22.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

LDK-ja shumë shpejt do të dalë humbëse nga koalicioni me PDK-në

Njohësit e çështjeve politike në Kosovë kanë vlerësuar se Lidhja Demokratike do të dalë humbëse nga koalicioni qeverisës me PDK-në, raporton GazetaBlic. Sipas tyre, një gjë e tillë mund të ndodhë para fillimit të 2017-ës.

Pas akuzave të fundit ndërmjet deputetëve e ministrave të dy partive në pushtet, ata mendojnë se LDK-ja tanimë është në një gjendje aspak të mirë. Ndërsa, siç janë shprehur ata, ka qenë e ditur se prishja e koalicionit mes PDK-së dhe LDK-së herëdokur do të ndodhë.

Analisti politik Haki Abazi, ka thënë se në këtë periudhë LDK-ja është në gjendje krize, si dhe lidershipi i kësaj partie akoma pa përfunduar viti, do të jetë në një shkallë mjaft të rëndë.

“Lidershipi i LDK-së është në krizë totale. Është një fazë prej së cilës jo LDK-ja, por lidershipi i saj do të dalë i hematosur dhe besoj kjo do të ndodhë para fundit të vitit, për shkak të Gjykatës Speciale”, ka thënë ai në një prononcim për Gazetën Blic.

Abazi ka vlerësuar se Partia Demokratike e Kosovës po luan me LDK-në, sikurse me një “mi”, përderisa sipas tij, vetë LDK-ja do të duhej që të kërkonte hetim ndaj strukturave të SHIK-ut.

“Ata janë duke e parë se si PDK-ja po luan me ta si me një mi të ngordhur. LDK-ja duhet të kërkojë hetim për SHIK-un, por meqë e ka bishtin nën derë, nuk do ta bëjë një gjë të tillë”, ka shtuar ai.

E sa i takon kryetarit të ri të PDK-së Kadri Veseli, Abazi ka thënë se ai ka ardhur deri këtu, duke manipuluar dhe duke tentuar të jetë më ndryshe se ish-shefi i tij, Hashim Thaçi.

“Veseli ka hyrë tanimë në fushatë me manipulimin e fëmijëve dhe foshnjeve në inagurimin e çerdheve dhe duke tentuar të jetë ndryshe prej Hashimit, duke kritikuar marrëdhënien me Turqinë”, ka përfunduar ai.

Nga ana tjetër, analisti politik Faik Krasniqi, ka thënë se që moti është ditur se koalicioni PDK-LDK do të shpërbëhet. Sipas tij, akuzat e fundit midis deputetëve e ministrave të dy partive, janë sinjalet e para të prishtjes së koalicionit qeverisës.
“Këto akuza ndërmjet përfaqësuesve të PDK-së dhe LDK-së, janë shenjat e para të krisjes së koalicionit mes këtyre dy partive. Kjo ka qenë e ditur që nga fillimi, që nga lidhja e koalicionit mes këtyre dy partive, se prishja e këtij koalicioni do të ndodhë”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë se alarmi i parë i kësaj përçarjeje erdhi në seancat e fundit. Ndërsa, ka vlerësuar se së shpejti, Lidhja Demokratike e Kosovës do të hudhet si një “leckë” nga partia me të cilën tanimë është në koalicionin qeverisës.

“Shkëndijat e para të përplasjeve politike mes partnerëve të koalicionit qeverisës filluan në dy seancat e fundit të kuvendit pa prezencën e opozitës. LDK-së “Zanzibari 2” po i troket te dera. Prandaj, pritet shumë shpejt që “Zanzibari 2” t’i japë fund koalicionit PDK-LDK, për ta hedhur LDK-në si leckë të përdorur”, ka shtuar ai.

Krasniqi tutje, ka thënë se shumë shpejt do të shkohet në zgjedhje, pasi që qëllimi i PDK-së ka qenë bërja e Hashim Thaçit president dhe e Kadri Veselit kryetar të partisë.

Ditët e fundit pati disa akuza nga deputetë e ministra të dy partive në pushtet. Deputeti i LDK-së Arben Gashi, qe ai i cili para katër ditësh e akuzoi Kadri Veselin se po merr vendime të njëanshme, duke thënë se kjo formë po e rrezikon koalicionin qeverisës.

Po ashtu, para tri ditësh, pati edhe disa replika midis ministrit Avdullah Hoti nga radhët e LDK-së dhe ish-ministrit Besim Beqaj nga radhët e PDK-së.

Ndërkaq, deklaratat e tilla kanë qenë të pranishme edhe më herët. Para disa javësh, deputeti i PDK-së Nait Hasani, në një intervistë për Gazetën Blic, pati thënë se PDK-ja nuk do të bëjë më koalicion me LDK-në. Po ashtu, ai e pati akuzuar këtë parti për majtizëm. Si rrjedhojë e kësaj, pati reagime nga ana e LDK-së, ku shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie Ismet Beqiri, pati thënë se Hasani nuk pyetet për koalicione. /GazetaBlic/

Më Shumë

Lajmet e Fundit