Kush ishin udhëheqësit e fuqive botërore që hodhën miliona njerëz në luftë?
Hitleri, njeriu që e mbajti botën në tmerr për vite me radhë, erdhi në fuqi në vitin 1933, duke përhapur me shpejtësi vizionin e tij totalitar të Rajhut të Tretë. Gjashtë vjet më pas ai pushtoi Poloninë dhe ngjarjet e mëpasme do të çonin në fillimin e Luftës së Dytë Botërore.
Në të njëjtën kohë, në Rusi, Stalini përpiqej të zgjeronte pushtetin e vet si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.
Dr. Hans Ottomeyer është drejtor i Muzeut Historik Gjerman.
“Hitleri dhe Stalini mund të krahasohen përsa i përket brutalitetit dhe papërgjegjshmërisë edhe për faktin se zbatonin sundimin njëpartiak që përqendrohej në personalitetin e një udhëheqësi, i cili do të vinte në jetë synimet e partisë në mënyrë të dhunshme”, thotë ai.
Në vitin 1939, Stalini nënshkroi një pakt mossulmimi me Gjermaninë naziste. Pastaj ai pushtoi Poloninë, vetëm 16 ditë pas fillimit të invadimit gjerman. Duke marrë pjesë aktive në këtë, Stalini shpesh shihet si njeriu që e nxiti Luftën e Dytë Botërore. Por, Stërnipi i Stalinit, Yakov Dzhugashvili, nuk është dakord me këtë pikëpamje.
“Mendoj se të gjitha akuzat e historianëve dhe qeverive perëndimore kundër Stalinit dhe udhëheqjes së atëhershme sovjetike janë marrëzira fund e krye. Këto akuza janë një formë e re agresioni kundër asaj që mbeti nga Bashkimi Sovjetik, kryesisht kundër Rusisë”, thotë ai.
Më 3 shtator 1939, Britania, Australia dhe Zelanda e Re i shpallën luftë Gjermanisë, të pasuara nga Franca, Afrika e Jugut dhe Kanadaja. Një vit më pas, më 1940, Winston Churchill u bë kryeministër. Churchill ishte jashtëzakonisht popullor dhe i njohur për fjalimet e tij frymëzues. Ai u bë forca që i mbante gjallë shpresat e britanikëve për fitore.
“Nëse përdorim një fjalë për të përshkruar rolin udhëheqës të Churchillit, ajo do të ishte frymëzues. Mendoj se edhe njerëzit që e kritikojnë, nuk mohojnë dot aftësitë që ai kishte për të frymëzuar një komb që të besonte te vetja dhe te fitorja përfundimtare”, thotë Phil Reed, drejtor i Muzeut Churchill.
Churchill u bë shpejt i njohur si një nga udhëheqësit më të mëdhenj të periudhës së luftës. Përpjekjet e tij për të fituar luftën u ndihmuan sidomos nga marrëdhëniet e tij të ngushta me presidentin amerikan Franklin D. Roosevelt. Dy udhëheqësit u takuan në 12 konferenca strategjike.
Një ndër më të rëndësishmet ishte Konferenca e Kazablankës, e cila përcaktoi objektivin e aleatëve për një kapitullim pa kushte të Gjermanisë dhe Japonisë. Reed shpjegon se marrëdhëniet më të ngushta ishin me presidentin amerikan. Churchill e dinte se Britania nuk do të mund ta fitonte kurrë luftën e vetme.
Në Itali, një tjetër diktator përpiqej të zgjerohej përtej kufijve të vendit të tij. Benito Mussolini, themeluesi i fashizmit, i cili më 7 prill 1939 pushtoi Shqipërinë dhe e rreshtoi vendin në anën e Gjermanisë.
Giovanni Orsina, është profesor historie në Universitetin Luiss Guido Carli të Romës.
“Si të gjithë diktatorët, në një moment ai u shkëput nga realiteti. Në gjysmën e dytë të viteve 30, kur në Gjermani erdhi në fuqi Hitleri, Mussolini filloi të humbte kontakt me realitetin dhe nisi të mendojë se ai dhe Italia mund të bënin gjëra që në fakt ata nuk i arrinin dot. Dhe, kjo ishte ndër arsyer kryesore që e hodhi Italinë në luftë”, thotë ai.
Në vitin 1945 kur po afrohej disfata, Mussolini u përpoq të arratiset në Zvicër. Por, diktatori dhe e dashura e tij u kapën dhe u ekzekutuan në publik. Njerëzit e festuan vdekjen e tiranit nëpër rrugë në të gjithë Italinë.
Figura e gjatë dhe krenare e Charles de Gaulle u bë simbol shprese për bashkatdhetarët e tij pas pushtimit të Francës në vitin 1940. Refuzimi i tij për të njohur qeverinë e Vishisë të kontrolluar nga nazistët bëri që ai të dënohej me vdekje nga një gjykatë ushtarake franceze. Ai u largua për në Londër ku shpalli formimin e një qeverie franceze në mërgim.
Gjeneral Pierre-Marie Gallois, strateg ushtarak, tregon se de Gaulle ishte në pozitë të vështirë, sepse nuk kishte asgjë. Si rrjedhojë, ai pati disa mosmarrëveshje me Churchillin, i cili herë-herë e admironte dhe herë të tjera e shihte si një barrë. Edhe Shtetet e Bashkuara nuk e kishin qejf de Gaullen.
Por, kur aleatët e rimorën Parisin në vitin 1944, ishte figura shtatlartë e tij, kreut të forcave të lira franceze që udhëhoqi paradën e fitores. Gjatë pritjes prej heroi që iu bë nga qytetarët, de Gaulle u shpreh me këto fjalë: “Paris, Paris i zemëruar, Paris i shkatërruar, i martirizuar, por një Paris i çliruar”. /bota.al/