18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Kush për, e kush kundër Tribunalit

Gjykata-qekiqiPartia Demokratike e Kosovës tashmë ka konfirmuar se deputetët e saj nesër në Kuvendin e Kosovës do të votojnë për themelimin e Gjykatës Speciale, të njëjtën gjë e ka konfirmuar edhe LDK-ja kurse AAK-ja në parim është shprehur pro kësaj gjykate. Ndërsa, lëvizja Vetëvendosje dhe kryeparlamentari Krasniqi, vazhdojnë të mbajë qëndrim kundër Tribunalit. Kundër themelimit të kësaj gjykate janë shprehur edhe shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.

Ishte vetë kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, i cili tha se kryesia e partisë së tij sot ka marrë qëndrim unanim që nesër të votohet pro formimit të gjykatës së veçantë.

Ndërsa , paralajmërimin e kreut të LDK-së se Grupi parlamentar i LDK-s do ta votojë formimin e Tribunalit, për krimet e supozuara të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e ka konfirmuar edhe anëtari i kryesisë së kësaj partie, Kujtim Shala.

“Do ta votojmë, sepse s’kemi alternativë tjetër si shtet”, ka thënë Shala për Telegrafin.

Ndryshe, pro vendimit për themelimin e Tribunalit, është edhe partia tjetër opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se partia e tij e mbështet në parim themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e pretenduara të luftës së UÇK-së.

Kundër themelimit të Tribunalit është shprehur hapur Lëvizja Vetëvendosje dhe Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Ky i fundit, pati theksuar se UÇK-ja nuk e ka asnjë faj se pse sot kërkohet themelimi i një Tribunali për krimet e supozuara të luftës.

Në këtë kontekst, Krasniqi i ka bërë fajtorë institucionet vendore dhe ndërkombëtare për këtë çështje.

Kundër Tribunalit janë shprehur edhe ata të cilët lobojnë për të drejtat e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Nëpërmjet një kumtese për medias shoqatat e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shpjeguar se janë kundër themelimit të Gjykatës Speciale për krime të luftës.

Ata kanë thënë se këtë e bëjnë për shumë arsye, ndër të cilat veçojnë:

1. Kjo Gjykatë është politike, andaj nuk ka aspak të bëjë me drejtësinë.
2. Kjo Gjykatë, në cilën do formë që të merret, është kundër Luftës së UÇK-së, e cila edhe në planin botëror është pranuar si luftë çlirimtare. Një luftë vetëmbrojtëse nuk ka mundur të bëjë krime të luftës.

3. Kjo Gjykatë është e padrejtë, sepse merret vetëm me luftën e UÇK-së, gjë që shkelë normat elementare ndërkombëtare, kur një popull që krijon një ushtri vullnetare për t’u mbrojtur, tashti gjykohet për krime lufte.

4. Një Gjykatë e këtillë do të duhej ngritur kaherë për të dënuar krimet e luftës që ka bërë mbi popullin shqiptar, Ushtria dhe policia pushtuese serbe.

5. Kjo Gjykatë, pa marrë parasysh se çfarë emri do të ketë, si dhe kudo që do të themelohet, në Kosovë apo jashtë saj, është edhe kundër luftës për liri të shqiptarëve dhe, po ashtu shkel mbi dinjitetin e popullit shqiptar, kudo që është ai, ngase gjykohet lufta për liri dhe çlirim të tokave të pushtuara.

6. As luftëtarët e lirisë, as populli shqiptar nuk është kundër drejtësisë, as asaj ndërkombëtare, e cila që nga viti 1999 është në Kosovë, por janë kundër gjykatave politike, si kjo, që gjykon vetëm njërën palë, kurse pala pushtuese që ka bërë krime kundër njerëzimit dhe ka bërë gjenocid, deri edhe në shfarosjen e popullit shqiptar, lihet anash, thuajse ata janë viktimat, kurse luftëtarët e UÇK-së, kriminelët. Një padrejtësi e këtillë shkel normat elementare të sovranitetit dhe të lirisë së Kosovës, qoftë edhe kështu si është deri tashti, e cila mëton dhe e ka ideal kombëtar, bashkimin e kombit. /Telegrafi/

Më Shumë

Prizren/ Për një javë shqiptohen mbi 1900 gjoba për shkelësit e rregullave të trafikut

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, së bashku me Njësinë Rajonale të Komunikacionit Rrugor dhe stacionet policore të saj, gjatë periudhës 15.07.2024-21.07.2024, në kuadër...

Motoçiklisti lëndohet rëndë pasi u godit nga vetura

Një motoçiklist ka pësuar lëndime të rënda trupore pasi u godit nga një veturë. Aksidenti ka ndodhur sot në Prizren, në rrugën “Beteja e Kabashit”. Lajmin...

Lajmet e Fundit