19.8 C
Prizren
E mërkurë, 8 Maj, 2024

Kunati i ofron Shyhrete Berishës banesë në Prishtinë

Xhelal Berisha, kunati i Shyhrete Berishës, të mbijetuarës së masakrës në Suharekë i ofroi sot asaj banesë në Prishtinë në seancën e gjykimit për kontestin rreth shtëpisë.
Shyhrete Berisha që i mbijetoi masakrës së 26 marsit të vitit 1999 ndaj familjes Berisha në Suharekë, po kërkon me padi e në gjykatë të drejtën për ta trashëguar shtëpinë ku para luftës jetoi me burrin dhe fëmijët të cilët i humbi gjatë kësaj masakre.

Ajo nuk ka mundur ta shfrytëzojë këtë shtëpi që 15 vjet, pasi në të jetojnë kunati dhe vjehrra.

Në seancën e sotme Xhelal Berisha i ofroi kunatës së tij një banesë të mobiluar prej 50 metrash katrorë që tha se ndodhet në qendër të Prishtinës.

Ai deklaroi se nëse Shyhrete Berisha e pranon këtë ofertë, mund të vendoset menjëherë në këtë banesë.

“Këtë po e bëj për hir të familjes Berisha”, tha Xhelal Berisha.

Naim Qelaj, avokati i Shyhrete Berishës, tha se lidhur me ofertën për banesë në Prishtinë do të bisedojë me klientin e tij.

“Nëse pajtohet me këtë ofertë të propozuar për banesë do t’i njoftoj palët dhe gjykatën me kohë”, tha Qelaj.

Ai tregoi se Shyhrete Berisha aktualisht ndodhet në Gjermani.
Gjyqtari Shaban Zeqiraj u bëri apel Xhelal Berishës dhe avokatit të Shyhrete Berishës që për hir të familjarëve të vrarë t’i lënë anash inatet personale dhe ta gjejnë një zgjidhje të përbashkët.

Xhelal Berisha edhe në janar i kishte ofruar banesë në Suharekë Shyhrete Berishës në këmbim të tërheqjes prej saj të padisë, por kjo ofertë e tij nuk ishte pranuar. /kallxo.com/

Më Shumë

Lajmet e Fundit