8.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Loro Sata: Kënga folklorike, balli ku kombi gdhend jetën e tij

Kënga popullore folklorike, ashtu si edhe tërë krijimtaria popullore folklorike e të gjitha gjinive, do të mbijetojë deri sa të mbijetojnë popujt dhe gjithmonë sipas nevojave të shpirtit të popullit krijues. Temat e mëdha dhe të rëndësishme, qoftë të së kaluarës dhe ato të aktualitetit, të cilat përgatisin shtratin e së ardhshmes, kanë gjetur pasqyrimin e përshtatshëm edhe në muzikën e kultivuar dhe në një sërë krijimesh, interpretimesh dhe ekzekutimesh që vërtet meritojnë vëmendje të veçantë. Në këto këngë, si përmbajtje, shquan epika – heroike, lirika intime, lirika e gjallë dhe optimiste, hedonizmi, akseologjizmi, forca vepruese, vitaliteti aktiv individual i njeriut tashmë të lirë, të çliruar nga paranoja ideologjike, epizmi heroik dhe himnizues, erotika e ngazëllyer me tone optimiste, dukuri që vërehen dhe që dallojnë disa këngëtarë, që mbetën kulme në historinë interpretuese të kësaj kënge të tillë dhe meritojnë të studiohen si modele sepse na lanë shkolla të vërteta dhe origjinale vendase inerpretuese.

të ndalemi tek këngëtarja VaçeZela e cila, megjithë që në repertorin e saj interpreton këngë të stileve të ndryshme si ato të këngëve homofonike, polifonike toske me shoqërim orkestror, arrin, për shkak talenti, si dhe të punës sistematike këmbëngulëse kërkuese, të depertojë në thellësi të organizmit të këngës, asimilon organikisht, dukuritë thelbësore të modusit interpretues në dialektin apo nëndialektin e tipikëshomofonike si dhe të asaj polifonike toske, i përpunon në laboratorin e vetë krijues, për t’i reflektuar në nivelin më të lartë cilësor dhe s’andejmi ia përçon dëgjuesit sipas veçorive tipike karakteristike si këngën shkodrane, apo të asaj të Veriut në përgjithësi, dhe tipiken polifonike toske të vendlindjes së saj, Lushnjes, po ashtu edhe korçare etj. Ajo, di aq mirë të riprodhojë ngjyrën tipike vokale lokale të trevës që interpreton. Këtë e bën përmes përshtatjes organike deri edhe të timbrit, të ngjyrës që ka konsoliduar në kohë kënga, duke e përcjellë me shumë ngrohtësi.Arsye dhe shkak i këtij bashkëbisedimi kaq impresionues është mbështetja vokale e strukturës melodike të këngës në zë fyti, tipike kjo për interpretimin e këtyre këngëve të trevës lushnjare.

Le të kujtojmë këtu repertorin e skalitur prej saj në disa prej këtyre interpretimeve : “Motive Myzeqare”, këngë mbështetur mbi një figurë të tërë apoxhiature, zbukuruese, e tëra sekuencë krejt e veçantë dhe origjinale vendase, e Lushnjes së saj, me ato kadencime interesante dhe gjithnjë inkuadruar në meloritmikën, modalitetin, ngjyrat, nuancat, agogjikën e këngës. Po kështu, ajo spikat në interpretimet e këngëve të trevave të tjera të Shqipërisë, me modus tjetër interpretues si në disa këngë popullore me autorë shkodranë të tilla si “Blegëron Delja”, e R. Sokolit, “Me Lule të bukura”, kënga e “Krushqëve” këngë qytetare shkodrane, kompozuar nga T. Daija, apo “Kur këndoje Ti”, “Këngët e vendit tim”.

Po kaq vëmendje meritojnë edhe interpretimet e shkëlqyera të talentit të spikatur të këngëtares IriniQirjako, për veçoritë individuale tipike interpretuese. Kjo dukuri spikat, përmes një vokali të ngjeshur e ngjyrë absolutisht karakteristike dalluese krejtësisht të personalizuar dhe kaq të ngrohtë në një repertor të tillë si: “Kënga e Kurbetit”, “Kënga e Çobanit”, “Do të dalë dhe unë malit”, “Kënga e Anëve”, “Mora rrugën për Janinë”, etj.,apo këngëtarja FatmaZyberi, zë ky vërtet i kultivuar. Këngëtarja FatmaZyberi ka mbaruar studimet në linjën e Lirikës vokale, ka mbaruar studimet për kanto në Akademinë e Arteve, soprano lirike, por di aq mirë të ruaj drejtpeshimin dhe tipikën e veçantë interpretuese të këngës popullore të trevës së Shqipërisë së Mesme, kundrejt linjës lirike si zë i kultivuar në shkollë. Ja disa këngë të intërpretuara prej saj: “Si m’ke sytë m’ke vetullat”, “Buzë Adriatikut”, e sidomos “Kanarina” etj. etj.Le të kujtojmë këtu, edhe interpretimet mbresëlënëse të këngëtarit HysniZela. Për këtë arsye po sjellim në vëmendjen tuaj disa këngë që e paspartojnë dukshëm portretin e tij si interpretues i veçantë me tipikën e kësaj dukurie.

Meriton të rilevohet këngëtari për logjikën interpretuese, ngjyrën dhe timbrin e ngrohtë, kalimet vokale aq harmonike të regjistrave të zërit, të cilësive baritonale të vokalit me atë të tenorit të ngrohtë dhe gjithmonë lidhur mbi një rrugë me përvijime të buta dhe pa sforcime, çlodhëse dhe shumë dashamire. Mund të sjellim në vëmendje interpretimet mbresëlenëse të këngëve: “Këngët e tokës”, “Kënga e Anëve”, “Motive Myzeqare”, “Në festën e grurit”, “Kënga e çobanit” etj. etj.Tashmë ka ndodhur harmonizimi dhe përpunimi i një sërë këngësh, me stilet dhe dialektet e veta, të karakterit epiko-lirik, epiko-heroik, himnizues, tregimtar, liriko intim etj, përshtatja e tyre për formacione më të gjera vokale si për solist dhe kompleks, vetëm për kompleks zërash fëmërorë, komplekse të përzjerë, për kore fëmijësh dhe të rriturish dhe vetëm për formacione orkestrore. Tashmë krijime të tilla, kalojnë në një nivel të ri krijues dhe interpretues, duke krijuar variante të reja në sfera krijimi dhe interpretimi. Një praktikë e tillë, tashmë depërton ndjeshëm në të gjitha këngët korale të interpretuara duke filluar që nga formacionet si duete, komplekse apo kore të së njëjtës gjini vokale po kështu komplekse dhe kore mikste, që nga ato të fëmijëve deri te të të rriturve. Po sjellim në vëmendje perla në fushë të kësaj gjinie këngë interpretuar mjeshtërisht nga kori apo komplekset e Ansamblit të shkëlqyer të Këngëve dhe të Valleve tona Popullore, këtij laboratori cilësor ku kënga popullore folklorike, ajo e përpunuar dhe e kultivuar kanë prej kohësh folenë, djepin e artë të trajtimit të tyre: “Shkon djali Tërmale”, “Oj Zogo “, këngë për “NdrecNdueGjokën”, “Malli për Atdhe”, “Me lule të Bukura”, “Ç’kanë fushat që buçasin”, “Ani krisi pushka”, “Gryka e Kaçanikut”, “Kënga e Anëve”, “Liria, gjaku që derdhëm”, “Lahutari”, tri këngë beratase, përpunime himarjote, të Lezhës, Gjirokastrës, Korçës etj. etj.

Më Shumë

Lajmet e Fundit