18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Kryeministër merre ose ik

Muharrem NitajShkruan: Muharrem Nitaj

Hashim Thaçi, si më i votuari që është e nëse i ka ose do t’i ketë numrat, ia paftë hairin qeverisë! Por nëse nuk i ka e s’do të mund t’i bëjë, atëherë “adios kryeministër” dhe mos harroni të veproni në përputhje me profilin e politikanit të përgjegjshëm çfarë unë besoj të jeni!
Është bërë e rrezikshme përplasja ndërmjet dy kampeve politike në Kosovë, PDK-së dhe bllokut tashmë të krijuar të katër partive politike opozitare. Në këtë përplasje tashmë janë përfshirë edhe Presidenca edhe Gjykata Kushtetuese dhe situata e krijuar i vë në pozitë të vështirë edhe këto dy institucione. Në këtë përballje, të paktën tash për tash, njëra palë duket të jetë e mundur e tjetra fituese, por që realisht të dyja blloqet janë në një stad të komplikuar dhe kjo nuk do të ishte fare e jashtëzakonshme sikur ata që ia kanë “msy” garës për të marrë pushtetin, ta kishin kuptuar se qeveria e një vendi është rezultat i një matematike numrash e jo dëshirash, sado të shprehura qofshin ato!
Për fatin e keq, kjo luftë është bërë e pistë sepse thyerja e madhe po ndodhë tani në prag të marrjes së pushtetit të ri, dhe si pasojë e një turri të disa “mercenarëve” të fjalës publike që janë futur në obligime ndaj palëve dhe që po vazhdojnë ti japin një dimension, akoma më tragjik, momentit të ri politik të krijuar tashmë!
Çështja është më e thjeshtë se sa që pretendojnë ta paraqesin këta mercenarë, apo komisarë partish e juristë e gjyqtarë e do farë specialistësh, komentatorësh e gazetarësh…
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, qeverinë mund ta krijojë ajo parti apo koalicion që e ka shumicën në Kuvend. Po e përsëris “shumicën në Kuvend”. Zgjedhjet parlamentare në këtë vend përkthehen në mandate deputetësh dhe ai që i ka numrat edhe e krijon qeverinë. Pikë!
Askush ne këtë vend nuk është aq debil sa për të mos i kuptuar dy fjali të thjeshta që janë në nenet 95 dhe 84 të Kushtetutës dhe që e përcaktojnë qartë mënyrën se si zgjidhet qeveria. Prandaj çdo përpjekje për ta komplikuar këtë proces, qoftë edhe nga ata që shiten si të ditur, është miopi politike dhe kundër interesave të vendit.
Sipas kësaj logjike dhe kornize ligjore, i bie që kryeministri i deritashëm Hashim Thaçi, si më i votuari që është e nëse i ka ose do t’i ketë numrat, ia paftë hairin qeverisë! Por nëse nuk i ka e s’do të mund t’i bëjë, atëherë “adios kryeministër” dhe mos harroni të veproni në përputhje me profilin e politikanit të përgjegjshëm çfarë unë besoj të jeni!
Përpjekjet e kujtdo qoftë për t’i përmbysur numrat në kuvend dhe për të kërkuar rrugëdalje në interpretime ose në përsëritjen eventuale të zgjedhjeve, janë vetëvrasje politike! Gjithmonë do të gjendet dikush që do ta dijë me saktësi se si duhet vepruar në situata të tilla, por është mire që këtë ta dimë vetë e të mos na e thonë të tjerët!
Opinioni publik duhet ta kuptojë se krijimi i qeverisë së re në Kosovë, tashmë është vendosur me votë dhe nuk është më çështje e dëshirave tona, prandaj është mirë qe opinionbërësit militantë të njërit apo krahut tjetër, të mos e marrin rolin e liderëve politikë dhe të sajojnë lloj-lloj qeverish e kryeministrash sipas dëshirave të tyre, por të pajtohen me rezultatin që do ta japë vota në Kuvendin e Kosovës dhe me aftësinë e kujtdoqoftë që t’i bëjë numrat e nevojshëm për ta krijuar qeverinë. Ky është modeli në republikat parlamentare, sepse po të ishte për qejfin tonë, secili do ta bënte një qeveri për vete e ku vetë do të ishte kryeministër!

Më Shumë

Osmani ia jep Medaljen Presidenciale të Meritave rock grupit ‘Oda’

Presidentja Vjosa Osmani, në një ceremoni të mbajtur dje në Presidencë, ia ka dorëzuar Medaljen Presidenciale të Meritave rock grupit “Oda” për promovimin e...

Shpërthimi në Ujman, Kurti: Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu levërdis normaliteti i krijuar

“Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu levërdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë”, ka thënë kryeministri Albin Kurti...

Lajmet e Fundit