10.8 C
Prizren
E martë, 26 Nëntor, 2024

Kurti e Gërvalla nisen për Kosovë, ministrja: Gjendja e pacientëve është stabile, fëmijët e kishin të shkruar në fytyrë tmerrin e përjetuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me zëvendësen e tij, Donika Gërvalla, janë nisur për në Kosovë, pas vizitës që iu bënë mbrëmë të lënduarve nga aksidenti që ndodhi në Kroaci.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, derisa ka treguar se ministrat Xhelal Sveçla dhe Arben Vitia do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kroaci.

“Së bashku me Kryeministrin po kthehemi në Kosovë. Ministrat Sveçla dhe Vitia po vazhdojnë të qëndrojnë në Slavonski Brod nga ku po kujdesen për të gjitha, edhe për udhëtimin për Kosovë të të gjithë atyre që janë në gjendje të udhëtojnë, dhe këta janë shumica. Sapo të jenë kryer procedurat e nevojshme, trupat e atyre që humbën jetën në këtë aksident të tmerrshëm do të sillen në destinacionin e dëshiruar nga familjet e tyre”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

Ministrja ka treguar edhe për gjendjen shëndetësore të të lënduarëve të cilët po trajtohen në spitalin e qytetit Slavonski Brod.

Gërvalla ka thënë se dy pacientë ndodhen në trjatim intensiv.

“Vetëm një nga të lënduarit është dërguar për arsye specifike mjekësore në Zagreb, të gjithë të tjerët janë vendosur në spitalin e qytetit. Dy nga pacientët ende ndodhen në trajtim intensiv, njëri prej tyre në gjendje tashmë stabile. Të gjithë të tjerët janë në gjendje stabile shëndetësore dhe shumë prej tyre pritet të lirohen nga spitali gjatë ditës së sotme. Sipas informacioneve të mjekëve kroatë, edhe gjendja e pacientit në Zagreb është e mirë dhe stabile”, ka shkruar Gërvalla.

Postimi i plotë:

Së bashku me Kryeministrin Kurti, kolegët ministra Sveçla dhe Vitia dhe shefin e Kabinetit të Presidentes, z. Vela dhe të shoqëruar nga Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç, Ministri i Punëve të Jashtme Gordan Grliç Radman, Ministri i Shëndetësisë Vili Berosh dhe Ministri i Mbrojtjes Mario Banoziç, dje vizituam të lënduarit e tragjedisë së djeshme në Kroaci, të cilët ndodhen në spitalin e qytetit Slavonski Brod. Vetëm një nga të lënduarit është dërguar për arsye specifike mjekësore në Zagreb, të gjithë të tjerët janë vendosur në spitalin e qytetit. Dy nga pacientët ende ndodhen në trajtim intensiv, njëri prej tyre në gjendje tashmë stabile. Të gjithë të tjerët janë në gjendje stabile shëndetësore dhe shumë prej tyre pritet të lirohen nga spitali gjatë ditës së sotme.

Sipas informacioneve të mjekëve kroatë, edhe gjendja e pacientit në Zagreb është e mirë dhe stabile. Në spital i takuam të gjithë pacientët një nga një dhe me secilin prej tyre shkëmbyem nga pak fjalë. Shumë prej tyre, dhe sidomos fëmijët, e kishin të shkruar në fytyrë tmerrin e përjetuar. Në ndërkohë në spital kishin filluar të arrinin familjarët e të lënduarve, të cilët duke u bashkuar me familjet e tyre po ndihmojnë në përmirësimin e shpejtë të gjendjes shpirtërore dhe mjekësore të të lënduarve.

Një falënderim i madh i takon drejtorit të spitalit, z. Josip Samardziç, mjekëve dhe të gjithë personelit shëndetësor për përkujdesjen dhe përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm ndaj të gjithë të lënduarve dhe familjarëve të tyre.

Më pas u takuam me udhëtarët e autobusit, të cilët aksidentin e kishin mbijetuar pa lëndime. Në pensionin, në të cilin ishin vendosur nga qeveria kroate, i gjetëm të grumbulluar rreth një tavoline të madhe. Me shumë shqetësim pyetën për gjendjen e të shtruarve në spital dhe na treguan përjetimet e tyre.

Së bashku me Kryeministrin po kthehemi në Kosovë. Ministrat Sveçla dhe Vitia po vazhdojnë të qëndrojnë në Slavonski Brod nga ku po kujdesen për të gjitha, edhe për udhëtimin për Kosovë të të gjithë atyre që janë në gjendje të udhëtojnë, dhe këta janë shumica. Sapo të jenë kryer procedurat e nevojshme, trupat e atyre që humbën jetën në këtë aksident të tmerrshëm do të sillen në destinacionin e dëshiruar nga familjet e tyre.

Nuk ka fjalë që mund të përshkruajë falënderimin dhe mirënjohjen ndaj ndihmës së shpejtë, efektive dhe shumë njerëzore të të gjitha autoriteteve kroate duke filluar që nga policia në vendin e ngjarjes, njësitë e zjarrfikësve, njësitë e shpëtimit, personelin shëndetësor, të gjithë mjekët dhe duke vazhduar me drejtuesin e qarkut Brod-Posavina, z. Danijel Marusic, kontigjentin kroat të KFOR-it, pilotët kroat që na çuan në Slavonski Brod, ambasadorët gjerman në Zagreb dhe Prishtinë, ministrat e qeverisë kroate dhe në radhë të parë Kryeministrin kroat Plenkoviç. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e saj përherë do të mbeten mirënjohës për këtë ndihmë të jashtëzakonshme në ditë të vështira.

Sot është ditë zie në Kosovë. Ditë gjatë së cilës lutemi për viktimat e kësaj tragjedie dhe të afërmit dhe të dashurit e tyre. Ditë, e cila na vë edhe më shumë në pah se sa e brishtë është jeta dhe sa i domosdoshëm solidariteti në shoqërinë tonë të rrahur nga sfidat.

Më Shumë

Probleme me ngrohjen në dy shkolla të Prizrenit

Për shkak të një defekti në pompën e naftës së kalldajës dhe mungesës së energjisë elektrike, sot dhe nesër nuk do të zhvillohet procesi...

I jepet lamtumira e fundit veteranit të UÇK-së, Sabri Popaj

Në Fortesë të Rahovecit sot i është dhënë lamtumira e fundit veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sabri Popaj. Kryetari i Rahovecit në “Facebook”, Samaj...

Lajmet e Fundit