10.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Kryeprokurori i shtetit vlerëson se Marrëveshja për drejtësi bazohet në ligjet e Kosovës

Gjykata-peshorjaDelegacioni i Republikës së Kosovës në bisedimet Kosovës – Serbi, për sistemin e drejtësisë, ka mbajtur sot, konferencë të përbashkët në Prokurorinë e Shtetit.

Pjesëmarrës të kësaj konference ishin, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci dhe kryetari i Gjykatës së Apelit Sali Mekaj.

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, njoftoi të pranishmit se është nënshkruar marrëveshja mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, për sistemin e drejtësisë në Bruksel.

Ai tha se nënshkrimin e kësaj marrëveshje e konsiderojnë si një arritje të këtyre bisedimeve. “Ju e dini gjithë se pjesa Veriore ka qenë me sistem të drejtësi paralele, ndërsa tash e tutje nuk do të jetë me paralele, por, do të ketë një sistem unik të drejtësisë edhe në atë pjesë të Kosovës” u shpreh u.d. i kryeprokurorit, Sylë Hoxha, njofton kumtesa nga Prokuroria.

Po ashtu, u.d. i kryeprokurorit, tha se kemi arritur marrëveshje që Kryetari i Gjykatës Themelore të jetë i komunitetit serb, ndërsa Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të jetë Shqiptarë. Ndërkaq, sipas tij, selia e gjykatës dhe e prokurorisë do të jenë të vendosura në pjesën veriore të Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit, Sylë Hoxha, tha se prokurorët dhe gjyqtarët nga komuniteti serb që do të zgjidhen, do të punojnë në sistemin unik të drejtësisë së Kosovës, me ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe do t’iu nënshtrohen procedurave të përzgjedhjes sikurse gjithë prokurorët dhe gjyqtarët vendorë dhe emërimi final i tyre do të jetë nga Presidenti i Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, tha se ne kemi pasur pesë qëllime në këtë marrëveshje. “Qëllimi i parë ka qenë që të ruhet sistemi i Drejtësisë në Kosovë. Qëllimi i dytë ka qenë që Gjykata në atë pjesë të territorit tonë dhe gjyqtarët qoftë shqiptarë apo serb t’i zbatojnë ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës, dhe në këtë marrëveshje theksohet që të respektohen ligjet e Republikës së Kosovës. Qëllimi i tretë ka qenë që të respektohet hierarkia e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës në propozimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe në disiplinimin e tyre, dhe rolin e Presidentes në dekretimin e tyre”, theksoi Kuçi, duke potencuar se qëllimi i katër ka qenë që çdo zgjidhje në këtë marrëveshje të arrihet brenda ligjeve dhe Kushtetutës tonë. Dhe ne garantojmë që me këtë marrëveshje asnjë ligj i vendit tonë, asnjë pikë e Kushtetutës nuk ka nevojë që të ndryshohet, pra marrëveshja është brenda tyre. Si dhe qëllimi i pestë ka qenë integrimi i asaj pjese të veriut, respektivisht i atyre njerëzve që kanë punuar në gjykatë dhe prokurori paralele, në kuadër të sistemit tonë. Po ashtu, Kuçi, theksoi se implementimi i kësaj marrëveshje pret që të ndodhë menjëherë. Ndërsa, për prokurorët, gjyqtarët dhe stafin mbështetës shumë shpejt do të shpallen konkurset dhe do të aplikojnë përmes procedurave të parapara.

Ndërsa, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, potencoi se qëllimi i këtij delegacioni ka qenë që të sigurohet një Gjykatë Themelore dhe Prokurori Themelore, ashtu siç është paraparë me ligjet e zbatueshme. Ai tha se në vazhdimësi kemi pretenduar që të ruhet tërësia e sistemit gjyqësor, uniteti i sistemit gjyqësor, ashtu siç është paraparë me dispozitat e Kushtetutës dhe ligjit.

Ai po ashtu, tha se nga kjo marrëveshje nuk është atakuar asnjë pjesë e dispozitave pozitive ligjore sa i përket integrimit të këtyre strukturave, duke shtuar se ligji për gjykatat i parasheh në mënyrë specifike se Gjykata Themelore dhe Prokuroria Themelore në Mitrovicë për cilat regjione dhe komuna vlen, normal që departamenti i krimeve të rënda në Mitrovicë ka me qenë i përbashkët, ku do të punojnë shqiptarë dhe serbë.

Ish-kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, deklaroi se është arritur një sistem unik juridik, i pandarë në vija etnike, zbatim i ligjeve penale të Kosovës rekrutim i prokurorëve dhe gjyqtarëve sipas dispozitave të parapara për rekrutimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, disiplinim i tyre. Kabashi, po ashtu potencoi se ka pasur tendenca që gjykata dhe prokuroria të ndahen në vija etnike, por ajo është evituar dhe në të gjitha ndërtesat do të ketë gjyqtarë, prokurorë dhe staf mbështetës të të gjitha nacionaliteteve, apo kombeve që jetojnë në pjesën veriore të dhe pjesën jugore të Mitrovicës, si dhe në komunat si Skenderaj, Vushtrri, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçan.

Po ashtu, lidhur me marrëveshjen e nënshkruar për drejtësinë në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, foli edhe kryetari i Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj.

Më Shumë

Intervenohet për ndalimin e rrjedhjes së ujit në lokacionin arkeologjik në Sheshin e Lidhjes së Prizrenit

Një problem i vazhdueshëm me rrjedhjen e ujit në lokalitetin arkeologjik në Sheshin e Lidhjes së Prizrenit ka shqetësuar autoritetet që nga fundi i...

Ndërron jetë ish-futbollisti i Lirisë së Prizrenit, Xhemajli Gashi

Ka ndërruar jetë Xhemajli Gashi, ish-futbollist i njohur i Lirisë së Prizrenit. Ai ka lënë gjurmë të thella në komunitetin sportiv të qytetit. Xhemajli Gashi ka...

Lajmet e Fundit