9.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

Lista e studentëve nga OVL–UÇK kalon në kompetenca të Qeverisë

XhavitJashariKryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, deklaroi se çështja e listave të studentëve të dërguar nga OVL e UÇK-së ka kaluar në instanca më të larta-në Qeverinë e Kosovës. Të njëjtën gjë e ka pohuar edhe Durim Berisha nga Rektorati.

Jashari tha për KALLXO.com se vazhdojnë të qëndrojnë këmbëngulës në qëndrimet e tyre.

“Ne jemi këmbëngulës në qëndrimet tona. Varësisht gjithë këtyre, ne kemi një memorandum të mirëkuptimit të hartuar në përputhje me Ligjin për Vlerat e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare dhe me Ligjin e Arsimit të Lartë që është nënshkruar mes rektorit dhe organizatave të luftës”, tha ai.

Jashari shprehu bindjen se të gjithë studentët e përfshirë në listat e organizatave të dala nga lufta do të pranohen në këtë vit akademik.

“Në përputhje të memorandumit dhe me takimet që i kemi pas me rektoratin dhe Ministrinë e Arsimit dhe premtimeve të rektorit të Universitetit të Prishtinës se do të pranohen gjithë këta studentë në njësitë akademike të Universitetit të Prishtinës, ju kemi bo thirrje studentëve që të vijojnë studimet në njësitë akademike ku kanë apliku”, pohoi ai.

Ai kërkoi një debat publik të shoqatave me rektorin dhe Ministrinë e Arsimit.

“Po besoj ndoshta do të ishte mirë ta kemi një debat shoqata, Rektorat dhe Ministria e Arsimit që të mos spekulohet me këto kategori, sepse në fund të fundit gjithë kemi obligim ndaj këtyre kategorive”, shtoi ai.

Jashari, tha se do të presin edhe këtë javë se si do të reflektojë përgjigjja ndaj kërkesës së tyre.

Durim Berisha nga Rektorati shpjegoi për KALLXO.com se ky institucion nuk do të flasë më për këtë çështje.

“Çështja e listave të studentëve të dërguara nga OVL të UÇK-së ka kaluar në instanca më të larta. Besoj se jeni informuar se ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë z. Arsim Bajrami ka deklaruar se kjo çështje është bartur te Kryeministri. Prandaj nuk mund të shtojmë diç më tepër”, u shpreh ai.

Xhavit Jashari theksoi se pasi janë përfshirë në përzierje të këtij problemi edhe Qeveria edhe Ministria ka propozuar që të fillojë zbatimi i ligjit për statusin dhe të drejtat e kategorive të dala nga lufta.

“Nëse fillon zbatueshmëria e këtij ligji në vitin 2015 Ministria e Arsimit e merr hisen e vet të zbatueshmërisë së këtij ligji dhe me akte nënligjore dhe rekomandime e udhëzon Universitetin, Rektoratin se si duhet të sillen dhe cilat janë kriteret për t’i trajtuar këto kategori”, tha ai.

KALLXO.com-i tentoi të flasë për këtë rast me zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, por nuk arriti të kontaktojë me ta.

Më Shumë

Vogëlushi kosovar dënohet me 2500 franga, shkak ‘selfie’ me Granit Xhakën

2 mijë e 500 franga apo (2 mijë e 557 euro e 95 centë). Kaq i kushtoi një vogëlushi nga Kosova dënimi, për shkak të...

Vetaksident në Prizren- Vetura godet pemën, lëndohet një person

Vetaksidentohet një veturë në qendër të Prizrenit. Si pasojë shoferi i veturës ka mbetur i lënduar. Ai është përplasur me anësoret dhe më pas me...

Lajmet e Fundit