17.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Kuvendarët e Prizrenit kërkojnë shtimin e bursave për studentë

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit kanë shprehur qëndrimin se në këtë proces ka pasur lëshime. Madje, kuvendarë të caktuar kanë deklaruar se ka pasur edhe manipulime. Pavarësisht kësaj, është kërkuar shtimi i numrit të bursave për studentë, duke marrë parasysh numrin e popullatës në këtë komunë.

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se gjatë vitit 2020 ka ndarë gjithsej 80 bursa për studentët që i kanë përmbushur kriteret sipas konkursit përkatës. Mirëpo, anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit kanë shprehur qëndrimin se në këtë proces ka pasur lëshime. Madje, kuvendarë të caktuar kanë deklaruar se ka pasur edhe manipulime. Pavarësisht kësaj, është kërkuar shtimi i numrit të bursave për studentë, duke marrë parasysh numrin e popullatës në këtë komunë.

Informata mbi ndarjen e bursave për nxënësit dhe studentët nga Komuna e Prizrenit për vitin 2020, në seancën e fundit të KK-së, është prezantuar nga drejtoresha e Arsimit, Xhemile Thaçi–Vezgishi, e cila ka theksuar se në bazë të konkursit të datës 01.07.2020, komisioni përkatës ka mbajtur disa takime në muajin gusht të vitit të shkuar, për t’i shqyrtuar dhe vlerësuar aplikacionet e studentëve.

“Pas shqyrtimit dhe vlerësimit të aplikacioneve, komisioni ka vlerësuar kandidatët të cilët i kanë plotësuar kriteret e përgjithshme sipas konkursit dhe më pastaj i ka vlerësuar sipas kritereve të veçanta, duke i pikëzuar kandidatët të cilët i kanë plotësuar kriteret e përgjithshme. Dëshmi për këtë janë listat e vlerësimit të kandidatëve”, ka thënë ajo, duke dhënë hollësi edhe për klasifikimin.

Sipas saj, duke u bazuar në listat e vlerësimeve, më pas, komisioni i ka nxjerrë si fitues kandidatët të cilët kanë mbledhur më së shumti pikë sipas kritereve të veçanta, duke i ndarë sipas fakulteteve të ndryshme, bazuar në numrin e bursave të parapara me konkurs për fakultetet e ndryshme.

“Te fakultetet te të cilat numri i aplikacioneve, përkatësisht numri i kandidatëve të cilët i plotësojnë kriteret ka qenë më i ulët sesa numri i bursave të parapara që të shpërndahen, komisioni ka vendosur që këto bursa të shpërndahen te fakultetet e tjera, ku numri i kandidatëve që i plotësojnë kriteret është më i lartë. E njëjta procedurë është aplikuar edhe për bursat e parapara për komunitetin joshumicë, ku për shkak të numrit të ulët të kandidatëve të cilët i plotësojnë kriteret te fakultetet e parapara me konkurs, bursat e mbetura kanë kaluar te fakultetet të cilët kanë pasur kandidatë të cilët i kanë plotësuar kriteret nga ana e minoriteteve, përkatësisht te minoritetet të cilët studiojnë jashtë vendit dhe kanë aplikuar për bursa, ndërsa pjesa tjetër e bursave të mbetura nga kjo kategori ka kaluar te fakultetet e tjera të aplikantëve me përkatësi shqiptare”, ka shpjeguar Thaçi–Vezgishi.

të njëjtën kohë ka bërë të ditur se te bursat e shpërndara për studentët që studiojnë jashtë vendit, kriteri i notës mesatare është llogaritur si dytësor, ndërsa parësore në vlerësimin e aplikacioneve kanë qenë largësia e vendit ku studiojnë, gjendja ekonomike dhe familjare e aplikantëve, si dhe vështirësia e fakulteteve ku studiojnë. Zyrtarja e lartë komunale ka sqaruar se prej totalit të 80 bursave, 12 sosh janë ndarë për studentët e komuniteteve joshumicë dhe 5 sosh për studentët që studiojnë jashtë vendit.

Kuvendari nga radhët e LDK-së, Qemal Krasniqi, ka pyetur nëse ka përfitues të bursave që studiojnë në kolegjet private. Drejtoresha Thaçi–Vezgishi ka theksuar se nuk e ka këtë informatë.

“Nuk besoj, ngase kriteret kanë qenë që përparësi kanë studentët e Universitetit të Prishtinës dhe pastaj të universiteteve të tjera”, ka thënë ajo.

Por, Krasniqi ka insistuar për respektimin e kritereve të konkursit. “Ka shumë ankesa prej studentëve, sidomos për ata që janë në kolegje private që kanë fituar bursa. Është mirë të ndihmohen, por kriteret duhet të jenë të njëjta për të gjithë. Ka lëshime”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa Shukri Quni i Nismës ka pohuar se kuvendarët duhet të njoftohen edhe me emrat e anëtarëve të komisionit, sikurse edhe me emrat e përfituesve. Gjithashtu ka adresuar vërejtje për ndarjen e bursave për studentët që studiojnë jashtë vendit.

“Këta që studiojnë jashtë vendit kanë lekë. Le t’i jepet atij që nuk ka mundësi me e shkollu fëmijën e vet. Jashtë vendit kisha kërku me u heqë. Kemi shumë që kanë nevojë për këtë bursë, e që nuk munden të shkojnë deri në Prishtinë për studime”, ka deklaruar ai.

Sherife Balaj nga PDK-ja ka pohuar se numri prej 80 bursash është jashtëzakonisht i vogël për një komunë si Prizreni.

“Më herët kanë qenë mbi 100 bursa”, ka thënë ajo.

Drejtoresha Thaçi–Vezgishi është pajtuar me sugjerimet për shtimin e numrit të bursave, derisa ka shtuar se hollësitë për bursa janë publikuar edhe në uebfaqen e Komunës.

Në anën tjetër, Azem Durmishi i NDS-it ka shprehur qëndrimin se ekziston manipulimi në raport, pasi, sipas tij, në vend të studentëve që përfitojnë nga komunitete pakicë figurojnë emrat e studentëve nga komuniteti shumicë.

“Po manipulohet me studentët e komuniteteve pakicë”, ka thënë ai, duke kërkuar edhe shtimin e numrit të bursave.

Por, drejtuesja e DKA-së i ka kundërshtuar pretendimet e Durmishit.

“Kur thoni manipulim, duhet të keni bazë për këto fjalë”, ka thënë ajo, duke shtuar se çdo dyshim mund të adresohet tek organet e drejtësisë. “Komisioni e ka bërë punën në mënyrë korrekte”, ka theksuar Thaçi–Vezgishi.

https://www.koha.net/kosove/261176/me-gjithe-ankesat-per-leshime-kuvendaret-e-prizrenit-kerkojne-shtimin-e-bursave-per-studente/

Më Shumë

Lajmet e Fundit