Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pak para mesnatës ka shkruar dhe në Twitter për masat e BE-së ndaj Kosovës, duke i quajtur për keqardhje.
“Masat janë për të ardhur keq, p.sh. pasi ato janë një reagim ndaj mbrojtjes sonë të patundur të vlerave bazë të vetë BE-së-demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Megjithatë, Kosova mbetet një aleate e BE-së, besnike ndaj asaj që përfaqëson Unioni”, ka shkruar Kurti, duke e emituar edhe një qëndrim që ka shfaqur në mbledhjen e sotme të Qeverisë.
Bashkimi Evropian, siç ka thënë Kurti, te Kosova e gjen partnerin dhe aleatin e saj më të sinqertë dhe të qëndrueshëm në rajon të vlerave evropiane, parimeve demokratike dhe interesave afatgjate. “Kosova të tillë e ka Qeverinë. Të tillë e ka popullin. Së pari popullin e pastaj Qeverinë”, tha Kurti.
Kujtojmë se shefat e 27 shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian kanë trajtuar mes tjerash edhe për tensionet në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Në fund të samitit, liderët evropian pritet të miratojnë konkluzionet me anë të së cilave, do dënohen incidentet e dhunshme në veri dhe do kërkohet hapat drejt de-përshkallëzimit bazuar në planin tre-pikësh evropian.