Shkruan: Qazim Morina
Aty ku një shtresë e popullatës ka para të hajnisë e krimit apo me një fjalë të haramit, jo vetëm që nuk vlerësohet, por edhe nënçmohet puna e ndershme. Për këtë urgjentisht na duhet miratimi edhe më me rëndësi zbatimi i Ligjit për konfiskim të pasurisë së paligjshme.
Kjo do ta parandalonte jo vetëm mentalitetin dhe trajtimin e punës së ndershme, por edhe në mënyrë institucionale do ta godasë shtresën e të gjithë atyre, të cilët janë pasuruar përmes rrugëve të pista, duke paragjykuar punëtorin dhe djersën e tij.
Ky soji i njerëzve ka problem me ndërgjegjen e tyre. Shtrohet pyetja: Cila është porosia që ua përcjellim brezit të ri. Punën apo krimin e hajninë, që edhe ashtu, në një masë ka krijuar imazh të keq për shqiptarët në botë.
Në këtë kontekst dua ta kujtoj thënien e ish-ambasadorit anglez në Kosovë, Ian Cliff, gjatë një bisede kur ndër të tjera, tha se janë fjalë këto për gjoja luftë ndaj korrupsionit.
“Nuk ka asnjë mënyrë tjetër që Kosova ta parandaloi dukurinë e korrupsionit, pos nëse nuk vepron me ligj kundër kësaj dukurie”, tha ai.
Diplomati anglez pat thënë se këtë po e thoshte nga përvoja, pasi edhe në vendin e tij kishte ndodhur kësisoj, derisa kishte filluar zbatimi i Ligjit për konfiskim të pasurisë së paligjshme, kur pas vuajtjes së burgut, keqbërësit do të mbetnin duarthatë.
Mjerisht, në shoqërinë shqiptare kjo ka marrë hov, si asnjëherë më parë. Këtu sikur është bërë modë, që ata të cilët kanë pak mundësi ta zhvatin paranë publike, ndërsa të tjerët të përfitojnë paligjshëm në forma të ndryshme.
Për më keq në mentalitetin e një shoqërie të varfër, një pjesë e popullatës, në vend se t’i urrejë e t’i ndëshkojë ata që janë pasuruar përmes rrugëve të pista, për me keq edhe të krimit, tek ne njerëzit e këtij soji quhen “njerëz të zotë apo të gjindshëm”. Pra ia ndërrojnë edhe kuptimin etimologjik fjalës hajn.
E çfarë të presësh në raste të tilla, kur gjithnjë e më pak po përdoret fjala ndershmëri. Madje nëse shkon kështu, atëherë do të ishte mirë që gjuhëtarët ta heqin tërësisht nga fjalori, pasi po më duket se edhe poetët, po e përdorin gjithnjë e më pak.