11.8 C
Prizren
E premte, 18 Tetor, 2024

Leonora Jakupi triumfon

Leonora JakupiKëngëtarja e njohur Leonora Jakupi në edicionin e parë të festivalit të klipit, ‘Netët e klipit shqiptar’, i cili u mbajt në Shkup, arriti ta rrëmbejë vendin e parë, ndërsa përveç saj, edhe këngëtarë tjerë të skenës sonë u shpërblyen, por edhe mbështetën idenë e këtij festivali…

Tash e njëzet vjet emri i saj është ndër emrat më të denjë të skenës sonë. Bëhet fjalë për këngëtaren e njohur Leonora Jakupi e cila edhe këtë radhë tregoi se puna e saj dhe mundi që jep për të, nuk i shkon asnjëherë huq. Kjo pasi që këngëtarja kosovare është shpërblyer me vendin e parë në Shkup, për klipin më të mirë.

Edicioni i parë i këtij festivali që mban emrin ’Netët e klipit shqiptar’ e që u mbajt në Shkup, nxori këngëtaren Jakupi fituese të këtij evenimenti. Ndryshe festivali i klipit është mbajtur në ambient të hapur te sheshi ‘Skënderbeu’ në Shkup nën përkujdesjen e komunës së Çairit dhe mbështetjes së madhe që ka dhënë kreu i kësaj komune Izet Mexhiti.

Fytyra publike mbështetën ‘Netët e klipit shqiptar’

E përveç Leonorës e cila tashmë është fituese e edicionit të parë, në këtë eveniment ishin të pranishëm edhe shumë fytyra tjera publike nga mbarë estrada shqiptare. Ndër ta Vesa Luma, Selami Kolonja, Adelina Tahiri, Xhevdet Jashari – Arifhikmeti, Big Mama, gazetarë të shumtë që kishin udhëtuar nga Tirana e shumë të tjerë të cilët duket qartë se mbështetën, por edhe pëlqyen idenë e kësaj gare.

Ndërkaq pa çmim nuk u ndanë edhe emra tjerë të skenës sonë. Vesa Luma u shpërblye për klipin ‘I ndaluar’, klip ky i cili është realizuar në qytetin e Shkupit, ndërsa është komentuar shumë në kohën kur është publikuar. E për këtë vlerësim vetë këngëtarja ka shprehur falënderimin përmes faqes së saj zyrtare në rrjetin social Twitter, ku kishte shkruar.

“Faleminderit nga zemra për vlerësimin. ‘Netët e klipit shqiptar’”, ishte mbishkrimi i këngëtares Luma i cili u pasua me shumë komente urimesh. E pos Vesës një falënderim të veçantë këtij evenimenti i ka bërë edhe këngëtari i njohur Adrian Gaxha, i cili po ashtu është shpërblyer me dy çmime. Ai në faqen e tij zyrtare në Twitter ka lënë mbishkrimin. “Netët e klipit shqiptar, me dy çmime të rëndësishme. Çmimi i publikut dhe çmimi i alternativës. We are the best. Faleminderit shumë”, kishte shkruar Gaxha.

E siç e do zakoni, redaksia jonë ka provuar të kontaktojë edhe me fituesen e këtij festivali, Leonora Jakupin, mirëpo një gjë e tillë ka qenë e pamundur të realizohej. Sidoqoftë, ne i urojmë asaj fitoren edhe në emër të adhuruesve të muzikës së saj, me shpresë që këngëtarja edhe këtë sezon do të vijë me këngë e klipe të reja.

Më Shumë

Lajmet e Fundit