Derisa NATO po bombardonte Serbinë, një kamion me 53 trupa të vdekur zhytet në Danub, pranë kufirit me Rumaninë. “Depth two”, një film i regjisorit serb Ognjen Glavoniç, sjell një këndvështrim tjetër nga lufta e vitit 1999.
“Ideja e këtij filmi është të flasim ndryshe për viktimat, në vendin tim dhe në rajon në përgjithësi, politikanët shfrytëzojnë viktimat për poena politik, dhe unë e urrej këtë”, ka thënë Glavonic. Një e mbijetuar nga lufta e cila e kishte parë filmin, kishte thënë se më anë të këtij filmi “sot e di që nuk është e harruar” nga të tjerët. Grupi që ka realizuar filmin është një grup i vogël njerëzish dhe kanë vështirësi për ta shfaqur filmin e tyre në Serbi, për shkak të temës së ndjeshme. “Duhet të bësh teatër për fashistët e rinj”, ka thënë Glavoniç, duke cituar Pasolinin, për të bërë thirrje që të luftohet fashizmi dhe ngritja e nacionalizmit në rajon.
“Ne e kemi pritur këtë film”, ka thënë Nurkollari, duke përshëndetur Glavonic-in për guximin e tij, dhe duke e cilësuar filmin si një nga filmat më të mirë serb të xhiruar mbi luftën.
Teksa kanë folur për problemet mes Kosovës dhe Serbisë, me probleme të ngjashme është ballafaquar edhe regjisori shqiptar me bazë në Zvicër, Fisnik Maxhuni. Derisa ai po xhironte filmin e tij “Lost Exile”, që përshkruan punën e një trafikanti njerëzish mes Serbisë dhe Hungarisë, ka thënë se nuk i është lejuar të xhironte në Serbi. Filmi është xhiruar në Kosovë nga një produksion zviceran dhe duket të jetë më shumë eksperimental.
“Unë jam munduar të jem sa më eksperimental në xhirimin e filmit, jam më shumë i fokusuar tek imazhet”, ka thënë Maxhuni. Sa i përket temës së filmit, Maxhuni është shprehur shumë i shqetësuar me faktin që edhe pas 23 vitesh, situata politike s’ka ndryshuar.
Filmi i cili u prezantua nga regjisori Issa Touma, poashtu trajton një temë të ndjeshme, atë të luftës në Siri. “9 Days – from my window in Aleppo” janë vetëm disa ditë nga lufta e vazhdueshme në Siri, te cilat regjisori Touma është munduar t’i sjellë nga këndvështrimi i një qytetari të thjeshtë sirian. “Jam përpjekur të sjell një këndvështrim të një qytetari, i cili përbën pjesën dërrmuese të popullsisë siriane; në Siri ose duhet të përkrahësh qeverinë ose opozitën, por zërat e qytetarëve që përbëjnë shumicën nuk dëgjohen”, ka thënë Touma, i cili vazhdon të jetë shumë i përkushtuar për të mbajtur gjallë jetën kulturore në Siri, duke mbajtur hapur galerinë e tij dhe duke organizuar festivale të ndryshme. Edhe pse i rrezikuar nga bombardimet, Touma beson që galeria e tij u jep njerëzve emër.
Siç duket artistët, duke përmendur edhe detyrën që ekipi i DokuFest-it i ka vënë vetes përpara, bëjnë punën më të mirë për të mbajtur gjallë jetën kulturore./zeri.info/