20.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Malli është vetë stili

Intervistë me shkrimtarin Ardian-Christian Kyçyku.

Si e keni shkruar romanin e parë; keni pasur në mendje modele?

Ka qenë “Lumenjtë e Saharasë”, në vjeshtën e vitit 1986. Mbaj mend se isha gati i ngujuar nga shirat e Tiranës, ndërsa shpirtërisht endesha brenda e rreth një Pogradeci të gjithkohshëm, me më shumë shpirtra sesa njerëz. Zgjati më pak se një javë dhe ishte një lloj i çuditshëm tërbimi, si e ndonjë shpirti të kapur në rrjetë, por në rrjetën e Bukurisë së Epërme, kur kupton se aq bukuri s’e përballon, s’e tret dot, dhe njëherazi nuk ndalesh së ëndërruari, në mos po së luturi, që ajo të zgjerohet e të kapërcejë çdo cak. Nuk është aspak lojë fjalësh kur them se doja të tregoja gjëra që s’rrëfehen lehtë dhe të rrëfeja gjëra që s’tregohen lehtë.

Thomas S. Eliot shprehej në vitet ‘20 se romani është një formë që s‘do të shërbejë më, që s‘do të mund të përdoret më… Në fakt, duket se ndodhi e kundërta?

– Varet se ç’ “roman” ka pasur parasysh, ndonëse çdo bindje kritike e përmasave globale gjithmonë fsheh të paktën një pakënaqësi, ose mangësi lokale. Nëse bëhet fjalë për tonelatat e letrës së shtypur, autorët e të cilave, në rrugë drejt sintezës, i ha analiza, gjithkush mund ta thotë, në çdo kohë, pa gabuar. Sidoqoftë, kur shkruaj, jam aq larg thënieve e parashikimeve, saqë nuk gjej asnjë arsye për të dalë nga bindja “teoritë le të lehin, romani shkon përpara”.

Romani duket se diti t’ia dalë dhe formave të egra siç ishte censura gjatë komunizmit?

– Në një periudhë të egër shkrimtari duhet të peshojë mirë se “çfarë nuk i lejohet” (që të mos paguajë me kokë), kurse në një tjetër: se “çfarë i lejohet” (që të mos paguajë me liri të vërtetë shprehjeje). Egërsia ndaj letërsisë jetëgjatë nuk zvogëlohet në varësi të lirive apo të drejtave. Dhuna ndaj gjërave që ndaloheshin thjesht zëvendësohet nga dhuna e gjërave që lejohen. Prandaj ndaj arritjeve të romanit gjatë periudhash diktatoriale më duket se çështja nuk duhet shtruar nëse ai ia doli, por se ku e nxori, ose ku e futi lexuesin. Letërsia është shumë më tepër se beteja mes saj dhe një regjimi të caktuar politik. Ajo është vazhdimisht e rrethuar nga të paktën një trajtë e diktature (në rastin më të mbrapshtë: e jovlerës që trumbetohet si vlerë e vetme dhe e pazëvendësueshme).

A ka formë një roman?

Kur ka jetë që ruan kujtesën pa kopjuar vetveten, duke përdorur, ose duke u njësuar me gjuhën dhe shijen e zgjedhur, (gratia – lat.), ka vetiu edhe formë. Mirë është ta kemi ndërmend besimin e murgjve të dikurshëm: varfëri nuk është varfëria, por mungesa e formës së shpirtit. Gjërat, librat dhe qeniet pa formë shtojnë varfërinë shpirtërore dhe shpërdorojnë kohë. Për këtë arsye, çdo shformim i bukurive të dukshme, për shembull, zbulon më qartë, ndonjëherë frikshëm, bukuritë e brendshme. Në kufirin që duhet të mbajë baraspeshën, vepron malli. Dhe malli, të paktën në botën ballkanike, mund të këqyret edhe si një mjeshtër, – i dhembshur, por pa e tepruar në mëshirë, – i formës. Për mua, jo rrallë, malli është vetë stili.

Romanet u shërbenin epokave; cili është raporti i romanit sot me kohën?

– Koha e romanit është gjithnjë në “luftë” me të sotmen, shpesh edhe me të djeshmen, ose me të ardhmen që duan të sajojnë këto të dyja. Po ta shohësh nga ana semiotike 6-ën, që cilësohet si numri i së tashmes, duket qartë se si koha zbret nga lart, bëhet rreth dhe mbyllet në vetvete, në një vetëngujim që s’ka lidhje me vetminë krijuese. Romani i nënshtrohet një kahu tjetër kohor. Kur lexojmë një roman të fuqishëm, (për)jetojmë (në) kohën e tij, jo kohën kur është shkruar, apo botuar. Vërtet shumica dërrmuese e romaneve, sidomos tani, i shërbejnë së sotmes në mënyra nga më befasueset, shpesh të rëndomta, madje edhe të ulëta, por ata pak lexues që përcjellin nga brezi në brez, mbase edhe përmes gjakut apo kodeve gjenetike, shijet e pastra artistike, zgjedhin pagabueshëm kohën e romanit dhe jo romanin e kohës.

A ka humbur romani nga ndryshimi i stileve, formave, të të shkruarit?

Kanë humbur vetëm shumë stile, forma dhe bindje të gabuara ndaj vendit dhe të ardhmes së romanit. Tingëllon hidhur, por nga këto humbje romani nuk ka fituar ndonjë gjë të madhe.

Romanet tuaja si do t’i përkufizoje?

– S’mund të rrëfehen.

Cilin quan ti një roman?

– Librin që nuk është më shumë se jeta e mirëfilltë, që harmonizon kujtesën e shpirtit me harresën e domosdoshme dhe që ia rrëmben bukurinë jetës për t’ia shtuar pó asaj.

Cili është një roman që do të doje ta kishe shkruar ti?

– Adhurimi im ndaj romanesh të caktuara nuk është përzier as edhe një herë të vetme me këtë lloj “pronësie”.

Marrë nga revista letrare “Saras”

Më Shumë

Ushtron dhunë ndaj bashkëjetueses, arrestohet i dyshuari në Rahovec

Në Rahovec të martën është arrestuar një person i dyshuar pasi raportohet se ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj viktimës femër kosovare me...

Muhamed Thaçi: Besoj se Ylli fiton në fund, e mposht në finale Trepçën

Trepça dhe Golden Eagle Ylli janë me një këmbë në finalen e basketbollit kosovar pasi kanë krijuar avantazh prej 2-0 në ndeshjet gjysmëfinale ndaj...

Lajmet e Fundit