19.6 C
Prizren
E shtunë, 6 Shtator, 2025

Kosovarët s’i kanë faj Edi Ramës për dështimin

Nuk kanë faj turistët nga Kosova apo shqiptarët e Maqedonisë e diasporës për ndotjen e bregdetit shqiptar, siç i akuzon kryeministri i Shqipërisë. Shteti ka dështuar të krijojë sistem funksional për menaxhim mbeturinash. Kot etiketohen dhe akuzohen shqiptarët e rajonit, të cilët ndër vite e kanë mbajtur gjallë turizmin atje. Ata nuk kanë faj pse Edi Ramës i ka dështuar “turizmi elitar”.

 

Imer Mushkolaj

Këtë verë, plazhet e Shqipërisë nuk patën tollovi si vitet e kaluara. Sipas raportimeve, 140 mijë turistë më pak nga Kosova kanë hyrë në Shqipëri, duke dhënë një sinjal të fortë se diçka nuk është në rregull me industrinë e turizmit atje. Në vitet e kaluara, prania e kosovarëve në brigjet shqiptare ishte aq e madhe, sa shpesh krijohej përshtypja se po bëhej një lloj “migrimi sezonal” nga Prishtina e Prizreni drejt Durrësit, Vlorës, Sarandës apo Shëngjinit. Por këtë herë, lëvizja ka marrë drejtim tjetër.

Shqipëria kishte shpallur ambicien për të kaluar nga turizmi masiv në atë elitar. Kryeministri Edi Rama e kishte promovuar këtë si një strategji të re zhvillimore, duke e parë si mënyrë për të rritur të ardhurat dhe për të krijuar një imazh ndryshe të vendit. Në teori, kjo mund të tingëllojë si vizion i guximshëm. Por në praktikë, rezultati i kësaj qasjeje duket të ketë dalë siç është pritur. Shqipëria nuk ka arritur ta tërheq “turistin elitar” dhe ndërkohë ka filluar të humbë “turistin masiv”, pra atë që i ka dhënë jetë bregdetit vit pas viti.

Çmimet e larta konsiderohen një nga arsyet kryesore pse kosovarët u larguan nga plazhet shqiptare. Një drekë e zakonshme familjare, që disa vite më parë dukej e përballueshme, këtë verë u shndërrua në luks. Shërbimi shpesh mbeti i njëjtë, cilësia e ushqimit nuk njohu përmirësim, pastërtia mbeti problem, por fatura u dyfishua. Nëse një familje mesatare nga Kosova ka mundur të kalojë pushimet në Shqipëri deri para pak kohësh, këtë verë shumë prej tyre zgjodhën alternativa më të lira dhe më cilësore.

Greqia u shndërrua në destinacionin e preferuar për shumë kosovarë. Aty, çmimet janë shpesh më të arsyeshme, shërbimi më profesional, pastërtia në nivele tjetër dhe, mbi të gjitha, mungon arroganca që shpesh karakterizon shërbimin në plazhet shqiptare. Kjo zgjedhje nuk ishte vetëm çështje financiare, por edhe përvojash personale të mbledhura ndër vite. Turisti kosovar e ka kuptuar se nuk është e thënë të “detyrohet” të shkojë në Shqipëri vetëm për shkak të afërsisë gjeografike apo të “lidhjeve shpirtërore”.

 

* * *

 

Në vend që të reflektonte mbi këtë situatë, kryeministri Rama zgjodhi të fajësojë “shqipfolësit” për ndotjen e plazheve. Ky është një diskurs i rrezikshëm dhe përjashtues. Të akuzosh kosovarët, apo shqiptarët e Maqedonisë e diasporës, për mbeturinat në bregdet, është një formë e re e fajësimit të viktimës. Për dekada me radhë Shqipëria ka përfituar nga turizmi i bashkëkombësve. Shumë biznese buzë detit ekzistojnë falë tyre. Dhe tani, kur këta turistë fillojnë të largohen, përgjigjja është etiketimi dhe akuzimi.

Në fakt, problemet e ndotjes nuk lidhen me origjinën e turistëve, por me mungesën e infrastrukturës dhe menaxhimit. Nuk është turisti ai që duhet të mbledhë mbeturinat në plazh, por qyteti që duhet të ketë një sistem funksional pastrimi. Nuk është turisti ai që duhet të ndërtojë impiante për trajtimin e ujërave të zeza, por shteti që ka marrë përsipër ta bëjë këtë. Prandaj, hedhja e fajit mbi “shqipfolësit” është një manovër politike për të fshehur dështimin në menaxhimin e turizmit.

Shqipëria duhet të zgjedhë: ose të mbetet në rrugën e marketingut të bukur por bosh për turizëm “elitar” që nuk po vjen, ose të krijojë një model të qëndrueshëm turizmi që respekton edhe turistin masiv, duke ofruar çmime të arsyeshme, shërbim korrekt dhe pastërti. Nëse ky reflektim nuk bëhet, atëherë çdo verë do të kemi shifra të reja rënieje, jo vetëm nga Kosova, por edhe nga vende të tjera.

Kosovarët nuk kanë më komplekse kur bëhet fjalë për pushime. Nëse dikur ekzistonte një lloj sentimentalizmi që i shtynte të shkonin në Shqipëri pavarësisht problemeve, sot ata nuk e kanë të njëjtë këtë “ndjenjë të detyrimit”. Ata kanë kuptuar se mund të gjejnë mikpritje më të mirë e më të lirë në vende të tjera.

Turizmi nuk është vetëm ekonomi, por edhe marrëdhënie shoqërore e kombëtare. Nëse Shqipëria nuk e kupton këtë, atëherë do të vazhdojë të humbë jo vetëm turistë, por edhe besimin e një publiku që dikur e konsideronte bregdetin shqiptar si shtëpinë e vet të dytë./ Dukagjini.com

Më Shumë

Me kërkesë të avokatit ndërpritet gjykimi në rastin “Kobra”

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këtë të premte, me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Dibran Hoxha, avokatit Florent Latifaj, është ndërprerë gjykimi në...

Subvencionimi i teksteve shkollore vazhdon, prindërit të pakënaqur

Nesër fillon procesi mësimor në të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar. Ndërkohë ka vazhduar procesi për subvencionimin e teksteve shkollore dhe...

Lajmet e Fundit