16.8 C
Prizren
E enjte, 9 Maj, 2024

Kosova vazhdimisht po pëson fiasko në dialogun me Serbinë

Dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, i nisur me shumë pompozitet dhe pas dhjetëra takimesh në nivelin politik dhe qindra të tjerë në nivelin teknik, duket e më shumë ka sjellë efekte mediale se sa rezultate konkrete.

Ka qenë pala kosovare që vazhdimisht është ankuar se marrëveshjet e firmosura nuk po zbatohen nga pala serbe, ose edhe kur po zbatohen ato po zbatohen vetëm pjesërisht. Mirëpo, pos ankesave, pala kosovare nuk ka qenë e zonja asnjëherë që një marrëveshje të re ta kushtëzoi me vazhdimin e dialogut, ose me nënshkrimin e një marrëveshje tjetër.

Dialogu politik i Kosovës me Serbinë, i nisur në prill të vitit 2011, për një kohë të gjatë si i tillë u mbajt fshehtë nga autoritetet kosovare, duke u prezantuar para opinionit vendor vetëm si dialog teknik. Ky dialog deri më tani ka sjellë 16 marrëveshje në letër, por 12 prej tyre nuk janë zbatuar në tërësi, madje ka disa që as nuk kanë filluar së zbatuari.

Analistë dhe njohës të çështjeve politike vlerësojnë se pala kosovare në këtë dialog me pozitën e “të dëgjueshmit” para Bashkimit Evropian ka qenë ajo që vazhdimisht ka pësuar fiasko, duke mos qenë në gjendje asnjëherë që të ketë pozicionin që do të duhej ta kishte në dialog me shtetin që ishte agresor. Sipas tyre, Kosova vazhdimisht ka mbajtur anën inferiore, duke bërë vazhdimisht kompromise, thuaja se Kosova ishte agresor e jo Serbia.

Sipas tyre, nëse vazhdohet dialogu me këtë tempo ku Kosova vazhdimisht është gjetur para presionit për të lëshuar “edhe pak pe” dhe si i tillë ky dialog është i pakuptimtë dhe duhet të stopohet.

Por, një gjë të tillë nuk e ka ndërmend ta bëjë i pari i ekzekutivit, Isa Mustafa, i cili para pak ditësh, në një konferencë për media, ka thënë se dialogu me Serbinë do të vazhdojë pavarësisht sjelljes së Serbisë me marrëveshjet, por Kosova do të kërkojë nga Bashkimi Evropian që të ushtrojë presion ndaj shtetit serb për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Isa Mustafa konference

Nga 24 korriku i këtij viti do të duhej të fillonte zbatimi i marrëveshjes për lëvizje të lirë dhe sigurim të automjeteve, por thuhet se zbatimi i saj po shtyhet nga Serbia, e cila nuk paska qenë e gatshme që ta zbatojë këtë marrëveshje, me arsyetimin se ende nuk i ka kryer përgatitjet teknike rreth saj. Por njohësit e rrethanave, këtë zvarritje të Serbisë e shohin si mospajtim të saj me përmbajtjen e marrëveshjes, të cilën e ka nënshkruar për ta arritur edhe një efekt medial para faktorit ndërkombëtar, ndërsa në praktikë duket se nuk do ta zbatojë lehtë sidomos sa i përket lëvizjes së kosovarëve nëpër Serbi me targa të automjeteve RKS.

Politikologu Albinot Maloku, në një prononcim për KosovaLive, ka thënë se nuk është hera e parë që Serbia nuk i ka zbatuar marrëveshjet. Sipas tij, Serbia çdo herë ka qenë obstruksioniste dhe Maloku mendon se ky dialog duhet të stopohet.

“Stopimi i dialogut është i nevojshëm edhe për një arsye tjetër, pra që të matet konkretisht zbatushmëria e marrëveshjeve të arritura dhe mos të prodhohet dokumentacion i pazbatueshëm. Fatkeqësisht të gjitha palët, Kosova, Serbia, por edhe Bashkimi Evropian, dialogun e Brukselit nuk po e përjetojnë si historik, por thjesht rutinë të kohës.

Edhe vetë Bashkimin Evropian e kanë lodhur kompromiset me veten e vet, e lere më tentimi për të kërkuar kompromise mes palëve të procesit të Brukselit që nuk janë të barabarta në asgjë mes veti. Gjithsesi, shpresoj që mos të lejoj Federika Mogerini që Serbia të luajë me punën e saj në BE”, ka thënë Maloku.

Sipas tij, vazhdimi i një dialogu ku të arriturat e tij në letër po sfidohen e nuk po zbatohen, është i kot fund e krye dhe do të ishte e udhës që shteti i Kosovës ta kishte një qëndrim të prerë në lidhe me te.

“Dialoguesit nga pala kosovare kanë dështuar dhe do të duhej ta pranonin. Kurse ministrja për Dialog, Edita Tahiri, që marrëveshjen e fundit e cilësoj si ‘urë lidhjeje mes qytetarëve e shteteve’ dhe si e tillë marrëveshja nuk u zbatua, do të duhej të jepte dorëheqje dhe atë nga parimi. Serioziteti në punë është i ndërlidhshim me përgjegjësinë”, ka thënë Maloku.

Por i të njëjtit mendim nuk është analisti Blerim Burjani, i cili në një prononcim për KosovaLive, ka thënë se ndërprerja e dialogut me Serbinë nuk është zgjidhje, pa marrë parasysh obstruksionet që bën Serbia.

Sipas tij, ka mekanizma që do t’i obligojë palët ta zbatojnë marrëveshjet e arritura në mënyrë që ato të mos mbeten vetëm në letër.

“Marrëveshjet s’kanë alternativë ato duhet të zbatohen përndryshe Bashkimi Evropian rreth proceseve integruese mund të kushtëzojë palët në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë për të zbatuar marrëveshjet”, ka thënë Burjani.

Opozita, e cila vazhdimisht e ka kritikuar ish-kryeministrin Hashim Thaçi, se e ka futur Kosovën në rrugë pa krye kur ka pranuar dialogun me Serbinë pa kushte dhe thuaja ekskluzivisht për çështje që konsiderohen të brendshme të një shteti, me të njëjtën masë është dujke e kritikuar edhe kryeministrin aktual, Isa Mustafa, se sa përket dialogut me Serbinë po vepron njëjtë si ish-kryeministri Thaçi, duke mos pasur një agjendë të qartë dhe duke mos dhënë llogari para Kuvendit të Kosovës për këtë proces.

Partitë politike opozitare kanë kërkuar vazhdimisht që Kuvendi i Kosovës të ketë rol më të madh në këtë proces, por ka qenë qeveria ajo që vazhdimisht e ka anashkaluar Kuvendin e Kosovës dhe njësoj po ndodh edhe tani.

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje! thonë se qeverisja e kaluar, por edhe kjo e tanishmja, kanë lejuar që të bisedojnë për shumë tema që ekskluzivisht janë çështje të brendshme të Kosovës, ndërsa koncesionet që i ka bërë pala kosovare, ky subjekt politik i vë në rang të tradhtisë kombëtare.

Ilir Deda, nga Lëvizja Vetëvendosje!, thotë se dialogu i tillë, pa objektiva të qarta, nuk ka kuptim. Deputeti Deda ka qenë kritikues i ashpër i Qeverisë së Kosovës për marrëveshjet me Serbinë, duke konsideruar se Kosova në shumë nga këto marrëveshje e ka shkelur sovranitetin. Në disa seanca të Kuvendit të Kosovës ai ka thënë se në këto bisedime Kosova po humbet, e Serbia po fiton./Kosovalive.com/

Më Shumë

Paraqitet në stacionin policor në Rahovec, policja e raportuar si e zhdukur

Policja e raportuar si e zhdukur është paraqitur në stacionin policor në Rahovec. Këtë për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë në rajonin e...

Dopingu te Pogba, gjenden shkaqet

Kompania “10X Health Systems”, me qendër në Shtetet e Bashkuara, qëndron pas pozitivitetit të dopingut që preku futbollistin e Juventus-it, Paul Pogba vitin e...

Lajmet e Fundit