Zëvendëskryeministri i Kosovës, Dardan Gashi, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku dhe të tjerët, e kanë pranuar fajësinë për gjuajtjet me armë në odën e Fatmir Limajt në Malishevë.
Pasi kishte dështuar seanca e kaluar, të mërkurën, është mbajtur seanca fillestare ndaj tyre, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pasi që aktakuza me pajtimin e palëve është konsideruar e lexuar, Gashi e Shala e kanë pranuar fajësinë.
Ministri Shala ka thënë se nuk e ka ditur se me një veprim të tillë po kryente vepër penale, pasi sipas tij, arma ka qenë me gaz.
Derisa, Lushtaku fillimisht kishte thënë se do të mbrohet në heshtje, pas pauzës ai e ka pranuar fajësinë, pasi ka thënë se këtë po e bënë për shkak që mos të zgjatet ky proces gjyqësor.
Fajësinë e kanë pranuar edhe të akuzuarit, Behar Amerllahu, Fadil Demiri dhe Sherif Krasniqi.
Mbrojtësi i Dardan Gashit, avokati Arianit Koci, ka thënë se klienti i tij nuk e ka ditur që nuk është i lejuar përdorimi i armës me gaz.
Ai ka thënë se të mbrojturit të tij i vjen shumë keq për atë që ka ndodhur dhe se ka premtuar se ai më nuk do ta përsëris një vepër të tillë.
“Meqenëse është bërë pranimi i fajësisë, kërkoj nga gjykata që klienti im t’i gëzojë të gjitha benificionet e prapara me ligj me pranimin e fajësisë”, ka thënë Koci, duke shtuar se në këtë rast as nuk ka të dëmtuar.
Avokati Myhedin Bekeri, që mbron ministrin Endrit Shala, ka kërkuar nga gjykata që ta ketë parasysh se klienti i tij, në mënyrë të lirë e ka pranuar fajësinë.
“Fakti që klienti im prej fillimit ka qenë në tërësi bashkëpunues me organet e pushtetit, kështu që me rastin e caktimit dhe matjes së dënimit t’i ketë këto rrethana lehtësuese, t’i ketë parasysh dhe përveç këtyre rrethanave të ketë parasysh edhe rrethanat tjera sipas dispozitave ligjore si pendimin e thellë ëe shprehur, premtimin se nuk do të përsëris veprat penale, gjendjen familjare se është i martuar mos dënushmerinë e tij deri më tani dhe kundër të njëjtit nuk zhvillohet ndonjë procedurë tjetër penale. Rasti ka ndodh në aheng familjar dhe te miqtë e tij. Për këtë vepër janë të parapara dënime alternative dhe atë dënimi me gjobë ose me burgim. I propozojmë gjykatës duke i cekur rrethanat lehëtsuse që klientit tim t’i shqiptohet dënimi me gjobë duke konsideruar se në tërësi do të arrihet qëllimi i dënimit”, ka thënë avokati.
Mbrojëtsi i të akuzuarit Behar Emarllahu, avokati Gazmend Sharku, ka thënë se klienti i tij nuk e ka ditur se arma me gaz, hyn në armët me zjarr.
Ai ka thënë se klienti i tij është penduar thellë, duke premtuar se më nuk do të përsëris një vepër të tillë.
“Kërkoj që ndaj të mbrojturit tim të shqiptohet dënim me gjobë”, ka thënë ai.
Mbrojtësi i të akuzuarit Sherif Kastrati, avokati Zyber Zeka, gjithashtu ka thënë se klienti i tij në mënyrë vullnetare e ka pranuar fajësinë.
Ai i ka premuar gjykatës se nuk do të kryej vepër tjetër penale dhe se shfaq keqardhje dhe kërkon dënim me gjobë për të mbrojturin e tij, duke shtuar që të aplikohen kufijtë e zbutjes së dënimit, për arsye se klienti i tij, siç ka thënë ai, nuk e ka ditur se përdorimi i armës me gaz përbën vepër penale.
Prokurori Ismet Tofaj, ka thënë se nuk e kundërshton pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve, pasi sipas tij, një akt i tillë ka mbështetjë në provat materiale në shkresat e lëndës.
Sipas tij, edhe gjatë marrjes në pyetje të akuzuarit janë deklaruar se nuk e kanë ditur se arma me gaz përbën vepër penale dhe se gjykata të ketë parasysh rrethanat lehtësuse gjatë shqiptimin të dënimit.
Më pas gjykatësi Njazi Morina, me aktvendim e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve dhe shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 1 mars 2019, nga ora 14:00.
Aktakuza kundër Lushtakut, Gashit dhe Shalës ishte ngritur pas një video të publikuar në media në fund të vitit 2017.
Kjo video kishte të bënte me festën që Limaj kishte organizuar në Malishevë pasi Gjykata Themelore në Prishtinë kishte nxjerrë aktgjykim lirues ndaj tij në rastin e njohur si “MTPT”.
Në këtë video shihej Lushtaku, Gashi dhe Shala duke shtënë me armë nga dritarja e odës ku mbahej festa.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 16 maj 2018, të pandehurit Dardan Gashi, Endrit Shala, Sami Lushtaku, Behar Amerllahu, Fadil Demiri akuzohen se secili prej tyre ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve “ nga neni 374 par.1 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Dardan Gashi akuzohet se deri më 30 nëntor 2017 në fshatin Banjë të Malishevës, në një aheng familjar, pa autorizim ka mbajtur armë e municione në kundërshtim me nenin 4 par.1 nën par. 1,2 dhe 1,3 e lidhur me nenin 17 par.1 të ligjit për armë të Republikës së Kosovës dhe të cilat armë me ligj kategorizohen si armë zjarri të ndaluara.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Gashi gjatë ahengut kishte hapur dritaren e odës dhe me armë me gaz të llojit “GAP” kal. 9 mm dhe një karikator, të pranuar nga i akuzuari Fadil Demiri, kishte shtënë në ajër disa herë dhe një armë e tillë ishte sekuestruar dhe e njëjta gjendet në Stacionin Policor në Malishevë.
Për këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Gashi se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 par.1 të KPRK-së.
Ndërsa, të akuzuarin Endrit Shala, prokuroria e ngarkon se deri më 30 nëntor 2017 në fshatin Banjë të Malishevës, në një aheng familjar, pa autorizim ka mbajtur armë e municion në kundërshtim me nenin 4 par.1 nën par. 1,2 dhe 1,3 e lidhur me nenin 17 par.1 të ligjit për armë të Republikës së Kosovës, e të cilat armë me ligj kategorizohen si armë zjarri të ndaluara.
Gjithnjë sipas prokurorisë, i akuzuari Shala akuzohet se gjatë ahengut familjar, pasi i ishte hapur dritarja e odës nga Durim Limaj, me armë gjysmë automatike të pranuar nga i akuzuari Sherif Kastrati, ka shtënë në ajër disa herë. Kjo armë pastaj ishte sekuestruar dhe e njëjta gjendet në Stacionin Policor në Malishevë.
Me këtë rast, sipas aktakuzës, Endrit Shala ka kryer veprën penale “mbajtja ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, në vazhdimësi, nga neni 374, par. 1 lidhur me nenin 81 të KPRK – së.
Prokuroria e ngarkon Sami Lushtakun me veprën penale “mbajtja ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, par. 1 i KPRK – së.
Kjo sepse, sipas prokurorisë, më 30 nëntor 2017 në fshatin Banjë të Malishevës, në një aheng familjar, pa autorizim ka mbajtur armë e municione në kundërshtim me nenin 4 par.1 nën par. 1,2 dhe 1,3 e lidhur me nenin 17 par.1 të ligjit për armë të Republikës së Kosovës dhe e cila armë me ligj kategorizohet si armë zjarri e ndaluar.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Lushtaku, gjatë ahengut familjar, e hap dritaren e odës dhe me armë me gaz, të pranuar nga i akuzuari Behar Amerllahu shtien në ajër disa herë. Kjo armë dhe karikatori janë sekuestruar dhe gjenden në Stacionin Policor në Malishevë.
Me aktakuzë akuzohet edhe Behar Amerllahu, se më 30 nëntor 2017 në fshatin Banjë të Malishevës, në një aheng familjar, pa autorizim ka mbajtur armë e municione në kundërshtim me nenin 4 par.1 nën par. 1,2 dhe 1,3 e lidhur me nenin 17 par.1 të ligjit për armë të Republikës së Kosovës dhe e cila armë me ligj kategorizohet si armë zjarri e ndaluar. Arma me karikator është sekuestruar dhe e njëjta gjendet në Stacionin Policor në Malishevë.
Aktakuza e ngarkon Behar Amerllahun, me veprën penale “mbajtja ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, par. 1 i KPRK – së.
Sipas prokurorisë, Fadil Demiri, më 30 nëntor 2017 në fshatin Banjë të Malishevës, në një aheng familjar, pa autorizim ka mbajtur armë e municione në kundërshtim me nenin 4 par.1 nën par. 1,2 dhe 1,3 e lidhur me nenin 17 par.1 të ligjit për armë të Republikës së Kosovës. Kjo armë me ligj kategorizohet si armë zjarri e ndaluar, andaj dhe arma me karikator është sekuestruar dhe e njëjta gjendet në Stacionin Policor në Malishevë.
Me këtë, sipas aktakuzës, Fadil Demiri, ka kryer veprën penale “mbajtja ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, par. 1 i KPRK – së.
Prokuroria njësoj e akuzon edhe Sherif Kastratin, për të cilin në aktakuzë thuhet se më 30 nëntor 2017 në fshatin Banjë të Malishevës, në një aheng familjar, pa autorizim ka mbajtur armë e municione në kundërshtim me nenin 4 par.1 nën par. 1,2 dhe 1,3 e lidhur me nenin 17 par.1 të ligjit për armë të Republikës së Kosovës dhe e cila armë me ligj kategorizohet si armë zjarri e ndaluar.
Sipas aktakuzës, gjatë ahengut familjar, arma është përdorë nga i akuzuari Endrit Shala, duke shtënë në ajër. Ndërsa, pas publikimit të video-incizimit nga mediumi KTV, emisioni Interaktiv, arma është gjetur me një karikator dhe e njëjta është sekuestruar, e tani gjendet në Stacionin Policor në Malishevë. /Betimipërdrejtësi