9.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

Kur Edi Rama kërcënon Europën

ARMAND SHKULLAKU

Kërcënimet e Ramës nuk trembin as laraskat, sepse mjaftoi një fjali e Konçijançiçit nga Brukseli dhe kryeministri e ndryshoi gjuhën me të cilën foli në Ulqin. Por përpara gjuhës duhet të ndryshojë mendjen, sepse sado që Europa të ketë nevojë për shqiptarët, përsëri rrezikojmë të mbetemi larg saj.

Tashmë është kthyer në një barsoletë shprehja alla nardndoka e kryeministrit Rama: “Shqiptarët kanë nevojë për Europën njësoj siç Europa ka nevojë për shqiptarët”. Kryeministri po e përdor aq shpesh, sa edhe vetë ka harruar për çfarë ka dashur ta përdorë në fillim të herës. Së fundmi, e tha këtë perlë të mendimit të tij politik në një intervistë me gazetarin Baton Haxhiu, si një lloj paralajmërimi për Europën, e cila duhet të përshpejtojë integrimin e Shqipërisë, sepse përndryshe… Sepse përndryshe, thotë Edi Rama, ajo, Europa, “mund të bëhet pa dashje sponsore e nacionalizmave folklorikë”.

Më pas, kryeministri shqiptar e shtjellon idenë e tij duke nënkuptuar hapur se, nëse Bashkimi Europian nuk do t’i pranojë sa më parë shqiptarët brenda tij, atëherë këta do të jenë të detyruar të bashkohen “jo në funksion të Bashkimit Europian, si një proces i natyrshëm dhe krejt i mirëkuptuar nga të gjithë, por si një reagim ndaj një verbërie apo një përtacie europiane… që të triumfonte me patjetër dhe pa asnjë mundësi të dytë linja e një bashkimi… ku shqiptarët nuk do ta pranonin për një kohë të gjatë këtë historinë ‘tërhiq e mos e këput’ të Europës dhe këtë qasjen tërhiq e mos e këput me njëri-tjetrin”.

Kjo tezë e Edi Ramës do të përkthehej ndryshe si një mesazh ndaj Brukselit, i cili ose duhet t’i pranojë brenda vetes shtete problematike si Shqipëria dhe Kosova ashtu siç janë, ose këto do të provokojnë trazira, do të kërkojnë bashkim, ndryshim kufijsh, shkurt do t’i sjellin andralla gjithë Europës.

“Sot Europa ka nevojë për shqiptarët njësoj siç kanë nevojë shqiptarët për Europën dhe, në qoftë se Europa e shikon Ballkanin dhe e shikon zhvillimin në Ballkan si gjëra pa lidhje me fatet e saj dhe, në qoftë se Europa nuk arrin të kuptojë se proceseve që janë përshkallëzuar falë paqes në rajon, duhet t’u bashkëngjisë vullnetin e vet për të përshpejtuar bashkëpunimin mes vendeve të rajonit dhe kështu të përshpejtojë integrimin, mundet vërtet që të bëhet pa dashje sponsore e nacionalizmave folklorikë”. Ky kërcënim, ndonëse me gjuhën e vizionarit që arrin të kuptojë atë që vetë Europa nuk e kuptuakërka dot vetë, nuk është i panjohur në këto anë.

E kanë stërpërdorur shumë liderë ballkanikë, sa herë kanë dështuar të kryejnë “të famshmet detyra të shtëpisë”. Sa herë u është dashur të mbulojnë paaftësinë, korrupsionin, sundimin e një pakice, lidhjet me krimin, mungesën e shtypit të lirë, kompromentimin e shoqërisë civile, krizën ekonomike, varfërinë, papunësinë, me një fjalë dështimin për të bërë një shtet normal brenda rregullave të demokracisë europiane.

Kemi shembullin e liderëve në Maqedoni, atyre në Serbi apo edhe të paraardhësit të Edi Ramës në Shqipëri. Ish- kryeministri Berisha i shtoi dozat provokuese të “albanofobisë”, të bashkimit të shqiptarëve, të mesazheve të forta patriotike, pikërisht kur qeverisja e tij mbeti në vendnumëro. Nënteksti ishte i qartë: na pranoni siç jemi, ose përndryshe do t’u krijojmë probleme.

Kryeministri Rama i ka hyrë shumë shpejt një politike të tillë. Nëse në një vit e gjysmë qeverisje, ai nuk ka mundur t’u afrohet objektivave të veta dhe kritereve të anëtarësimit në BE, për këtë nuk ka pse fajëson Europën. Ai nuk mund të kërkojë një integrim me pahir ose në të kundërt, do të thyejë xhamat me gurë.

Nuk është përgjegjësi e Europës pse Shqipëria vazhdon të jetë vendi më i varfër në Europë, me nivele të lirive në zonat e kuqe, me kriminelë në Parlament dhe të korruptuar në qeveri, me mungesë të investimeve të huaja, me kriminalitet shqetësues dhe krim të organizuar. Sado që Europa të ketë nevojë për shqiptarët, ajo nuk mund të pranojë një shtet ku kryeministri i jep mend Brukselit dhe nuk ka mend të rregullojë vendin e tij.

Sofizmat e Ramës në thelb nuk janë të panjohura për shqiptarët. Është teksti i ri i një kënge të vjetër që fajin kërkon t’ua lërë të tjerëve, Europës, botës, armiqve të brendshëm e të jashtëm, ekstremistëve dhe qarqeve antishqiptare, që e kanë halë në sy vendin e shqiponjave. Është kënga e hallit sa herë që udhëheqësit tanë përballen me dështimin e tyre. Përdorimi i patriotizmave apo më keq akoma, i presioneve nacionaliste si ushqim për të mbushur barkun bosh nga paaftësia qeverisëse, është një taktikë që nuk funksionon.

Nëse shqiptarët sot janë ende larg Bashkimit Europian, kjo nuk është për shkak të përtacisë, ekstremizmave apo verbërisë europiane, por të gjendjes në të cilën ndodhen. Këtë gjendje kryeministri Rama nuk mund ta kapërcejë me kërcënimet për bashkim të shqiptarëve në një shtet, por duke bërë detyrën për të cilën është votuar. Kërcënimet e tij nuk trembin as laraskat, sepse mjaftoi një fjali e Konçijançiçit nga Brukseli dhe kryeministri e ndryshoi gjuhën me të cilën foli në Ulqin. Por përpara gjuhës duhet të ndryshojë mendjen, sepse sado që Europa të ketë nevojë për shqiptarët, përsëri rrezikojmë të mbetemi larg saj.

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/oped/kur-edi-rama-kercenon-europen-92818/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Më Shumë

Policia kryen bastisje në Prizren, gjenden substanca narkotike

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të hënën (më 13.05.2024) në orën 18:00, ka kryer bastisje në një banesë në Prizren. Sipas policisë,...

Burri në Dragash ushtron dhunë ndaj bashkëshortes – policia e arreston

Policia e Kosovës përmes njoftimit ka bërë të ditur se ka arrestuar një burrë në Dragash, për shkak se dyshohet se ka ushtruar dhunë...

Lajmet e Fundit