Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, përmes një postimi videomesazhi i është drejtuar qytetarëve duke i përmendur të arriturat gjatë dy viteve në udhëheqje në luftën kunër kësaj dukuri.
Kurti, përmes këtij postimi në Facebook, tha se dy vite e nëntë muaj më parë, ka filluar rrugëtimin drejt qeverisjes së mirë, luftimit të korrupsionit dhe vendosjes së rendit dhe ligjit.
“2 vite e 9 muaj më parë, kur ka rilindur shpresa për një të ardhme më të mirë, kemi bashkuar forcat që të ngrejmë kulturën e integritetit në institucione, përmirësojmë mirëqenien, fuqizojmë pozitën e gruas në shoqëri dhe ruajmë paranë publike nga keqpërdorimi.Jemi zotuar për investime të mençura e projekte zhvillimore. Kemi rritur buxhetin për 35%, kemi zvogëluar dëmet në minimum dhe kemi raportuar krimin e korrupsionin që e kemi gjetur”, ka shkruar Kurti.
Kreu i qeverisë tha se sot ju drejtohet të gjithëve pa dallim, për të adresuar një çështje që e ka përcjellë shoqërinë tonë për vite me radhë, sipas tij, si pasojë e keqqeverisjes, mentalitetit të shëmtuar përfitues dhe idesë së shtrembur që e konsideron shtetin si arkë për pasuri personale e jo për mirëqenie kolektive. Pra: korrupsionin”.
“Sot, në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, dua të theksoj rëndësinë e luftimit të korrupsionit, duke përkujtuar pasojat që të gjithë kemi ndier për vite me radhë, e që rezultuan me varfëri të skajshme në dobi të pasurimit të individëve e grupeve të interesit. Nga ryshfeti deri te nepotizmi, kemi qenë dëshmitarë të të gjithave – efektit koroziv në menaxhimin e financave publike, dëmtimit të cilësisë e sasisë të shërbimeve, regresit ekonomik e deri te humbja e besimit në institucionet e shtetit”, tha Kurti.
Sipas tij, oligarkët e duan shtetin si anije tregtare e jo si republikë demokratike: “ata që kanë më shumë mall përcaktojnë drejtimin e anijes. Me qeverisjen tonë progresiste Kosova e pavarur është republikë demokratike dhe jo anije tregtare”.
“Gjakderdhja financiare, skamja e shërbimeve institucionale, keqmenaxhimi i parasë publike e krimi brenda organeve shtetërore e të qeverisë kanë marrë fund. Me përkushtim, duke vendosur dinjitetin mbi çdo gjë, kemi nisur luftimin e korrupsionit nga brenda për ta shtrirë mbi çdo segment të shoqërisë tonë”, shkruan tutje Kurti.
Ai thotë se në fillim të qeverisjes së tij kosova është ngritur për 20 vende në Indeksin e matjes së perceptimit të korrupsionit të Transparency International.
“Nën udhëheqjen tonë janë kryer mbi 1100 operacione policore kundër krimit ekonomik e korrupsionit. Mbi 4000 persona janë arestuar, prej të cilëve mbi 300 zyrtarë shtetërorë. Kemi shkatërruar 103 grupe kriminale dhe konfiskuar mbi 2 ton narkotikë”, ka shkruar tutje Kurti.
Kurti ka shtuar se don një gjyqësor të pavarur, prokurorë efikas e gjyqtarë që veprojnë me urtësi e mençuri.
“Drejtësia mund të vonojë por kurrë të ndalohet…Vonimi i reformës përmes ankesave banale, sikur ishte ajo për Ligjin për Investimet e Qëndrueshme, nuk ka sesi t’i imponohet vullnetit qytetar si realitet”, thotë Kurti.
Ai tha se në vazhdim të punës kundër korrupsionit, në vijim do prezantojn edhe Strategjinë shtetërore kundër korrupsionit – vizionin e Qeverisëpër vendosje të rendit dhe ligjit, ngritjes së cilësisë të administratës publike, reformimit të shëndetësisë dhe vendosjes së llogaridhënies te menaxhimi i parasë publike.