë

Dueli i tretë final mes Trepçës dhe Yllit

Trepça dhe Golden Eagle Ylli do të përballen në ndeshjen e tretë të serisë finale të play-offit në Superligën e Kosovës në basketboll. Pas dy...

Homazhe në 25-vjetorin e rënies së martirëve në Korishë

Në nderim të 25-vjetorit të rënies së martirëve të fshatit Korishë, deputeti Arbër Rexhaj, bashkë me aktivistë të Lëvizjes, bënë homazhe dhe vendosën kurora...

Lajmet e Fundit