9.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Kryeheroi në kryeqytetin historik të shqiptarisë

Prof. ass. dr. Xhafer Beqiraj

Nëntori për ne shqiptarët nuk është një muaj i rëndomtë, në të vërtetë, ai shpërfaq përpjekjet e popullit tonë për liri e pavarësi, këto përpjekje ndërshekullore krijuan ngjarje të lavdishme që u ngulitën në kujtesën tonë historike. Ky muaj ngërthen në vetvete vendime të mëdha për çështjen tonë kombëtare, shpërfaq sakrificën, gjakun e derdhur për liri të atdhetarëve, e mendjendriturve që luftuan ndër shekuj për liri e përparim kombëtar.

Një ditë të bukur, një ditë sublime, një ditë të lavdishme e historike shpërfaq 28 Nëntori për të gjithë shqiptarët, sepse, më 28 nëntor, heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (1405-1468) çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti Flamurin kombëtar në kështjellën e saj, që sot njihet si Nëntori i Parë. Gjergj Kastrioti – Skënderbeu i cili i priu frontit të luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë, ishte i vetëdijshëm më shumë se kushdo tjetër për nevojat e kohës, për detyrat që kërkonte momenti historik, për bashkimin politik si domosdoshmëri e kohës, për të arritur synimet dhe për të realizuar qëllimin më sublim – për t’u liruar shteti i Arbrit nga sundimi osman.

Këtë rrugë shekuj më vonë do ta ndjekin atdhetarët e Besëlidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ismail Qemali e së fundmi Adem Jashari, të cilët do të bëhen prijës të proceseve të mëdha e vendimtare për kombin.

Pastaj ky muaj na kujton Kongresin e Manastirit ose Kongresin e Alfabetit të Shqipes (nëntor 1908), e cila është ndër ngjarjet e mëdha kombëtare ku u vendos që populli shqiptar ta ketë një alfabet të përbashkët për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Rilindësit tanë të ndritur u frymëzuan nga të bëmat e Skënderbeut, ishin ata që me sakrificë e mund vijuan luftën për shtetin e Arbrit të Skënderbeut.

Po më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali në Vlorë shpalli Shqipërinë shtet të pavarur dhe sovran që në popull njihet si Nëntori i Dytë, Dita e Flamurit, ditë e shenjtë për kombin.
Në këtë ditë të bekuar lindi heroi kombëtar Adem Jashari (28 nëntor 1955), i cili bëri kthesën historike, duke luftuar kundër armikut shekullor – Serbisë. Ai ishte promotori, shpirti i UÇK-së, ai është luftëtari i pakompromis për lirinë që ne sot e gëzojmë, ai luftoi (bashkë me mijëra luftëtarë të lirisë), që ne sot të jemi të lirë.

Dhe jo rastësisht, kjo ditë (më 28 nëntor 1997) shënon njërën nga faqet më të ndritura të historisë sonë të re, daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kush do të imagjinonte atëherë se kjo ditë, kur shpërfaqen për herë të parë tre pjesëtarët e UÇK-së, më vonë do të hynte në analet e historisë sonë më të re, sepse nga kjo ditë do të fillojë lufta e hapur dhe e përgjakshme e UÇK-së kundër forcave serbe në Kosovë, për t’u çliruar njëherë e përgjithmonë nga zgjedha shekullore e Serbisë, që më 12 qershor 1999 do t’i sjellë vendit lirinë.

Ardhja e lirisë, pas qershorit 1999, më 28 Nëntor 2001 do të sjellë shtatoren e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në kryeqytetin e shtetit më të ri në Europë – Prishtinë, që është kopje e skulpturës së J. Paços.

Ndonëse jo pak ngjarje të mëdha, të shenjta e historike na kujton kjo ditë e ky muaj, përvjetori i sivjetmë del të jetë edhe më i veçantë për qytetin e Prizrenit që shumëkush e quan me të drejtë kryeqyteti shpirtëror e historik i shqiptarisë. Në qytetin e lashtë e mbushur përplot histori ndër shekuj, e që na bën krenarë jo vetëm ne qytetarët e Prizrenit, por të gjithë shqiptarët kudo që janë, më 28 Nëntor 2020, u stolis me shtatoren madhështore të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, kryeheroit kombëtar, i cili i ka munguar prej kohësh kështjellës së lashtë ilire, i ka munguar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe prijësve të saj Ymer Prizrenit, Abdyl Frashërit e Sulejman Vokshit, u ka munguar heronjve të UÇK-së, i ka munguar qytetit të lashtë e historik.

Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti, si strateg ushtarak arriti të gëzonte respektin e dashurinë e bashkëvendësve të vet (shqiptarëve) jo vetëm deri sa ishte gjallë, por edhe pas vdekjes së tij. Ai u bë udhërrëfyes, frymëzim për pasardhësit e tij. Për të populli krijoi këngë, tregime, kurse shkrimtarët shkruan vepra e vepra për personalitetin e shumëndritur të tij. Por jo vetëm kaq, për Skënderbeun u shkruan vepra e vepra nga shkrimtarë europianë e më gjerë dhe jo rastësisht në shumë qytete të botës u ngriten shtatore e buste për heroin tonë kombëtar – Gjergj Kastriotin – Skënderbeun. Ai ishte dhe mbetet figurë e ndritur dhe e çmuar e kombit shqiptar, por edhe personalitet me vlera të jashtëzakonshme ndërkombëtare.

Më 20 Nëntor 2020 qytetit të Prizrenit iu shtua madhështia, sepse nga sot zë vendin e vet meritor mbreti i shtetit të Arbrit, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i cili është heroi i të gjitha kohërave, është shpirti i lirisë, është historia e ndritur e popullit shqiptar.

Këtë vepër madhështore unikate të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut e solli në Prizren skulptori i mirënjohur Sinan Aliaj, jo rastësisht më këtë datë, jo rastësisht Skënderbeun dhe jo rastësisht në Prizren.

Në këtë ditë të veçantë e cila karakterizohet përplot me ngjarje vendimtare për kombin, u bë përurimi i shtatores së Gjergj Kastriotit, i cili u realizua falë mbështetjes së Komunës së Prizrenit, Shoqatës “Trojet e Arbrit” dhe falë vullnetit e dëshirës së madhe të atdhetarit, historianit e skulptorit, Sinan Aliaj, i cili dëshirë e ëndërr të hershme kishte ta stolite e t’ia shtonte madhështinë qytetit të Prizrenit me shtatoren e Skënderbeut.


Pak fjalë për autorin e Monumentit të Skënderbeut

Sinan Aliaj, i lindur më 01. 11. 1969 në fshatin Maçitevë të komunës së Suharekës, rrjedh nga një familje patrotike. Shkollën fillore e kreu në Caparc, gjimnazin në Prizren, kurse Fakultetin e Historisë dhe Fakultetin e Artëve – Skulpturën në Universitetin e Prishtinës. Si i ri shquhet në veprimtari atdhetare (1993-1999), i cili bashkë me shokë ishte pjesë e projekteve të mëdha kombëtare para luftës së UÇK-së, gjatë luftës (1998-1999) dhe pas luftës. Pas çlirimit i kthehet profesionit të vet si suklptor e historian.

Sinan Aliaj është atdhetar i shquar (ushtar i lirisë) dhe këtë e ka dëshmuar para e gjatë luftës së UÇK-së dhe pas saj. Ai është një intelektual i formuar e njeri me karakter të fortë, të cilin e kalitën sfidat e jetës dhe e bën një personalitet të veçantë e me vlera të larta njerëzore, atdhetare e intelektuale. Sinan Aliaj është skulptor e historian.

Skulptori Sinan Aliaj deri më tani ka realizuar disa vepra me vlera të larta artistike në skulpturë për heronjtë tanë kombëtarë. Veprat e këtij skulptori të shquar janë:

– Monumenti i Lirisë, Prishtinë, 2001 (autor i projektit ideor);
– Monumenti i Reçanit të Suharekës, 2001;
– Monumenti i Adem Jasharit në Malishevë, 2003;
– Monumenti i Luan Haradinajt në Deçan, 2005;
– Monumentit të Shkelzën Haradinajt në Pejë, 2018 (bashkautor);
– autor i një numri bustesh (në fshatra e qytete).
– Monumenti i Skënderbeut në Prizren, 2020 (vepër që u përurua këto ditë)

Të gjitha këto vepra të autorit Sinan Aliaj janë me vlera të larta artistike e unikate (jo kopje nga autorë të tjerë), të cilat shquhen jo vetëm për sa i takon realizimit estetik të tyre, por edhe për sa i takon përcjelljes së mesazhit te publiku, duke na dhënë karakterin e personaliteteve të shquara kombëtare të realizuara në skulpturë pa elemente mitike e legjendare.

Prandaj, kështu e solli edhe Gjergjin tonë të kohëve të lavdishme, si një kalorës perëndimor se i tillë ishte, si një diplomat, sepse ishte i shkolluar, si strateg i shquar i luftës i njohur jo vetëm në shtetin e Arbrit, por i njohur në mbarë botën.

Skënderbeu ka qenë subjekt i punimeve në skulpturë i shumë autorëve të huaj e vendës, por skulptura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut e realizuar nga skulptori Sinan Aliaj na del më ndryshe: shtatorja e Skënderbeut del të jetë unikate, kurse Skënderbeu më i ri në moshë, me një pamje të burrështetit të Arbrit jo në luftë – jo në front, por si mbreti kur i drejtohej popullit, duke mbajtur fjalime shumë domethënëse për bashkimin e forcave për të luftuar për lirinë e vendit. Ai ishte dhe mbetet strategu i luftës për liri dhe personalitet me formim shumëpërmasësh, ashtu e njohëm ne, ashtu e njohu bota.

Skulptor i mirënjohur , Sinan Aliaj, të lumshin duart dhe mendja. Me këtë kryevepër tënden e nderove heroin kombëtar – Skënderbeun, i nderove heronjtë kombëtarë të periudhave të ndryshme të historisë sonë, nderove bashkëluftëtarët tuaj (e sidomos heronjtë e kombit), i nderove qytetarët e Prizrenit etj.

Shpresojmë se në të ardhmen do ta pasurosh Prizrenin edhe me skulptura të tjera kushtuar heronjve dhe mendjendriturve të Rilindjes sonë Kombëtare etj.

Prizren, më 03.12.2020

Më Shumë

Antidroga me aksion në Prizren dhe Gjakovë, ka të arrestuar

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, e asistuar nga Policia e Kosovës ka realizuar operacion policor në disa lokacione në Prizren dhe në...

“Guraziu” në Prizren, me 20 vjet përvojë pune në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes

Ndërmarrja “Guraziu” është specializuar në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes. Pronari, Arton Guraziu, ka një përvojë prej 20 vjetësh. Adresa e...

Lajmet e Fundit