18.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Kryeziu: Prizreni të qeveriset nga të rinjtë

FadilKryeziu-nqpKandidati për kryetar të Komunës së Prizrenit, Fadil Kryeziu, ka deklaruar se kjo komunë ka nevojë të qeveriset me mentalitetet të ri.

“Në Prizren ka ardhur koha të qeverisin gjeneratat e reja, të cilat kanë mentalitet të ri dhe që nuk janë të ndikuar nga mentaliteti i së kaluarës. Tash në Kosovë duhet të ndërtojmë institucione krejtësisht demokratike, të përgjegjshme dhe të dinjitetshme, të cilat do të jenë në shërbim të qytetarëve”, ka deklaruar Kryeziu për “Epokën e re”. Në këtë kontekst, ai ka thënë se kandidati i PDK-së, Ramadan Muja dhe ai i LDK-së, Eqrem Kryeziu, janë të moshuar, prandaj duhet ta gëzojnë të drejtën e pensionit që u takon. “Në Kosovë ka një ligj për pensionim, sipas të cilit, njerëzit mbi moshën 65 vjeç shkojnë në pension. Ata të dytë e kanë kaluar këtë moshë, prandaj duhet ta gëzojnë pensionin. Qeverisja lokale jo vetëm në Prizren, por edhe në nivel vendi mendoj se e ka kohën e vet që të ketë diçka të re. Duhet të ketë zhvillime të reja për arsye se Kosova po ecën shtigjeve të reja. Edhe Prizrenit i duhet mentalitet i ri qeverisës”, ka thënë Kryeziu.

Ai ka thënë se nuk ia ka frikën konkurrencës për të parin e komunës pavarësisht se përballë ka bashkëpartiakun e dikurshëm Eqrem Kryeziu dhe kryetarin aktual të Prizrenit, Ramadan Mujën, i cili ka fituar besimin e qytetarëve për të qeverisur dy mandate rresht. “Demokracia është shans për të gjithë, e tillë do të jetë edhe për garën për kryetar të Komunës së Prizrenit. Nuk ka këtu kurrfarë arsye për t’u frikësuar jo vetëm nga Kryeziu, por nga askush tjetër. Si shtet i ri që jemi po mundohemi të ndërtojmë një demokraci, e cila gjithnjë e më shumë po shkon duke u rritur. Pavarësisht një të kaluare jo të vogël që e kemi pasur bashkë me Kryeziun, tashmë pikëpamjet tona ndahen dhe do të kemi një konkurrencë korrekte”, është shprehur Kryeziu, duke shtuar se Prizreni ka nevojë për qeverisje të re. “Prizreni është një qytet i cili meriton shumë më shumë sesa që ka fituar me qeverisjet e kaluara. Ka nevojë për më shumë zhvillim të kulturës, të sportit, të ekonomisë dhe të infrastrukturës. Deri më tani pothuajse të gjitha subjektet politike në një farë forme kanë qeverisur bashkë, kurse tash qytetarët kanë nevojë të shohin edhe konkurrentë të tjerë. PDK-ja ka qenë në pushtet me koalicionin e saj qeverisës, por edhe LDK-ja duke mos e luajtur rolin e saj opozitar i ka ndihmuar kësaj qeverisje. Prandaj ka ardhur koha për një qeverisje ndryshe, për një qeverisje të re”, ka deklaruar Kryeziu.

Ai ka thënë se më 3 nëntor qytetarët do të votojnë për alternativën më të mirë për Prizrenin. Sipas tij, Nisma Qytetare për Prizrenin është oferta më e mirë për qytetarët e kësaj komune. Po ashtu, ai ka thënë se kjo nismë do të sjellë freski në Prizren. “Qytetarët do të zgjedhin më të mirën më 3 nëntor për të ardhmen e tyre dhe të qytetit të Prizrenit. I kemi hyrë garës duke shpresuar dhe duke besuar se do ta marrim mbështetjen e qytetarëve. Do të sjellim diçka të re, një freski për qytetarët e Prizrenit. Besojmë se qytetarët janë të interesuar për diçka të re në qytetin tonë”, ka theksuar ai, duke shtuar se gara do të jetë sfiduese dhe arritja e fitores do të jetë e vështirë në rundin e parë. “Do të fitojmë për arsye se ne do të ofrojmë atë që është civilizuese, atë që është qytetare për qytetin e Prizrenit. Kjo garë është sfiduese sepse ne kemi ardhur më ndryshe në këto zgjedhje. Synimi ynë është fitorja, por demokracia në Kosovë lejon edhe balotazhin. Prizreni ka një përvojë për balotazh. I kemi hyrë kësaj gare për të fituar dhe jemi duke punuar për çdo ditë për të arritur këtë fitore në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit”, ka thënë Kryeziu.

Ai ka deklaruar se edhe fushata zgjedhore do të jetë më interesante kësaj here për dallim nga zgjedhjet e kaluara. “Është interesante se partitë e mëdha që konkurrojnë në këto zgjedhje shkojnë me kandidatë të cilët tashmë do të duhej të ishin të pensionuar, mirëpo duke pasur parasysh se nuk kanë çka të bëjnë, ata po futen në këtë garë. Prandaj, sfida është interesante sepse, përveç këtyre dy kandidaturave të pensionuara, ka edhe kandidatura të reja të cilët kanë çka t’i ofrojnë qytetit të Prizrenit. Në këtë mes edhe unë, njëri nga ta, mendoj se do t’i jap një kuptim shumë më pozitiv kësaj gare sesa që mund t’i japin kandidati i PDK-së dhe i LDK-së”, ka deklaruar Kryeziu, duke shtuar se Nisma Qytetare për Prizrenin do të zhvillojë fushatë në bashkëbisedim me qytetarët, duke shpalosur programin qeverisës në detaje. “Fushata jonë nuk mbështet në atë se cilin e kemi kundërshtar më të fortë apo më të vështirë. Ne do të punojmë me qytetarët. Qysh tash kemi filluar të kontaktojmë me njerëzit veç e veç, por edhe në grupe në mënyrë që të shpalosim atë që ne ua ofrojmë atyre, pa pasur shumë përqendrim në atë se kush është përballë nesh. Nuk dëshirojmë të humbim shumë kohë duke u marrë me kandidatët e tjerë”, ka thënë Kryeziu. Ai ka treguar se nuk është larguar nga “Lista Dr. Ibrahim Rugova”, por për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit u është dashur të regjistrohen si Nisma Qytetare për Prizrenin.

Më Shumë

Totaj viziton disa biznese të Prizrenit

Kryetari i komunës ë Prizrenit, Shaqir Totaj ditën e premte ka vizituar dhe ka parë nga afër të arriturat e disa prej bizneseve të...

Propozimi i PDK-së për zgjedhje: 30 qershori ose 7 korriku

Mbrëmë janë takuar kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi. Gjatë këtij takimi, ndër të tjera u diskutua...

Lajmet e Fundit