15.8 C
Prizren
E diel, 12 Maj, 2024

Lërini serbët të vijnë në Elbasan!

MeroBaze-gazetarShkruan: Mero Baze

Autoritetet zyrtare në Serbi kanë ndaluar zyrtarisht mundësinë e tifozëve shqiptarë për të ndjekur kombëtaren shqiptare të futbollit në Beograd, nën arsyetimin e parandalimit të dhunës në sport. Shihet qartë se arsyetimi nuk mbështetet mbi statistika dhune nga tifozët shqiptarë, por politikisht nga ndarja historike mes shqiptarëve dhe serbëve. Më shumë akoma, i druhen një vërshimi të tifozëve të Kosovës në Beograd, të cilët me këtë rast mund të ishin një demonstrim i nacionalizmit shqiptar.

Për të balancuar gjestin e refuzimit të tifozëve, Serbia po ashtu ka vendosur që dhe pala shqiptare të mos pranojë asnjë tifoz serb në ndeshjen e kthimit në Elbasan.

Kjo kërkesë duhet kundërshtuar. Fakti që pala serbe është paragjykuese në këtë rast dhe ka marrë një vendim ekstrem, nuk mund të balancohet duke na vendosur dhe ne në kushte të njëjta. Në Shqipëri askush nuk ka ndonjë ndjesi dhune ndaj tifozëve serbë, dhe ata mund të vijnë lirshëm në Elbasan. Kompleksin e antishqiptarizmit që shoqëria serbe e kultivon si vlerë superioriteti në kulturën e saj urbane, nuk ka pse e konsideron automatikisht si rrezik për dhunë edhe në Shqipëri. Në Shqipëri realisht nuk ka vëmendje ndaj nacionalizmit agresiv serb. Ka një lloj përbuzje dhe indiference ndaj tij dhe kaq.

Disa muaj më parë, kur Tirana u bë qendër e gjithë kryepeshkopëve ortodoksë të botës, kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Serbe, bëri një gjest të shëmtuar. Kishte marrë me vete ca huliganë serbë, dhe me një flamur të Serbisë dolën para Kishës Ortodokse në Tiranë, duke bërtiur “Rroftë Serbia!”. Çudia e tyre ishte se nuk i shau askush, nuk i qëlloi askush, biles nuk desh t’i dëgjonte askush. Folën vetë, dëgjuan vetë, u vetëfotografuan dhe rregjistruan, e vetëpublikuan dhe ikën. Ata që e morën vesh, thjesht patën një shije të hidhur përçmimi.

Me tifozët natyrisht që nuk kemi asgjë dhe janë krejt të sigurtë kur të vijnë. Shqipëria nuk ka asnjë kompleks se Serbia do ta dominojë politikisht dhe etnikisht në Tiranë. Problemi i vetëm i shqiptarëve me serbët ka qenë Kosova, por ajo tani është një problem i tejkaluar, se ka shtetin e vet dhe di ta bëjë vet fatin e saj, dhe në raport me Serbinë. Ne nuk kemi pse vihemi automatikisht në pozitat nacionaliste të serbëve, vetëm pse ata duan të thonë se jemi njësoj të pandryshueshëm, si në Boegrad, edhe në Tiranë. E vërteta është se këtu nuk ka rrezik për dhunë mbi tifozët serbë, dhe nuk vuan askush nga mania për të bërë politikë me ndeshje futbolli. Edhe kur Shqipëria ishte një vend nacional-komunist në vitin 1987, ka luajtur në Beograd, bile dhe ka fituar, por nuk ka bërë gjeste nacionaliste kundër serbëve. As tani nuk ka ndërmend të bëjë. Serbia është ende e pashëruar nga plaga e humbjes së Kosovës, dhe po tenton të na barazojë dhe ne si një komb i sëmurë.

Shqipëria nuk duhet ta pranojë këtë shenjë barazimi. Ata vuajnë vërtet nga sindroma antishqiptare dhe si të tillë nuk përmbajnë dot emocionet e tyre ndaj tifozëve dhe simboleve shqiptare, por në Shqipëri nuk është e njëjta gjë. Ata mund të vijnë, të luajnë të qetë, të shikojnë ndeshjen të qetë dhe të ikin të qetë. Askush nuk ka pse na përdor si të ngjashëm me ta, për të balancuar inferioritetin e tyre. Nuk ka rëndësi nëse fitojmë a humbasim në Beograd apo Elbasan si ekip kombëtar. Si komb duhet të dëshmojmë se e kemi fituar luftën me kompleksin e inferioritetit që ata ushqejnë ndaj nesh. Duhet t’i mundim duke i ftuar të vijnë dhe të ikin si njerëz normalë. Le tua lëmë atyre anormalitetin.

Më Shumë

Lajmet e Fundit