10.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Kush ishte ‘Gjyzepina’ e Kol Idromenos?

Gjyzepina ÇobaGjyzepina Çoba lindi në vitin 1922. Në familjen e motrës së Idromenos (Antoneta me Andrea Skanjetin) që përbëhej nga pesë vajza dhe një djalë, Orsolina ishte vajza më e vogël e familjes. Nga martesa me tregtarin e njohur Luigj Çoba, Orsolina lindi Gjyzepinën. Pra, Gjyzepina është mbesa e Tones, gruas së pikturuar te tabloja Motra Tone, si dhe stërmbesë e autorit të tablosë, piktorit Kol Idromeno.

Në moshën 17 vjeç, në vitin 1939, u martua me Ndoc Vasinë, një nga intelektualët e njohur të kohës, regjisor, dramaturg dhe përkthyes. Gjyzepina që në fillim u dallua midis të gjitha vajzave në kolegj dhe në shfaqjet teatrale në Shkodër, veç talentit edhe për hijeshinë e fytyrës, ndërsa kur erdhi në Tiranë, ndjeu reagim të menjëhershëm për bukurinë e saj, një bukuri e rrallë që u shfaq edhe më e plotë me veshjet e reja të nuses. Thuhet se në ballot bretërore dhe në ceremonitë e kohës, pushteti i bukurisë së Gjyzepinës ishte i fuqishëm mbi të gjithë burrat e pranishëm. Në një nga fotot e fillimit të viteve ’40, në imazhin e saj ndjehet e njëjta finesë me madamat e salloneve të Parisit dhe kryeqyteteve të tjera evropiane.
Ndonëse pas pak vitesh u kthye në qytetin e Durrësit, falë vlerave të burrit të saj, që u emërua në drejtimin e lëvizjeve artistike, ndonëse i lindi edhe një djalë, Nikoleti (piktori i ardhshëm), Gjyzepina nuk mundi ta përballojë jetën familjare në atë periudhë të vështirë.

U kthye në qytetin e lindjes (1953), pranë vëllait të saj Ernest Çoba, në atë kohë Ipeshkv i Shkodrës. Pas disa muajsh filloi punë në Shtëpinë e Kulturës së qytetit. Kopjonte partiturat muzikore. Disa nga pjesët muzikore që ka shkruar ajo ruhen edhe sot si një dëshmi e talentit dhe përkujdesit të saj artistik. Në mjediset e Shtëpisë së Kulturës, Gjyzepina njihet me një nga artistët më të njohur të qytetit, piktorin Vladimir Jani.

Gruaja e bukur takoi njeriun që e kuptonte dhe e vlerësonte, ndërsa artisti shkodran, i diplomuar në Akademinë e Firences, gjeti imazhin e femrës që kishte ëndërruar. Dashuria e tyre u kthye shpejt në martesë dhe, që nga ajo ditë, Gjyzepina përfundimisht jetoi në Shkodër, larg vajzës dhe djalit, për të cilët u kujdes i shoqi Ndoc Vasia, që ia përkushtoi jetën e tij rritjes së fëmijëve dhe veprimtarisë artistike. E vetëdijshme për forcën e bukurisë së saj, sidomos pas martesës me piktorin e njohur, thuhet se Gjyzepina tregohej gjithnjë më e kujdesshme në evidentimin e hireve femërore. Ende edhe sot në Shkodër e kujtojnë me emrin “Gjyzepina e bukur”.//bw/

Më Shumë

Asfaltohet rruga Zym-Lugishtë-Dedaj në Has

Komuna e Prizrenit ka bërë të ditur sot se është shtruar shtresa e dytë me asfalt në rrugën Zym-Lugishtë-Dedaj të Hasit. "U shtrua sot shtresa...

Pse e sulmoi Irani Izraelin?

Ben Blushi Sulmi i Iranit kundër Izraelit do të mbahet mend si një ngjarje në të cilën ai që sulmon ka më shumë frikë se...

Lajmet e Fundit