9.8 C
Prizren
E diel, 5 Maj, 2024

“Loyola – Gymnasium”, gjimnazi elitar gjerman në Prizren

Një intervistë me dr. Axel Bödefeld SJ.  ekskluzivisht për pirustinews.com

Shumëshpesh në bisedat tona të përditshme përdorim shprehje të tilla si: …mall gjerman, prodhime gjermane, spitale gjermane, benzi gjerman, futbolli gjerman etj, etj. Pra kur duhet të flasësh për cilësi në shumë aspekte, i referohemi Gjermanisë. E nëse ky vend ka arritur majat e zhvillimit botëror, e ka arritur falë njerzve të shkolluar sipas modelit gjerman. Jo më kot thuhet për Kancelaren e mirënjohur Merkel, kur mjekët i kërkuan rritje rroge baraz me mësuesit, kjo e fundit u tha se është e pa mundur të barazoheni me mësuesit, pasi nëse ju jeni të zotët në fushën tuaj, këtë zotësi e keni falë mësuesve dhe shkollës gjermane.

Dhe për të qënë pjesë e shkollës së vërtetë gjermane nuk është ë domosdoshme të shkosh deri në Gjermani. Vetëm një orë nga Mirdita me drejtim Shqipërinë veriore, diku në rrethinat e Prizrenit ndodhet “Loyola- Gymnasium” një qendër e vërtete shkollimit brenda të gjitha standarteve gjermane. Tashmë janë bërë 13 vite që kjo shkollë elitare në Prizren ka nxjerrë breza qytetarësh të sukseshmëm në rrugët e jetës së sejcilit.

Ndërsa për funksionimin, ambiciet, avantazhet dhe resureset që ofron kjo shkollë, për pirustinews flet drejtori i kësaj shkolle dr. Axel Bödefeld SJ.

Axel Bödefeld SJ thotë kur e pyes se pse një prind duhet ta orientojë fëmijën e tij për te gjimnazi “Loyola” Ai ndër të tjera thotë se “…Ejani dhe shikoni mësimdhënien serioze dhe të përkushtuar në kushte evropiane. Mundësia unike e “Loyola- Gymnasium”, si një shkollë me standarde evropiane, në të gjitha fushat ofron perspektivë për nxënësit e zellshëm dhe të etur për dituri, të interesuar për të bërë detyrat e shtëpisë, e gjithashtu, në sporte e muzikë…”.

Për më shumë informacion, ndiqni intervistën me dr. Axel Bödefeld SJ.  ekskluzivisht për pirustinews.com

Gjimazi “Loyola” në Prizren po bëhet gjithnjë e më i njohur në hapësirën mbarëkombëtare shqiptare. Çfar e bën më të veçantë këtë gjimnaz, përveç faktit se është gjerman?

Fakti kryesor është se ne i qasemi mësimit seriozisht dhe e kuptojmë mësimdhënien dhe mësimnxënien si diçka shumë të rëndësishme. Kjo mund të vërehet nga pajisjet dhe hapësira ku punojmë, e gjithashtu, nga përkushtimi i mësimdhënësve, angazhimi i nxënësve dhe respektimi i rregulloreve të shkollës.

Prej sa vitesh është në funksion ky gjimnaz, dhe e kujt ishte ideja për të hapur një të tillë në Prizren?

Ne sivjet po e përmbyllim 13-vjetorin e vitit akademik. Themelues i gjimnazit është Walter Happel, anëtar i shoqërisë së Jezuitëve gjermanë. Ky rend religjioz për shumë shekuj është i përfshirë në fushën e edukimit në mbarë botën. Por, idea dhe kërkesa për të hapur një shkollë të tillë në Kosovë ka ardhur nga prindërit kosovarë, të cilët pas viteve 90’ e menjëherë pas përfundimti të luftës po kërkonin mundësi më të mira të edukimit të fëmijëve të tyre përbrenda kontekstit evropian.

A ka një të tillë në Shqipëri apo Ballkan, përveç këtij në Prizren?

Një shkollë e përafërt si e jona është në Shkodër, “Atë Pjetër Meshkala”, por atje nuk ka konvikt. Një tjetër shkollë e ngjashme është në Miskol? të Hungarisë. Por, “Loyola- Gymnasium” në Prizren është e veçantë, sepse si stafi, ashtu edhe nxënësit, shumica janë myslimanë të cilët jetojnë e punojnë në një bashkëpunim paqësor me të tjerët.

Përse një nxënës duhet të aplikojë pranë gjimnazit Loyola. Ç’far përfiton një nxënës në raport me ata që zgjedhin gjimnaze të tjera analoge?

Ai ose ajo krijon një përshtypje të qasjes dhe qëndrimeve perëndimore. Ne nuk e ofrojmë vetëm latinishten ose gjermanishten në një nivel shumë të lartë. Laboratoret tona u ofrojnë mundësi për të hulumtuar me duart e veta, për të kuptuar problemet dhe për të kërkuar zgjidhjet. Ne jemi të vetëdijshëm për mënyrën e të jetuarit bashkë, ne përpiqemi të komunikojmë duke respektuar njëri-tjetrin, duke bërë punë të ndryshme vullnetare, përdorimin e vërtetë të shkathtësive sportive dhe ofrimin e një shkolle të hapur të muzikës, sepse nuk duhet të ushtrohet vetëm truri.

Cilat janë disa nga degët që përfitojnë aplikantët?

Ngase ne jemi gjimnaz i përgjithshëm, nuk kemi degë të ndara. Por, provimi i maturës shtetërore të Kosovës është i njohur në Gjermani dhe në vendet tjera perëndimore.

A është kusht mesatarja e mëparshme, për t’u regjistruar në këtë gjimnaz?

Ne fokusohemi më shumë në rezultatet e provimit pranues, i cili mbahet në lëndët gjuhë shqipe, gjuhë angleze dhe matematikë. Këtë vit, afati i parë i provimit mbahet më 2 qershor, ndërsa ekziston edhe një mundësi e dytë- afati i gushtit, më 25 gusht.

Nëse një nxënës nga Shqipëria kërkon të regjistrohet për të ndjekur studimet aty, cilat janë rrugët që duhet të ndjekë?

Ne tashmë kemi disa nxënës nga Shqipëria, që jetojnë në konvikt. Formalisht për të aplikuar në shkollën tonë duhet një çertifikatë lindjeje dhe dëftesa mbi kryerjen e klasës së fundit. Të interesuarit duhet të paraqiten me kohë për të hyrë në provimin pranues, jo më vonë se ditën e caktuar në mëngjes. Për më tepër, ne jemi të gatshëm që prindërve të interesuar t’u japim informacione edhe përmes shërbimit të administratës në tel. +377 44 434 087.

A i ofrohet mundësia nxënësve nga larg për kushte konviktore, dhe si janë kushtet e jetesës në konvikt?

Në konvikt deri katër nxënës ndajnë një dhomë dhe një banjë private. Kemi një ndërtesë të veçantë për djem dhe një tjetër për vajza. Nxënësit konviktorë jetojnë bashkërisht në grupe, të cilat mbikëqyren e shoqërohen nga edukatorët. Ne u ofrojmë ushqim të freskët dhe të shëndetshëm, ndërsa çdo të dytën javë ata janë të lirë të shkojnë në shtëpi, ndërsa të shtunën tjetër ne kemi mësim. Gjatë kohës kur nxënësit janë në konvikt, në kohë të lirë organizohen aktivitete të ndryshme kulturore e sportive.

A mund në na bëni një përshkrim të shkurtër të tarifës vjetore për një vit shkollor, a ndryshon sipas viteve?

Tarifa për një vit akademik është 1.020 €, ndërsa për konviktorët është 3.180 €, ku përfshihet shkollimi, ushqimi, mbikëqyrja dhe fjetja. Nëse ndonjë familje nuk ka mundësi ekonomike t’i mbulojë tarifat e tilla,  duke u mbështetur në dokumentet përkatëse, ne ofrojmë mbështetje finaciare për aryse sociale, sepse ne jemi institucion jopërfitues.

Si është siguria në ambientet e gjimanzit, pasi dihet gjimanzistët janë mosha më delikate që ndan adoleshencën me moshën e pjekurisë?

Ne ofrojmë ambient të sigurtë e të mbyllur, me praninë e vazhdueshme të edukatorëve dhe edukatoreve, me roje ditën dhe natën. Po ashtu ne kemi rregulla të ashpra sa i përket duhanit, alkoolit, drogës dhe armëve. Për çdo shkelje të këtyre rregullave, ne menjëherë ndërmarrim masa shumë të rrepta.

Sa është i akredituar ky gjimnaz dhe sa janë avantazhet që ka një nxënës që përfundon shkollimin aty, për të ndjekur studimet në Universitetet Eurpiane?

“Loyola- Gymnasium” është e liçencuar dhe e njohur plotësisht nga autoritetet publike kosovare. Përfitimi nga shkollimit te ne nuk është vetëm arritja e shkathtësive të gjuhës gjermane, por edhe përvojë perëndimore në punë, studime, disiplinë e zell.

A keni raste që maturantë që kanë mbaruar arsimimin te gjimnazi Loyola, kanë shkëlqyer në universitete dhe në jetë, çka u bën të ndiheni krenar?

Çdo vit, një numër i cakuar i nxënësve tanë përfitojnë bursa shkollimi në Gjermani ose universitet tjera evropiane. Shumë nxënës tjerë i mbështesim të fillojnë shkollimin profesional, përmes bashkëpunimit me kompanitë e shumta gjermane. Ne shpresojmë të shohim që po rritet numri i studentëve të cilët pas përgatitjes porfesionale në Gjermani do të kthehen për të kontribuar për atdheun e tyre. Ne, gjithashtu, po shohim se   Alumni po hapë kompani kreative dhe biznese inovative këtu në Kosovë.

Cila është thirrja juaj për prindrit që të mos jenë në dilemë për tu rregjistruar në gjimnazin Loyola?

Ejani dhe shikoni mësimdhënien serioze dhe të përkushtuar në kushte evropiane. Mundësia unike e “Loyola- Gymnasium”, si një shkollë me standarde evropiane, në të gjitha fushat ofron perspektivë për nxënësit e zellshëm dhe të etur për dituri, të interesuar për të bërë detyrat e shtëpisë, e gjithashtu, në sporte e muzikë. Jeta në konvikt i përgatitë nxënësit në kompetencat sociale dhe aftësitë komunikuese, të domosdoshme për të ardhmen e tyre në jetën në familje e në vende të punës.

Na duhet një përshkrim i shkurtër i mënyrës së funksionimit të gjimnazit, nr i nxënësve që e frekunetojnë një një vit. Arsimtarët kryesisht a janë shqiptare dhe sa gjermanë.

Një historik i shkurtër i këtij gjimnazi.

“Loyola- Gymnasium” është themeluar në vitin 2005. Është shkollë e njohur nga shteti, me 750 nxënës në gjimnaz dhe 330 të tjerë në shkollën fillore (të cilët i ndjekin mësimet në qendër të Prizrenit). Në shkollën fillore ne ofrojmë kujdes ditor për afër 40 nxënës, ndërsa afër 110 nxënës tjerë të gjimnazit jetojnë në konvikt.

Nxënësit mund të hyjnë në klasë të 6 dhe të 10 pasi të kenë kaluar provimin e detyrueshëm pranues. Mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, ndërsa gjuha angleze, gjermane dhe latine mësohen si gjuhë të huaja. Pjesë e kurrikulës është poashtu edhe mësimi shtesë në gjuhën amtare, matematikë, filozofi ose ekonomi, si dhe shkëmbimi ndërkombatar i nxënësve dhe vizita jashtë vendit për qëllime studimore. Anëtarët e stafit janë vendorë, të përzgjedhur dhe të trajnuar për punën që bëjnë, ndërsa menaxhmenti i shkollës është gjerman. Po ashtu, ne kemi staf të agazhuar edhe nga Gjermania, të cilët janë të inkuadruar qoftë në procesin e mësimdhënies, apo edhe në projektet që ne i organizojmë.

Ne jemi duke ngritur një qendër sociale me vullnetarë në një lagje minoritare në periferi të Prizrenit, ndërsa që nga viti i ardhshëm shkollor do të fillojmë me Shkollën e Lartë Profesionale “Loyola- Professional”.

Më Shumë

Hyn në fuqi marrëveshja Shqipëri-Kosovë “pa kufi” për 9 muaj

Prej ditës së mërkurë ka hyrë në fuqi zbatimi i marrëveshjes, sipas të cilit, qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës do të kalojnë përmes...

Dy arsye pse Allegri mund të shpëtojë punën e tij te Juventusi

Massimiliano Allegri thuhet se mund të shpëtojë punën e tij te Juventus-i për dy arsye, edhe nëse bardhezinjtë duket se kanë marrë tashmë një...

Lajmet e Fundit