16.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Kush është Russell dhe si ta lexojmë

bertrand-russell-300x168Bertrand Russell është filozof, logjistien, reformator social britanik dhe një nga figurat themeluese të lëvizjes analitike në filozofinë anglo-amerikane, ndonëse për çudi, në vitin 1950 ka marrë çmimin “Nobel” për Letërsi. Kontributet e Russell përfshijnë fusha të ndryshme, si logjikë e epistemologji dhe, sidomos, filozofinë e matematikës. Të gjitha këto kontribute e bëjnë një nga filozofët më të shquar të shekullit XX. Në vitin 1890, Russell fillon studimet për matematikë në Trinity College, Universiteti i Cambridge, por më pas iu kushtua tërësisht filozofisë. Librin “Një përvijim i filozofisë” që po i paraqesim lexuesit shqiptar, e shkroi në fund të viteve ‘20, në një kohë kur ishte i afirmuar si filozof i një natyre të veçantë. Ndërkohë, nën ndikimin e një prej miqve të tij, filozofit anglez G. E. Moor, heq dorë nga idealizmi, në modë prej më se dy shekujsh, për t’u marrë me një fushë të re të studimit, logjikën. Njerëzit që ndikuan më shumë në botëkuptimin e Russell gjatë kësaj kohe ishin pjesë e “grupit gjerman të matematikanëve”, si Richar Dedekind, Karl Weierstrass dhe Georg Cantor, sipas të cilëve matematika qëndron në themelin e çdo logjike. Pikërisht këtë, Russell e quan më vonë si një nga sukseset më të mëdha me të cilin mund të mburret koha jonë. Russell shkon edhe më tej, duke e perceptuar matematikën jo vetëm themelin rigoroz të logjikës, por edhe konsideruar si tërësisht logjikë.

Brenda kësaj filozofie, ideja kryesore e Russell-it se strukturat gramatikore të gjuhës së përditshme nuk kanë lidhje me format e vërteta logjike të të shprehurit, ka qenë kontributi i tij më jetëgjatë në filozofi.

I

Filozofia e Bertrand Russell-it, në qoftë se do ta quajmë si të përmbledhur në këtë libër, pa dyshim që është një filozofi analitike, e cila duke u shkëputur nga filozofia tradicionale nuk mbështetet më në hapësirën e vjetër logjike, por në një logjikë të re, e cila na lejon që ta shikojmë filozofinë sipas nevojës. Që në krye Russell shprehet: “Gjithçka që mund të themi në këtë fillim, është se, ka disa probleme që iu interesojnë disa njerëzve…Të gjitha këto probleme janë të tilla që ngrenë dyshime lidhur me shtigjet e zakonshme të dijes, nëse duhet t’u përgjigjemi këtyre dyshimeve, kjo mund të bëhet vetëm me anë të një studimi të posaçëm, të cilin ne e quajmë filozofi”.

Ky është koncepti i Russell-it për filozofinë, sepse ai koncepton se filozofia lind nga një përpjekje tepër ngulmuese për të arritur njohjen e vërtetë. Pikërisht për këtë, libri i tij “Një përvijim i filozofisë” na jep analizën e gjerë të procesit të njohjes dhe formimit të dijes, ndryshe nga gnoseologjia klasike që ka qenë teoria e njohjes në filozofi.

Që në fillim Russell e nis kritikën në këtë libër nga tri defektet që mban në vetvete procesi i njohjes dhe, më pas, edhe i mendimit njerëzor. Ai thekson se ajo që quhet njohje në jetën e zakonshme vuan nga tri defekte: siguria absolute, paqartësia dhe kontradikta me vetveten. Russell mendon se kapërcimi i këtyre tri defekteve do krijojë një vizion të ri në lidhje me teorinë e njohjes; dhe për këtë arsye, njohja mund të jetë një tjetër lloj njohjeje në rast se ajo është eksperimentale, precize dhe vetëkonsistente. Në këtë rast të fundit Russell përdor termin anglez: self-consistent, që ka kuptimin – që qëndron në mënyrë konstante me të njëjtat parime të mendimit ose veprimit. Sipas kësaj lloj kritike, Russell propozon që njohja të mos jetë dogmatike por eksperimentale, jo e paqartë por e saktë dhe, brenda kësaj, ajo duhet të jetë me një qëndrueshmëri të lartë kundrejt parimeve të ndjekura, në mënyrë që gjykimi të mos bjerë në kontradiktë më vetveten.

E gjithë kjo tablo për qartësi eksperimentale në funksion të njohjes, shmanget nga Russell për t’u quajtur shkencë, sepse ai e quan mundësi logjike për të arritur në shprehinë e të menduarit të saktë. Për faktin se mendimi njerëzor e ka si defekt në gjykimin e vet paqartësinë, theksojmë se Russell ka të drejtë kur mbështet mendimin se paqartësia nuk do të zhduket njëherë e përgjithmonë, sepse qartësia e mendimit është tendencë në proces dhe jo përfundim; prandaj dhe filozofia është një veprimtari e vijueshme dhe jo diçka në të cilën ne mund të arrijmë përsosmërinë një herë e përgjithmonë.

Russell ka të drejtë kur gjykon se koncepti i përsosmërisë së fundme është një vuajtje që filozofia e ka marrë si pasojë e ndikimit ose bashkëshoqërimit të saj me teologjinë. Dogmat teologjike janë të pandryshueshme, – thotë Russell, – dhe ortodoksët nuk shohin asnjë mundësi përmirësimi, por e keqja është se edhe filozofët kanë provuar shpeshherë të krijojnë sisteme të ngjashme përfundimtare. Shembullin më të saktë të kundërshtimit të idesë përfundimtare nec plus ultra na e japin përqasjet graduale që kanë kënaqur gjithmonë njerëzit e shkencës. Kjo është arsyeja që filozofia duhet të jetë jo një proces i përfunduar, por e pjesshme dhe e përkohshme si shkenca, sepse, thotë Russell “e vërteta e madhe i takon qiellit dhe jo kësaj bote”.

Vetëdija ose mendimi i ngritur në nivelet e gjykimit patjetër që është një proces. Ecuria e mendimit njerëzor nëpërmjet gjykimeve të mëdha ka ecur nëpërmjet shkencës dhe filozofisë, të cilat nuk do të bashkohen ndonjëherë. Ecuria e ligjeve fizike ose shkencore mban brenda vetes dy aspekte: memorien dhe dëshminë. Neve na duhet t’i lidhim të dyja, sepse, atë që mbajmë mend e kemi vrojtuar vetë dikur, por në procesin e dijes sigurisht që merr pjesë dhe ajo që thonë të tjerët pasi e kanë vrojtuar, dhe kjo është dëshmia. Kjo është arsyeja që kujtesa dhe dëshmia janë dy aspekte themelore të shkencës. Ky është objekti fillestar që Russell përpunon që në kapitullin e parë të librit të tij, dhe për këtë fakt, sigurisht që ai e fillon studimin e vet analitik me memorien si një risjellje ndërmend të ngjarjeve të kaluara. Pa memorien as që mund ta mendonim interpretimin e kujtimeve si të zbatueshme për të shkuarat, sepse nuk do ta dinim fare nëse kishte ndonjë të shkuar.

Duke u përqendruar te memoria është e qartë se, për një ngjarje të shkuar nuk është i mundshëm asnjë konfirmim i drejtpërdrejtë, sepse ne nuk e bëjmë dot të shkuarën të ndodhë përsëri. Për të, ne kemi vetëm një konfirmim të tërthortë: në zbulimet që bëjnë të tjerët dhe në kujtimet e bashkëkohësve. Memoria ose kujtesa e çdo njeriu nuk mund të jetë perfekt në ecurinë e kohës. Çdo njeri që hap letrat që ka shkruar shumë vite më parë, mund të vërtetojë sesi i ka shtrembëruar kujtesa e tij ngjarjet e shkuara. Kjo është arsyeja që, si kritikë e memories, duhet të themi se ajo vështrohet si jo krejt e sigurt për atë që merret si njohje.

Por aspekti i dyti, dëshmia, paraqet probleme dhe më të vështira. Dëshmia njerëzore është në fakt raporti midis mendjes dhe materies, dhe ajo, prandaj paraqet të gjitha problemet që lidhen me këtë raport. Pikërisht në këtë raport vjen dhe përplaset fjala dhe mendimi, karakteri simbolik i fjalës dhe karakteri sintetik i mendimit. Dëshmia është pohim dhe gjithmonë do ngremë një pyetje ‘a jemi të sigurt’, ‘a është ajo e vërtetë në lidhje me shprehjet dhe fjalitë që dëgjojmë dhe për ato që ne bëjmë?’ A e ka fjala vlerën normale për të shprehur të vërtetën në perceptimin si njohje? Shprehjet që dëgjojmë, a janë të ngjashme me ato që bëjmë? Të gjitha këto natyrisht që kërkojnë një analizë të thellë dhe Bertrand Russell është i pari filozof që iu kushtua këtij fenomeni: fenomenit të kujtesës dhe dëshmisë. Brenda analistikës së tij shohim në këtë libër të gjitha kontradiktat që krijon shqisa në lidhje me fjalën dhe fjala në lidhje me mendimin; paqartësia potenciale e fjalës, sjell dhe paqartësi potenciale të mendimit, ose, për të qenë më të qartë, të gjitha defektet e perceptimeve të shqisave patjetër që krijojnë defekte në mendim dhe në fjalë.

Analiza e Russell-it në formimin e njohjes nga perceptimi në ide ose në koncept nuk është deklamative por analitike. Russell në këtë libër jep mendimet fillestare të analizës së mendimit në një kënd filozofik dhe prandaj sigurisht që është një nga themeluesit e filozofisë analitike.

II

Kjo është arsyeja që pjesën e parë të analizës së tij filozofike në librin që kemi në diskutim, Russell e quan: Njeriu i vështruar së jashtmi. Pjesën e dytë të këtij libri ai e quan Bota fizike, dhe, nëse në pjesën e parë merret me raportin ndërmjet njeriut dhe mjedisit me gjuhën dhe kujtesën të parë objektivisht, duke përfunduar deri tek sjellja; në pjesën e dytë na jep, befas, të gjithë botën fizike: strukturën e atomit, relativitetin dhe shkakësinë si ligj fizik, por edhe hapësirën fizike si perceptim.

Pjesën e tretë Russell e quan Njeriu i vështruar së brendshmi, duke u përqendruar tek vetëvrojtimet, imazhet, imagjinata dhe kujtesa; pastaj tek emocioni, dëshira dhe vullneti. Të gjitha këto vjen dhe i konvergon në një pikë: tek etika.

Në rast se midis pjesës së parë Njeriu i vështruar së jashtmi dhe pjesës së tretë Njeriu i vështruar së brendshmi, Russell ndërton pjesën e dytë dhe e titullon Bota fizike, për të bërë lidhjen midis së jashtmes dhe së brendshmes tek njeriu që mendon shkencërisht; pjesën e katërt, që është pjesa e fundit e librit, ai e quan Universi. Në fakt, kjo është logjika e tij që kalon nëpër mendjen shkencore, në argumentet për perceptimin dhe imagjinatën deri në krijimin e njohjes shkencore, në një krah, dhe mendimit njerëzor të përmirësuar gradualisht, në krahun tjetër.

*Pjesë nga parathënia e librit “Përvijimi i Filozofisë” të Bertrand Russell, botim i UET-Press/ Spartak Ngjela/

Më Shumë

34 vjet nga vdekja e veprimtarit Fadil Vata

Sot mbushen 34 vjet nga vdekja e veprimtarit të çështjes kombëtare Fadil Vata. Ai është njëri nga veprimtarët dhe udhëheqësit më të devotshëm të Lëvizjes...

Mblidhet Kuvendi, në rend dite marrëveshja për tunelin Tetovë-Prizren

Sot do të mbahet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku në mesin e pikave të rendit të ditës është edhe shqyrtimi i Projektligjit...

Lajmet e Fundit