3.6 C
Prizren
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Kristo Frashëri: Aleks Buda, refuzoi propozimet e Enverit për detyra politike

Aleks BudaProfesor Aleks Buda, kryetari i parë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, është padyshim historiani më erudit dhe më i kompletuar që pati Shqipëria gjatë shek. XX. Ai u shqua në mënyrë të veçantë si dijetar i sintezave historike, si analist i ngjarjeve të mëdha të historisë së shqiptarëve, të cilat i vëzhgoi nga optika e filozofisë së historisë. Merita e tij kryesore si shkencëtar, është trajtimi i ngjarjeve të historisë së Shqipërisë nga metodologjia shkencore, sipas së cilës ngjarjet historike mund të interpretohen drejtë nëse zbatohen dy kriteret hegeliane. E para, historiani duhet të mbështetet jo vetëm në kronikën e ngjarjeve, por edhe në faktorët e shkencave të ndryshme shoqërore, të dukshme dhe të padukshme, siç janë, sipas rastit, objektet arkeologjike, prodhimtaria letrare, faktorët ekonomikë, ndërtesat e kultit, banesat qytetare, lëvizjet shoqërore, mendimet filozofike, normat kanunore, korpuset legjislative të kohës që historiani studion. E dyta, historiani duhet të hetojë edhe ndërlidhjen e ngjarjeve historike të një epoke me fenomenet historike të epokës së mëparshme, mbasi vetëm kështu mund të arrihet në vlerësimin e tyre të saktë.

Kush e ka njohur nga afër profesorin e nderuar dhe kush është përpjekur të ecë në gjurmët e tij, ka vënë re se ai mundohej të përvetësonte rezultatet që kishin nxjerrë në fushën e studimeve shqiptare të të gjitha epokave të gjitha shkencat shoqërore. Dëshmi janë temat që ai ka trajtuar, të cilat u përkasin periudhave të ndryshme të historisë që nga agimi i historisë e deri në kohët moderne.
Pikënisje e këtij koncepti metodologjik mbi trajtimin e historisë u bë edukimi i tij arsimor dhe kulturor në periudhën midis dy luftave botërore. Kalimi nga shkolla fillore shqipe e Elbasanit në shkollën unike italiane të Leçes, vazhdimi i mëtejshëm në gjimnazin austriak të Salzburgut dhe vitet universitare në Vjenën e kulturuar, e pajisën profesorin me një bagazh kulturor si klasik aq edhe modern. Nga ky cikël arsimor, fillorja e Elbasanit i dha atij dashurinë për gjuhën amtare dhe për atdheun e tij. Kultura austriake dhe shkolla e Vjenës, si hallka e fundit e ciklit arsimor, e pajisën atë me parametrat kulturore më përparimtare të kulturës botërore. Në Vjenë, Aleks Buda përvetësoi pikëpamje të majta, ashtu siç qenë njerëzit më të shquar në mbarë botën në periudhën midis dy luftave botërore. U bë jo komunist bolshevik, por i majtë demokrat, ashtu siç kultivohej në Perëndim. Në thelb, Aleks Buda mbeti deri në fund ndaj atdheut një militant patriot shqiptar dhe ndaj shoqërisë një mendimtar i majtë demokrat.

Kur Shqipëria u pushtua nga okupatorët nazifashistë italianë dhe gjermanë ai u reshtua në Frontin Antifashist Nacional-Çlirimtar. Këtë rreshtim ai e zgjodhi nga bindja se okupacionet nazifashiste ishin përdhunime që i bëheshin pavarësisë kombëtare të Shqipërisë. Veç kësaj, ai ndjeu për detyrë të jepte si shqiptar kontributin e vet për rivendosjen e Pavarësisë Kombëtare.

Vendosja e pushtetit komunist e gjeti prof. Aleks Budën 35-vjeçar, pra të formuar dhe të kompletuar tërësisht nga pikëpamja ideologjike dhe politike si një demokrat i majtë. Megjithatë, ai e gjykoi regjimin jo nga këndi i diktaturës, por si një pushtet që mbronte pavarësinë e atdheut. Për këtë arsye, si shumë demokratë të tjerë, ndonëse u pajtua me diktaturën komuniste, ai qëndroi larg radhëve të partisë së saj. Enver Hoxha, i cili e pati për disa kohë koleg në Liceun e Korçës, kishte një konsideratë të veçantë për të si njeri i kulturuar. Aleksi e ndiente për detyrë t’i shërbente vendit vetëm në fushën e arsimit dhe kulturës shqiptare. Kur në konferencën e frontit që u mbajt në Berat, në nëntor 1944, E. Hoxha i propozoi A. Budës funksione politike në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës, ai refuzoi. I tha se ishte i gatshëm të merrte përsipër detyrën e Bibliotekës Kombëtare. Edhe më vonë, ai nuk pranoi asnjëherë detyra të karakterit politik.
*
Veprimtarinë shkencore në fushën e historiografisë Aleks Buda e nisi në fillim të vitit 1949. Në atë kohë sapo kishte përfunduar punimet Kongresi I i Partisë Komuniste Shqiptare. Kongresi i kishte nxjerrë jashtë raundit disa funksionarë të saj, ndonjëri nga të cilët ishte përpjekur të denigronte personalitetin historik të Skënderbeut. Duke u kapur nga prapashtesa -Bej që mbante emri Skënder i Heroit, pra Skënder-bej, titull i cili në shek. XV në të vërtetë kishte kuptimin e gjeneralit, ata e trajtonin atë si bej në kuptimin që kishte në atë kohë, pra si pronar çifligar. Si rrjedhim, ata e konsideronin Skënderbeun si përfaqësues të bejlerëve çifligarë, të cilët në ato vite goditeshin me egërsinë e xhunglës. Për të ndriçuar portretin e vërtetë historik të Skënderbeut, prof. Aleks Buda në atë kohë shef i seksionit të Historisë në Institutin e Shkencave të krijuar dy vjet më parë, shfrytëzoi 17 janarin 1949, përvjetorin ndonëse jo jubilar të vdekjes së Heroit.
Atë ditë u thirr një konferencë e posaçme as partiake, as shtetërore, por personale e Aleks Budës, kushtuar figurës së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ishte konferenca e parë në Tiranë, por edhe në Shqipëri me temë historike, që mbahej vetëm nga një konferencier. Mund të thuhet se qe një eveniment. Konferenca u mbajt në sallën e Teatrit Popullor. Salla qe e mbushur plot. Ajo u ndoq me vëmendje jashtëzakonisht të veçantë për shkak të kryetemës kushtuar Heroit Kombëtar të shqiptarëve.
Në referatin e vet Aleks Buda e vlerësoi lart figurën e Gjergj Kastriotit dhe vendin që ai zë në historinë e Shqipërisë. Ai e filloi referatin me këto fjalë:

“Fytyra e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, përkujtimit të të cilit i është kushtuar kjo ditë, zë një vend të shquar në historinë e popullit tonë, mund të themi në historinë e Evropës. Siç është e jashtëzakonshme jeta e tij – e çuditshme dhe e jashtëzakonshme është edhe historia e famës së tij. Në mos tjetër e dëshmon një bibliografi e pasur qindra e qindra vëllimesh prej vitit 1500 gjer në ditët tona, ku kanë hedhur mbi kartë qindra e qindra historianë, politikanë, poetë, ushtarakë nga viset e kohët më të largëta e më të afërta entuziasmin, admirimin, nganjëherë dyshimin e tyre skeptik – që u zgjon figura e këtij njeriu të madh që doli nga gjiri i një populli të vogël, që luftoi në një vend të vogël dhe pa përshkuar distanca të largëta, bëri vepra aq të mëdha e të lavdishme, sa që është e madhe, e lavdishme lufta e një populli që lufton për të thyer vargonjtë e robërisë, për të mbrojtur lirinë, pavarësinë e jetës e të tokës së vet”.

Duke folur mbi premisat, të cilat duhet të ketë parasysh historiani kur vlerëson një figurë historike, ai sqaroi:
“Madhësia e një figure, e një lëvizjeje, e një ideje nuk mund të matet vetëm me numrin e vëllimeve, me sasinë e kartës që ështe shkruar për të. Matësi më i mirë dhe më i sigurtë për të gjykuar është konstatimi nëse një figurë, një lëvizje, një ide rron, vepron akoma, ngjall fuqi të reja në zemrat e njerëzve të shtypur, për të përmbysur situata të kalbura, për të shembur robërinë, sepse këtë mund ta bëjë vetëm një ide e madhe përparimtare që ndihmon procesin historik të eci përpara…”. Më tej ai shtonte: “Matësi më i sigurtë është konstatimi nëse vepra që nis një personalitet historik, qoftë edhe nëse mbetet përgjysmë, qoftë edhe nëse rrethanat e vështira nuk e lejojnë të realizohet, megjithatë është një nevojë historike që më vonë do të realizohet medoemos”.

Duke ngulur këmbë mbi kriteret që duhen patur parasysh kur trajtohet një figurë historike, profesor Aleks Buda theksonte më tej: “Figurë e madhe është çdo nismëtar që parasheh dhe fillon të realizojë, që kontribuon mbrojtjen e asaj që akoma s’është, por që po përgatitet, që duhet dhe që do të vijë”.

Në këtë referat tashmë të mbuluar nga pluhuri i kohës – themi nga pluhuri i kohës, mbasi nuk dimë përse redaktorët e kanë lënë jashtë katër vëllimeve botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, ku janë përfshirë “Shkrimet historike” të Aleks Budës – profesori ynë i nderuar nënvizonte se vepra kryesore e Skënderbeut qëndronte te fakti se lufta e tij heroike mbajti gjallë frymën e rezistencës kombëtare për pesë shekuj, derisa u realizua plotësisht më 28 Nëntor 1912.

Aleks Buda vuri në dukje dy tendencat kontradiktore midis tyre që përshkojnë bibliografinë e pasur skënderbegiane. Njëra karakterizohet nga prirja për ta ngritur lart veprën e Skënderbeut, tjetra për ta ulur poshtë personalitetin e tij. Si shembull të vlerësimeve negative për Skënderbeun profesori sillte tre autorë: i pari historiani gjerman George Voigt, i cili shihte te Skënderbeu një kryetar mjeran hajdutësh që paguhej prej Perëndimit për të luftuar turkun; i dyti historiani rumun Nikolla Jorga, i cili e shihte Skënderbeun si një kapedan që ndihmohej nga venedikasit, mbrohej nga napoletanët dhe nxitej nga hungarezët; rastin e tretë ai e përgjithësonte me historianët jugosllavë, të cilët gjithashtu janë përpjekur ta zhvlerësonin veprën historike të Skënderbeut. Profesori nuk pajtohej jo vetëm me kritizerët e Heroit, por as me apologjetët e tij, disa nga të cilët, nënvizonte ai, e ngrenë Heroin në shkallën e legjendës, disa të tjerë e shndërrojnë atë në mit. Vepra e Skënderbeut, mendonte profesori, duhet gjykuar vetëm duke u mbështetur në burimet historike dokumentare dhe vetëm nëse ato burime shpjegohen dhe analizohen me objektivitet shkencor.

Thelbin e referatit që prof. Aleks Buda mbajti më 17 janar 1949, pra që në shfaqjen e tij të parë si historian para publikut shqiptar, nuk e përbën vetëm vlerësimi dhe gjykimi i tij i drejtë mbi veprën e Heroit të shekullit XV, por ca më tepër kriteret metodologjike që duhet të zbatojë historiani kur trajton një personalitet, një ngjarje, një periudhë historike. Në referatin e përmendur, profesori i dha një vlerë të veçantë ndriçimit të kushteve ekonomike dhe marrëdhënieve shoqërore, të cilat sipas tij, përbëjnë bazën, burimin dhe shpjegimin e madhështisë së luftave të Skënderbeut. Pa ndriçuar këto probleme është vështirë të bindesh për saktësinë e fitoreve ushtarake që korri Skënderbeu. Në një kohë kur në vendet e tjera të Gadishullit Ballkanik, nënvizonte prof. Aleks Buda, lulëzonin marrëdhëniet feudale dhe mbizotëronte bujkrobëria, në Shqipëri nuk kishte depërtuar kudo gangrena feudale. Këtu mbizotëronte fshatarësia e lirë. Mbizotëronte jo bujaria feudale, por bujaria fisnore.

Në shek. XV, në kohën e vërshimit të invazorëve osmanë, shteti i tyre ndodhej ende në fazën e feudalizmit ushtarak. Kjo do të thotë se ato ende nuk e njihnin bujkrobërinë e fshatarëve. Si rrjedhim, për bujkrobërit e Ballkanit timari feudal-ushtarak turk sillte një farë lehtësimi nga pikëpamja ekonomike e shoqërore, mbasi i njihte fshatarit pronësinë dhe ekonominë individuale. Kjo është arsyeja, nënvizonte prof. A. Buda, përse fshatarët në disa vende të Ballkanit nuk iu kundërvunë invazionit osman, madje sipas një kronike mesjetare, vinin pas tyre me kënaqësi (lo seguivano col piacer). Përkundrazi, fshatarët e lirë shqiptarë, të cilët përbënin shumicën e popullsisë – meqenëse qytetet kryesore të vendit ndodheshin nën zotërimin e Venedikut – shihnin te invazori osman jo vetëm shtypjen kombëtare, por edhe robërimin shoqëror. Për këtë arsye, nënvizonte profesori, fshatarët e lirë së bashku me bujarinë fisnore u ngritën si vullkan për të mbrojtur lirinë e tyre.

A. Buda u rikthye te vlerësimi i figurës së Skënderbeut dhe dy vjet më vonë. Rastin e dha botimi nga Fan Noli më 1947 në Neë York i disertacionit në anglisht mbi Gergj Kastriot Skënderbeun, i cili arriti në Shqipëri me pak vonesë. A. Buda u entuziasmua në vija të përgjithshme me përmbajtjen e tij. Kjo për arsye se Fan Noli kishte bërë para tij orvatje për të ndriçuar bazën shoqërore të epopesë së shekullit XV. Në një recension që A. Buda botoi në “Buletinin e Institutit të Shkencave” më 1951, vlerësoi kontributin që sillte Noli në historiografinë skënderbegiane. Meritë të veçantë patën, sipas nënvizimit të A. Budës, argumentet dokumentare që sillte Fan Noli për të provuar, në kundërshtim me skepticizmin e shfaqur nga disa historianë të huaj, se fitoret ushtarake që Skënderbeu kishte korrur ndaj sulltanëve turq nuk ishin tregime legjendare, por fakte të vërteta historike; e dyta, se Noli sillte argumente serioze historike që vërtetonin se Skënderbeu nuk ishte si mendonin disa historianë skeptikë, kapedan çetash kryengritësish, por kryetar i një shteti të pavarur; e treta, se Skënderbeu kishte zhvilluar marrëdhënie diplomatike me disa nga shtetet kryesore të kohës së tij, pra ishte njohur si kryetar shteti edhe në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, A. Buda pati edhe tri vërejtje ndaj monografisë së peshkopit shqiptar të Amerikës. E para, nuk u pajtua me tezën e tij se Skënderbeu nuk kishte vajtur peng në oborrin e sulltanit. E dyta, se Noli nuk duhej të mbështetej te vepra e G. M. Biemmi-t, i cili nënvizonte A. Buda, ishte një falsifikator; e treta, se baza shoqërore e epopesë së shek. XV, siç e kishte trajtuar Noli, kishte nevojë të rishikohej. Tri vërejtjet e profesorit u trajtuan me një urtësi kulturore dhe me një logjikë shkencore që la përshtypje të thellë.

Pavarësisht se argumentet që solli prof. Aleks Buda mund të jenë të diskutueshme, po aq të diskutueshme sa dhe ato të Fan Nolit, vetë stili i debatit tregoi rrugën që duhej të ndiqnin historianët dhe dijetarët e Shqipërisë komuniste, krejt ndryshe nga debatet që bënin gazetarët dhe aktivistët partiakë për çështje politike.
*
Me gjithë vështirësitë e krijuara për historianët nga presioni ideologjik-politik i Partisë së Punës, qarqet shkencore përsëri gjenin shtigje për të krijuar hapësirë për liri debati dhe diskutimi, natyrisht brenda kufijve politikë, kapërcimi i të cilave ishte ndaluar rreptësisht nga diktatura. Profesor Aleks Buda ishte mjeshtër i shtigjeve. Në shtatorin e vitit 1952, u organizua nga Instituti i Shkencave në Tiranë, një konferencë shkencore – e para konferencë shkencore e organizuar nga vetë shqiptarët. Konferenca kishte dy tema, secila me disa seanca. Tema e parë “Formimi i kombit shqiptar”, tema e dytë “Fillimet e lëvizjes kombëtare shqiptare”. Organizatori i konferencës ishte profesor Aleks Buda. Si një mjek që mat pulsin e të sëmurit, edhe Aleks Buda diti të maste pulsin e situatës. Se si e se qysh veproi profesori nuk u mor vesh asnjëherë, por kur pjesëmarrësit hynë në sallën e madhe të Bibliotekës Kombëtare – në sallën e ndërtesës së vjetër – në murin përballë, prapa presidiumit ishte shkruar me gërma të mëdha parulla: “ASNJË SHKENCË NUK MUNT TË ZHVILLOHET DHE TË PËRPAROJË PA LUFTË MENDIMESH DHE PA LIRI KRITIKE”. Nën parullë emri – STALIN”.
Parulla ishte një ftesë me dy adresa. Njëra ftonte pjesëmarrësit të diskutonin pa frikë se liria e debatit ishte e garantuar. Tjetra u drejtohej partiakëve vigjilentë të mos i kundërviheshin Stalinit.

Kriteret shkencore hegeliane Aleks Buda i shtriu në temat e tjera dhe në periudhat e ndryshme të Historisë së Shqipërisë. Kështu për shembull, në Kuvendin I të Studimeve Ilire në vitin 1972 ai shtroi si detyrë studimin e lidhjeve gjenetike shqiptaro-ilire jo me frazeologji romantike, as me citate klasike, por me argumente të disa disiplinave shkencore-historike, arkeologjike, gjuhësore, etnografike e antropologjike – të ndërlidhura dhe të ndërvarura midis tyre. Në të njëjtën kohë, ai porositi që studimi i ilirëve të mos ngushtohej vetëm me procesin e vetë ilirëve, por të shihej më gjerë. Më “gjerë” do të thotë që historia e ilirëve të shihej ashtu siç e kishte theksuar më 1774 themeluesi i ilirologjisë Johan Thunmann, edhe nga një këndvështrim më i gjerë, si popullsi që morën pjesë në proceset themelore shoqërore e kulturore, në ngjarjet kryesore politike që përshkuan botën antike të Mesdheut. Prof. Aleks Buda theksonte tekstualisht: “Thelbin e këtij kompleksi shkencor e përbëjnë çështje të tilla të rëndësishme si ajo e kulturës më të lashtë të Ilirisë e të bartësve të saj; problemi i prejardhjes së ilirëve dhe i gjuhës; i organizimit eknomik, shoqëror e politik të tyre; i vendit që mbanin ilirët në botën antike; më në fund, studimi i premisave që ata krijuan për historinë mesjetare e të re të Gadishullit Ballkanik”.

Një nga problemet të cilit prof. A. Buda i kushtoi kujdes ishte dhe çështja e formimit të popullit shqiptar, e gjuhës dhe e kulturës së tij. Fillimisht këtë problem ai e trajtoi në një referat që ai mbajti në Ankara në gusht 1979 në Kongresin IV të Shoqatës së Studimeve për Evropën Juglindore (AIESEE). Në takimin e Ankarasë ai pohoi se etnogjeneza e shqiptarëve, formimi i kombësisë shqiptare mbi një bazë etnike të lashtë, me gjuhën e kulturën e vet, përbën një nga problemet qendrore të shkencave albanologjike. Edhe në trajtimin e kësaj teme, prof. A. Buda, ngulte këmbë për bashkërendimin e të dhënave që dalin nga hulumtimet historike, arkeologjike, gjuhësore, etnografike dhe kulturore. Vetëm kështu, nënvizonte profesori ynë, mund të dalin konkluzione të shëndosha dhe jo duke u kapur pas të dhënave të një fushe të vetme.

Këtë temë profesor Buda e zhviloi dhe e thelloi në Konferencën Kombëtare për Formimin e Popullit Shqiptar të Gjuhës dhe të Kulturës së tij, e cila i zhvilloi punimet në Tiranë tre vjet më vonë, në korrik të vitit 1982. Në këtë konferencë prof. A. Buda ripohoi se studimi i etnogjenezës shqiptare është një problem kompleks. Për këtë arsye, problemi nuk mund të shihej vetëm në guackën e etnografisë shqiptare, por të rishihej edhe në kuadrin e etnografisë ndërkombëtare. Në mënyrë të veçantë, Aleks Buda e shihte të nevojshme trajtimin e problemit të etnogjenezës shqiptare në kuadrin e ballkanistikës. Ai theksonte tesktualisht:

“Konferenca jonë ka kapur një temë qendrore edhe për ballkanistikën, sepse problemi i formimit të popullit shqiptar, i vazhdimit dhe i autoktonisë së tij, i formimit të territorit të tij historik, i gjuhës, i kulturës së tij, është lidhur me fije të shumta edhe me probleme analoge të historisë së popujve fqinje ballkaniker, me të cilët shqiptarët, si një nga popujt më të vjetër të këtij gadishulli rrojnë tashmë prej shekujsh në lidhje të vazhdueshme marrjesh e dhëniesh ekonomike e kulturore, gjuhësore e politike”.

Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, organizatën shqiptare që veproi në vitet 1878-1881, prof. Aleks Buda e ka trajtuar përveçse për publikun shqiptar edhe në disa takime për publikun e huaj si për shembull në Ankara, Paris, Athinë e gjetkë. Sintezën më të goditur besoj se e ka dhënë në referatin që mbajti në konferencën ndërkombëtare kushtuar njëqindvjetorit të themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila u mbajt në Tiranë në qershor 1978. Në histori ka raste, tha profesori, kur një popull në përpjekjet e tij për të dalë nga errësira në dritë, ka dy rrugë: njëra, në pamje të parë duket e lehtë, por ajo është e mbyllur, madje edhe përpjekjet që janë bërë për të ndjekur ato rrugë në dukje të lehta shpesh janë rrugë pa krye ose rrugë që përfundojnë në greminë. Përrkundrazi, vazhdoi ai, ka rrugë që janë me të vërtetë të vështira, por që ato kur çahen me luftë e vështirësi më në fund të çojnë drejt horizonteve të hapura. Pikërisht në udhëkryqin që ndodheshin shqiptarët në krizën lindore të viteve ’70 të shekullit XIX ata ndoqën, me themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, rrugën e dytë, rrugën tepër të vështirë.

Edhe në këtë temë prof. A. Buda kërkoi të zbatoheshin po ato kritere të metodologjisë studimore të historiografisë. Pra, ai kërkoi që të vlerësoheshin dhe të gjykoheshin jo vetëm ecuritë e ngjarjeve të organizatës, por edhe forcat lëvizëse që vepronin në sektorët e tjerë të jetës shqiptare dhe në mënyrë të veçantë në arenën diplomatike ndërkombëtare.
*
Do të shkonte gjatë po të përmendnim në këtë referat kriteret e njëllojta që ai ka zbatuar edhe në temat e tjera të historisë së Shqipërisë. Këtu mjafton të thuhet se me qartësinë dhr kthjelltësinë e pikëpamjeve të veta mbi metodën studimore dhe mbi vlerësimin e ngjarjeve historike, profesor Aleks Buda fitoi konsideratën e mbarë qarqeve shkencore, kulturore dhe artistike të vendit. Këtë konsideratë ai e ruan edhe sot e kësaj dite.

Veç kësaj, ai e përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet kombëtar në shumë takime shkencore ndërkombëtare. Si njohës i shumë gjuhëve, ai mori pjesë në debate duke iu përgjigjur sipas rastit historianëve të huaj në gjuhën e tyre amtare: në gjermanisht, anglisht, frëngjisht, italisht, rusisht, spanjisht dhe shpeshherë me fraza të shkurtra në greqisht, serbisht, bullgarisht. Në sajë të këtyre meritave, profesor Aleks Buda ashtu si profesor Eqerem Çabej u bënë ambasadorët shkencorë shëtitës të Shqipërisë. Ishin dy korifejtë që përfaqësuan për disa dekada dy shtyllat e albanologjisë shqiptare – njëri historinë, tjetri gjuhësinë. Pavarësisht nga synimet që kishte Enver Hoxha, vendimi i tij për të vënë prof. Aleks Budën në krye të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë kur ajo u krijua më 1972 ishte një zgjidhje e goditur. Me të ai nderoi jo aq Aleks Budën sesa historiografinë shqiptare dhe vetë Shqipërinë.

Po e mbyll këtë homazh të profesorit tim me dy fjalë të përzemërta. Profesor Aleks Buda edhe kur ishte i thjeshtë dhe ecte në këmbë, edhe kur u bë shef dhe vinte në zyrë me biçikletë, edhe kur u bë kryetar i Akademisë dhe udhëtonte me makinë, mbeti po ai: njeri i thjeshtë, i qeshur, i ngrohtë, i urtë me këdo. Dëgjonte me kujdes çdo njeri që vinte në zyrë dhe përpiqej me aq sa mundej të zgjidhte problemet jo të pakta që kishte ai që fliste me të. Ndoshta këto veti personale një ditë do të harrohen, por ato që do të mbeten të ngurosura në historinë tonë kulturore dhe shkencore janë kriteret metodologjike që ai kërkonte të zbatonin historianët shqiptarë të zbatonin, në çdo rast dhe për çdo temë. Këtë trashëgimi duhet të ketë parasysh patjetër brezi i ri që angazhohet në studimin e shkencave shoqërore shqiptare.
(BalkanWeb)

Më Shumë

Prizreni diskuton sfidat dhe objektivat në arsim për vitin e ri shkollor

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Luljeta Veselaj-Gutaj, zhvilluan sot një takim me drejtorët...

Përurohet pllaka përkujtimore për martirët e Krushës së Vogël

Në Krushë të Vogël u përurua sot një pllakë përkujtimore te Oda e Sejdi Batushës, kushtuar martirëve të vrarë gjatë masakrës së vitit 1999....

Lajmet e Fundit