Veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës t’i bojkotojnë zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë që do të mbahen më 16. Ai ka thënë se shqiptarët e asaj pjese nuk kanë asnjë arsye të dalin në këto zgjedhje.
Kurse kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, ka bërë të ditur për “Epokën e re” se liderët e të gjithë partive shqiptare sot (e shtunë) pasdite do të mbajnë një takim të përbashkët, ku do të vendosin përfundimisht nëse do t’i bojkotojnë zgjedhjet e përgjithshme në Serbi apo do të marrin pjesë në to.
Në një bisedë për “Epokën e re”, Demaçi ka thënë se krerët e shqiptarëve të Luginës së Preshevës duhet ta forcojnë lidhjen e tyre të përbashkët, pavarësisht përkatësive politike dhe të mbajnë kontakte të drejtpërdrejta me popullatën e atjeshme. “E dyta, ata duhet të heqin dorë nga interesat e tyre të përkohshme, personale, grupore dhe t’i përkushtohen me mish e me shpirt interesit të përgjithshëm të shpëtimit të popullatës tonë atje nga shpërnguljet dhe nga të gjitha masat armiqësorë të cilat është duke i ndërmarrë regjimi i Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginë. Në qoftë se mendojnë dhe veprojnë kështu, atëherë nuk kanë arsye të marrin pjesë në zgjedhjet e një shteti i cili është sjellë me ta në mënyrë më brutale dhe më të padrejtë ndaj popullatës shqiptare atje”, ka thënë Demaçi.
Ai i ka ftuar liderët e Luginës të jenë në kontakt me gjithë faktorët ndërkombëtarë për të raportuar për çdo parregullsi që u bëhet shqiptareve nga shteti serb. “Këta le të mbajnë lidhje të përditshme të ngushta me të gjitha forcat ndërkombëtare, me amerikanët dhe evropianët dhe t’i informojnë për çdo padrejtësi që ndodh ndaj shqiptarëve në ato tri komunat tona, në mënyrë që edhe kjo pjesë demokracie të jetë e informuar dhe të mos mendojë se shqiptarët janë pajtuar me fatin e vet. Pra, duhet të shihet rezistenca e tyre aktive ndaj çdo hapi i cili do të jetë në kundërshtim me interesat e popullatës sonë atje”, ka deklaruar Demaçi.
Sipas tij, liderët shqiptarë të Luginës së Preshevës pikë për pikë duhet të kërkojnë atë që serbët e kanë fituar në Kosovë. “Ata e kanë një rrugë shumë të mirë, e kanë yrnek se si Kosova në bashkëpunim me Evropën dhe Amerikën mike në mënyrën më ideale ka zgjedhur çështjen e pakicës serbe të ne. Ata duhet të kërkojnë të njëjtin tretman, të gjitha të drejtat që Kosova ua ka njohur dhe ua njeh pakicës serbe këtu në Kosovë, t’u njihet regjimi serb, i cili ende është regjim çetnik dhe ende nuk po nxjerr përfundime nga e kaluara”, është shprehur Demaçi.