Problemet rreth furnizimit me ujë të pijshëm, mungesa e trotuareve, pastaj mungesa e mjekut dhe infermieres gjatë fundjavës dhe probleme të ndriçimit në disa rrugica, mosfunksionimi i zyrës së ofiqarisë si dhe vështirësitë rreth legalizimit të objekteve për shkak të informalitetit, janë ndër preokupimet kryesore në “Lagjen e Trimave” (ish-Tusuzi) në Prizren, që ndodhet në periferi të qytetit.
Përfaqësues dhe banorë të lagjes, thanë se përkundër që kohët e fundit janë realizuar disa projekte, megjithatë nevojat e kësaj pjese, të lënë pas dore nga ish-regjimi janë të mëdha. Gjatë një debati mbajtur nga organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” ata u kanë kërkuar zyrtarëve lokalë ndërhyrje për të mos e lënë këtë pjesë, që ka kontribuar për lirinë e vendit, siç thanë “zorrë qorre” të qytetit.
Naser Berisha, përfaqësues i banorëve tha se për shkak të nevojave të shumta të kësaj lagjeje, investimet e viteve të fundit nga komuna duken të pamjaftueshme. “Një pjesë e kësaj zonë përballet me reduktime të gjata të ujit, ndërsa në një pjesë ai nuk pihet, as për kafshë, pasi disa herë brenda ditës e ndërron ngjyrën”, ka thënë ai teksa ka përmendur edhe nevojën për ndërtimin e një shtëpie të kulturës.
Mujë Berisha ka përmendur mungesën e mjekut gjatë fundjavës, ndërsa kanë thënë se për një injeksion banorët janë të detyruar të shkojnë në ambulancat tjera brenda qytetit.
Banorët Nesim Kolloni e Mehmet Shala paraqitën problemin e mungesës së trotuareve, ndërsa për shkarkimin e rrugëve kanë përmendur nevojën e ndërtimit të një rrugë alternative, që do ta lidhte këtë pjesë me lagjen tjetër periferike “Bajram Curri”, matanë lumit, ndërsa Salajdin Selmanaj u kërkoi organeve komunale përkushtim për realizimin e kërkesave të tyre, në mënyre që të mos përsëriten.
Shani Berisha dhe Fatmir Pireci kanë potencuar problemet lidhur me joformalitetin si njësi territoriale dhe mungesën e trajtimit të kësaj pjese të saj në procesin e planifikimit urban. Ata kërkuan veprim nga Drejtoria e Urbanizmit.
Rreth problemeve në “Lagjen e Trimave” drejtori për Shërbime Publike, Hasan Hasani, ka thënë se çështja e furnizimit me ujë është përgjegjësi e ujësjellësit, por megjithatë komuna nuk ka ndenjur duarkryq dhe ka investuar në disa projekte, për të përmirësuar gjendjen.”Kjo pjesë është ndër prioritetet e komunës edhe për vitin e ardhshëm. Për përmirësimin e furnizimit me ujë, përpos projekteve kapitale në qytet, në ‘Tusuz’ janë paraparë investime në vlerë 120 mijë euro”, ka thënë ai duke theksuar se problemet këtu janë në zgjidhje e sipër.
Sipas tij, vështirësitë dalin edhe për shkak të shtrirjes së shpejtë të ndërtimit të shtëpive, sidomos në pjesën më periferike.
Hasani ka thënë se sipas mundësive buxhetore komuna po planifikon edhe ndërtimin e rrugës që përmes ndërtimit të një ure mbi “Lumëbardh” lidh dy lagjet periferike të qytetit, atë të “Trimave” me “B. Curri”./zeri/