10.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

Kush e ka mizën nën kësulë?

Agim MuhaxheriShkruan: Agim Muhaxheri

Ka diploma origjinale dhe aso të rreme. Bëhet allishverishi sipas asaj: Ti paguaje çmimin, unë të jap diplomën… Me këtë biznes të pistë i kanë rënë në fije si të pasurohen. Etiologjia dhe fenomenologjia e kësaj forme të kriminalitetit është e theksuar pas luftës. Mbase ndonjë student i drejtësisë mund të ketë temën e diplomës në fushën e Kriminologjisë, të shkruajë për këtë fenomen.

Macet i morën 503 diplomat e Fakultetit në një “fabrikë” të Pejës. Për një ditë kishin diplomuar 105 studentë. Ky “rekord” është i paparë. Gazetarët e zbuluan skandalin. Tash i mbetet prokurorit të kryejë punën e vet, të ndajë shapin nga sheqeri. Lista e të diplomuarve është multietnike. Ka diplomantë nga Bosnjë e Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia. Diplomat e “forta” i morën edhe zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës!

Detyrë e prokurorëve nuk është vetëm të ngrenë aktakuzat, por të kujdesen për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Mund të gëlltiten laikët që s’dinë ç’është ligji e shteti, por kjo s’u falet atyre të Inteligjencës, një nga shtyllat e shtetit.

Këta të Inteligjencës i hetojnë të tjerët, kujdesen për sigurinë e shtetit dhe vetë të bien në këso gracke është një non sens. Kur këta zyrtarë i përziejnë gishtat në krim, bie imazhi i shtetit.

Prokurori e ka lëshuar plugun thellë, po e hallakat arkivin e Fakultetit të Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë për të nxjerrë të vërtetën në shesh.

Prokurori i bën hetimet në këtë Fakultet. Thuhet se ky institucion, në vend të vlerave, u mor me antivlera, shkeli në zonën kriminale. Mbetet të verifikohen akuzat, të nxirren në gjyq mëkatarët!

Diplomantët kanë shkelur në “mina”. Punë e prokurorit është të gjejë siguresën dhe fitilin, të aktivizojë “minën”.

Më herët, Gjyqi Komunal i Pejës i ka shpallur fajtorë 35 zyrtarë të këtij Fakulteti nën dyshimin se janë të përfshirë në lëshimin e diplomave false në periudhën mes viteve 1999 deri 2004. Nuk kam informacione që dikush për këtë punë të jetë gjendur brenda grilave.

Dikur në vitet e 70-a shkruante gazeta për arrestimet e atyre që kishin falsifikuar diplomat e shkollës së mesme. Brenda grilave e kishin çuar edhe mësuesin që kishte falsifikuar diplomën e shkollës normale.

Falsifikimi i dokumenteve zyrtare është një vepër penale e njohur në Ligjin Penal të KSA të Kosovës (1977). Atëbotë për këtë vepër penale (Neni 216) je ndëshkuar deri në pesë vjet burg. Deri në pesë vjet burg (Neni 434), për të njëjtën vepër, mund të ndëshkohesh edhe sipas Kodit tonë Penal (që hyri në fuqi në janar të 2013-s).

Qëllimi i dënimit, sipas Nenit 41 të KP-së është të parandalojë kryerësin nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tij; të parandalojë personat e tjerë nga kryerja e veprave penale…

Kryerësit e kësaj vepre le të kujtohen se çka i pret.

Për ata që i hyjnë kësaj aventure s’ka pardon. Një rregull e trashëguar nga e drejta e lashtë romake thotë: “Ignoratia legis non excusat” që i bie: Mosnjohja e ligjit s’të falë”. Kjo vlen edhe sipas të drejtës sonë.

Diplomat “me vula” i kanë marrë edhe në “trafikat” e tjera, në atë të Prishtinës, Tiranës, Tetovës…

Diplomat, pas dore, i kanë edhe ata që janë në majat e shtetit. Ato në shikim të parë duken të jenë të ligjshme, kanë vulën e Universitetit, nënshkrimin e dekanit… Por si janë marrë, pa e “nxehur” karrigen?

Kosova është e vogël, njerëzit njihen mes vete. Komshiu e njeh komshiun, e di sa lugë i ka në shtëpi. Tipi krekoset se e ka diplomën e fakultetit. Komshiu reagon: Unë e njoh atë, ai me çykë të zorit e ka kryer shkollën e mesme, kur e kreu fakultetin ? “E hypim në kerr tipin, e çojmë në Tiranë, nëse e gjen derën e fakultetit e zamë se e ka krye fakultetin”, shprehet reaguesi.

A kemi diplomantë (jo diplomatë – v. i.) “për eksport”?

Disa të tregojnë diplomat me vulë të Universitetit, i quajnë diploma “lege artis”, që “s’i luan as topi”! Po këta tipa kur mbajnë ndonjë fjalim bëjnë gabime që s’i bëjnë filloristët. Mos e vet, të kallëzon vet!.

Ju që i keni diplomat false, hiqni dorë nga ato, gjuani në “gropë të qenefit”, ngase gjë s’ju vyejnë. Nëse s’i gjuani, i ruani në ram, kapeni, pastaj mos thoni: Kuku nanë çka i bana vetes!

Ka tipa që s’dinë të flasin e të shkruajnë shqip, janë magjistra, doktorë të shkencave. Këta analfabetë s’kanë dëgjuar për thënien latine: “Non scholae, sed vitae discimus” (Nuk mësojmë për shkollë, po për jetë). Nuk çajnë kokën për këtë thënie. Me rëndësi është të shesin mend. Kujt t’i shesin mend?

“Magjistrat” shkruajnë libra për UÇK-në, libra me “kore të trasha”, i ilustrojnë me syreta. I nxjerrin aty jaranët e tyre. Kujtojnë se po bëjnë historinë. Nuk shkruhet historia me përralla.

Nuk dihet sa është numri i atyre që bën allishverish me diplomat e fakultetit. Nuk dihet sa “magjistra” e “doktorë” i ka Kosova.

“Bageri” i shtetit le t’i fshijë, t’i shpallë të pavlefshme diplomat e tyre të pista.

Ndërkaq, gazetat le t’ua nxjerrin emrat. Gazetat e kanë “armën me leje”. Këtë mund ta bëjnë.

Fjala vret, apo jo?

Më Shumë

Tërmet në Malishevë

Pasditen e së hënës ka ndodhur një tërmet në zonën e Malishevës. Siç raporton Meteo Kosova, tërmeti ka qenë epiqendër në mes të Malishevës dhe...

Ndahet nga jeta në moshën 92-vjeçare shkrimtarja kanadeze dhe fituesja e çmimit Nobel, Alice Munro

Autorja kanadeze, Alice Munro, fituese e çmimit Nobel për Letërsinë në vitin 2013, ka vdekur në moshën 92-vjeçare. Munro shkroi tregime të shkurtra për më...

Lajmet e Fundit