76 fermerë të komunës së Mamushës kanë përfituar serra për kultivimin e perimeve. Por sfidë sipas fermerëve mbetet sigurimi i pesticideve për luftimin e sëmundjeve të ndryshme që prekin perimet.
Ka kohë që bujqit e komunës së Mamushës kanë dalë në treg me prodhimet e tyre, por edhe pse ishte një dimër i butë sfidat për ta ishin të njëjta edhe këtë vit.
Bujku Nafiz Kryezi thotë se sfidat kryesore për bujqësi në botë janë dy sëmundje; basra dhe tuta.
“Për këtë arsye, spërkatja e domateve është e domosdoshme, ndonëse efektin e kanë të vogël. Mbështetja nga Qeveria nuk ka munguar, jemi falënderues ndaj tyre”, tha ai.
”Qe 20 vjet e kultivojmë këtë kulturë dhe në përgjithësi jemi të kënaqur. Qe tre javë jemi në treg duke shitur domate dhe tranguj. Çmimet janë të kënaqshme. Domatet janë 1 euro dhe trangujt 0.70 cent. Shpresojmë që deri në fund të vitit te kemi shitje, ashtu sikur tani’, thotë Nazif Kryezi.
Tregu i perimeve nga Mamusha është siguruar, andaj fermerët e kësaj komune të vogël çdo vit i rrisin sipërfaqet e mbjella, thotë Nexhat Morina.
“Tregun e kemi të sigurt sepse mallin e kemi vendor dhe kur del ky mall është edhe taze edhe qëndron, ama duhet punuar. 76 fermerë të Mamushës kanë fituar 20 hektarë. Çdo vit fermerët janë duke e shtuar sipërfaqen e mbjellë me serra”, tha ai.
Sipas drejtorit të Bujqësisë, Rruzhdi Mazreku, në këtë komunë nuk ka kohë për të pushuar.
“Vera te ne fillon shumë herët. Kemi fermerët shumë punëtorë. Mbillen mbi 350 hektarë me serra, me produkte të ndryshme, shumica 30 deri në 40% me domate . Ka disa bujq që kanë bërë kontrata për eksport në Evropë”, tha Mazreku.
Në këtë komunë pothuajse të gjithë kulturat e perimeve mbillen në hapësira të mbrojtura, pasi kushtet klimatike të Mamushës janë shumë të përshtatshme për kultivimin e tyre në këtë mënyrë.RTK